Vajza e Gedafit, Aisha, lind pak orë pas mbërritjes në Algjeri

Aug 31, 2011 | 11:16
SHPËRNDAJE

Vajza e kolonel Gedafit, Aisha, ka lindur një vajzë vetëm disa orë pasi iku në Algjeri. “Aisha lindi një vajzë të vogël shumë herët këtë mëngjes. Nëna dhe vajza janë mirë”, tha një zyrtar i qeverisë për AFP. Aisha, nëna e saj Safiya dhe vëllezërit, Muhamed dhe Hanibal, kanë mbërritur në Algjeri, pas një ikjeje dramatike nëpër shkretëtirë për t’iu shmangur forcave rebele. Ata u “kontrabanduan” jashtë vendit në një operacion të rrezikshëm, duke arritur të hënën në mëngjes me një kolonë prej gjashtë Mercedesësh të blinduar. Mourad Benmehidi, përfaqësuesi algjerian në OKB, tha për “New York Times” se një grua ka lindur në afërsi të kufirit pa ndonjë pajisje mjekësore apo ndihmë, por nuk është konfirmuar nëse personi ishte Aisha. Autoritetet algjeriane më parë thanë se familja u lejua të qëndronte në vendin e tyre për “arsye humanitare”. Ministria e Jashtme nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të ketë dijeni për vendndodhjen e Muamar Gedafit. Ai mendohet të jetë drejtuar në Sabha, një nga bastionet e fundit të të besuarve të tij, bashkë me djemtë, Saadi dhe Saif al-Islam. Vajza e vetme biologjike e Gedafit, Aisha, ka shprehur mbështetjen për regjimin e babait të saj. E njohur si “Klaudia Shifer e Afrikës së Veriut”, për shkak të flokëve të saj të gjatë e biondë, ajo është shumë e lidhur me të atin. Avokatja 36-vjeçare e ka fyer shpesh Perëndimin me një seri fjalimesh sfiduese gjatë luftës gjashtëmujore. Aisha ka studiuar në Francë për t’u bërë avokate. Ajo më vonë u bashkua me ekipin që mbrojti pa sukses Sadam Huseinin në Bagdad. Në vitin 2006, ajo u martua me kushëririn e saj, Ahmed al Gedafi el-Qahsi, një kolonel i ushtrisë me të cilin ajo tashmë ka tre fëmijë. Sipas familjes Gedafi, Qahsi u vra më 26 korrik, në bombardimin e rezidencës së Gedafit. Këshilli Kombëtar i Tranzicionit i ka bërë thirrje Algjerisë të dorëzojë anëtarët e familjes Gedafi, duke  cilësuar strehimin tyre si “akt agresioni”. Algjeria nuk e ka njohur Këshillin e Tranzicionit si qeveri legjitime të Libisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura