Vajza e plagosur del nga spitali: Hyra të shpëtoja motrën nga babai

Feb 3, 2016 | 7:42
SHPËRNDAJE

Esmeralda Ibraj, 23-vjeçarja që u plagos nga i ati mbrëmjen e së dielës, pasi ai kishte goditur tri herë me thikë motrën e saj të vogël, ka dalë nga Spitali i Traumës për të përcjellë në banesën e fundit Elidonën.

Esmeralda Ibraj, vajza e plagosur
Esmeralda Ibraj, vajza e plagosur

E plagosura ka dëshmuar nga spitali për oficerët e grupit të hetimit duke treguar rrethanat e ngjarjes.

“Babai ishte i dehur, si gjithmonë. Por mbrëmë (të dielën) ishte shumë keq. Nuk e dinte ç’bënte e ç’thoshte. Kur kapi thikën në dorë, u tmerruam. Ndërhyra kur ai iu drejtua mamit. Pashë edhe Elidonën që ishte pranë saj dhe u futa ta shpëtoja. Por ai e goditi. Më goditi dhe mua”, ka treguar 23-vjeçarja.

Më pas ajo thotë se nuk mban mend asgjë, pasi ka humbur ndjenjat. Para oficerëve të Policisë ajo ka treguar edhe për episode të tjera dhunë fizike e psikologjike që i ati ushtronte ndaj të ëmës dhe motrave. Sipas saj, nuk ka asnjë shpjegim pse ai bëhej ashtu. Shpjegimi i vetëm ishte pija, pasi ai pinte gjithë ditën dhe më pas nuk dinte më çfarë të bënte.

Mjekët e Spitalit të Traumës thonë se Esmeralda ishte me fat. Ajo kishte një plagë thike në gjoks, vetëm pak milimetra poshtë zemrës.

Sipas doktorëve, sikur pak më lart të ishte goditur, situata mund të kishte qenë shumë e rëndë. Mjekët e kanë lejuar që ajo të dalë nga spitali, disa orë pas mjekimit, pasi vajza ka këmbëngulur që të shkonte pranë motrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura