Vaçe Zela nga Lushnja në Tiranë, si u zbulua talenti

Feb 7, 2014 | 11:22
SHPËRNDAJE

VAÇE ZELA
Kërkojnë që banesa të kthehet në muze për të gjithë adhuruesit.

Të afërmit tregojnë vitet e para të këngëtares së famshme.

“Kur ishte 13 vjeçe, Vaçja mbrëmjeve merrte kitarën dhe ulej poshtë një ulliri para shtëpisë së saj.  Aty këndonte derisa gjyshja i dilte dhe i thoshte: ‘Ç’e ke këtë zë të bukur moj bijë?! Por po na lë pa gjumë’”. Kujtimet rikthehen më ethshme tek të afërmit e Vaçes tani që kanë mësuar se ajo nuk rron më. Sot, as ulliri nuk është më, gjithashtu edhe shtëpia ku lindi dhe u rrit Vaçe Zela po rrënohet. Në Lushnjë kujtimet për Vaçen janë të forta te kushërinjtë, miqtë dhe bashkëqytetarët e saj. Ata tregojnë se meloditë e para Vaçja i këndoi në shtëpinë e saj, në qendër të Lushnjës, derisa një koncert e bëri atë të famshme menjëherë. Pëllumb dhe Syrja Zela janë dy kushërinjtë e Vaçe Zelës, që jetojnë ende në qytetin e Lushnjës. Ata tregojnë se çdo mbrëmje Vaçja këndonte dhe i binte kitarës së saj, pa e ditur se shumë shpejt do të bëhej ikona e muzikës shqiptare. “Vaçja ka jetuar këtu në Lushnjë që në moshën 14-15-vjeçare e më pas u largua për në Tiranë që të ndiqte shkollën e mesme. Kjo do të ishte dhe shkëputja e madhe e saj nga Lushnja. Në atë periudhë mori pjesë në një koncert në Kinë, ku zëri i saj bëri menjëherë jehonë. Prej atij momente karriera e saj mori hov dhe i gjithë aktiviteti u përqendrua në Tiranë”, tregojnë kushërinjtë e Vaçes. Brenda pak kohësh u shpërngul nga Lushnja për në Tiranë dhe pjesa tjetër e familjes Zela. Për këtë arsye shtëpia e saj private iu shit një kushëriri të familjes dhe vitet në vazhdim Vaçja kthehej shpesh në Lushnjë, por tashmë për të dhënë koncerte në qytetin e saj të lindjes. Shtëpia e së famshmes Vaçe Zela vazhdon të njihet si e tillë edhe sot, ndonëse prej dekadash në dokumentet e pronësisë ajo u takon personave të tjerë. Mësohet se pronarët e shtëpisë kanë emigruar në shtetin grek dhe fakti që në të nuk banon njeri prej vitesh ka sjellë amortizimin e plotë të saj. Shtëpia është modeste, njëkatëshe, me sipërfaqe rreth 70 metra katrorë. Muret e saj në një pjesë të mirë janë rrëzuar, dritaret janë mbuluar nga bari dhe shkurret që depërtojnë brenda saj, ndërsa tjegullat rrezikojnë të bien nga dita në ditë.
Pas lajmit të rëndë të mësuar pak pas mesnatës të së martës, të afërmit e Vaçe Zelës që jetojnë në Lushnjë i janë drejtuar pushtetit vendor për të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në nder të saj, atë të shndërrimit të shtëpisë së Vaçes në një muze, të hapur për çdo adhurues të saj. Vetë kryetari i Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, e ka mbështetur idenë e tyre duke thënë se në mbledhjen më të afërt të Këshillit Bashkiak kërkesa do të shqyrtohet në rendin e ditës. Një tjetër nderim që pritet t’i bëhet figurës së Vaçe Zelës në qytetin e saj të lindjes është vendosja e emrit të saj lagjes ku ndodhet shtëpia. Pas diskutimit në Këshillin Bashkiak do të miratohet dhe një fond i posaçëm për kthimin në identitet të shtëpisë, tashmë në gjendje tejet të rënduar. Prej vitesh Vaçja i ka munguar qytetit të lindjes, pasi jetonte në Bazel të Zvicrës, aty ku dhe dha shpirt mëngjesin e djeshëm. Në çdo intervistë të dhënë pas largimit të saj nga vendi, kryefjala ishte malli për atdheun dhe njerëzit që e adhuronin prej dekadash. Ashtu siç ka lënë me gojë dhe amanetin e fundit: që banesa e fundit të jetë aty ku erdhi në jetë, pikërisht në Shqipëri.

Kryebashkiaku i Lushnjës: Humbje për kombin
Fatos Tushe, kryetari i Bashkisë së Lushnjës, u shpreh dje se vdekja e Vaçe Zelës është një humbje e madhe, ndërsa ka shtuar se do të punojë që shtëpia ku ajo lindi të shndërrohet në muze. “Me ikjen e këng-ëtares sonë të madhe nuk humbi vetëm Lushnja, humbi gjithë kombi ynë. Ne jemi rritur e edukuar me këngën e Vaçes. Zë si i saj nuk përsëritet më. Në respekt të figurës së kësaj ikone të skenës së muzikës shqiptare, Bashkia Lushnjë do të marrë masa që shtëpia e saj, që sot është e braktisur, të kthehet në një shtëpi muze, ku të gjithë brezat të kenë mundësi ta takojnë Vaçen tonë të përjetësuar në veprën e saj”, u shpreh Tushe.

Karriera muzikore
Vaçe Zela është fituese 12 herë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Iu dha titulli “Artist i Merituar” në vitin 1973 dhe “Artist i Popullit” në vitin 1977. Ka kënduar për herë të fundit në skenën e Festivalit të RTSH-së në vitin 1980 dhe u largua përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Është nderuar me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga ish-presidenti Alfred Moisiu, me motivacionin: “Për vlerat e rralla si artiste e shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

Këngët
Vaçja, e parapëlqyera e kompozitorëve
Vaçe Zela është fituesja e Festivalit të Parë të Këngës në Radio me këngën “Fëmija i parë”, më 26 dhjetor të vitit 1962, ndërsa ishte 23 vjeçe. Pas kësaj, Vaçe Zela do të bëhej numri një i skenës shqiptare, duke bashkëpunuar me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare: Grimci, Daija, Prodani, Krajka, Deda, Gaci, Kushta etj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”, “Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona ilegale” etj. kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare. Të parët që zbuluan talentin e Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare në Lushnjë. Provoi të studionte në Liceun Artistik, por pa mundur. Ndoqi gjimnazin “Qemal Stafa”, por talenti i saj shpejt do të binte në sy. U emërua fillimisht këngëtare në Estradën e Ushtrisë, më pas në atë të Shtetit dhe së fundmi në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore.

Kitara, pjesë dhe në librin me kujtime
Kitara e Vaçe Zelës zë një vend të veçantë në studion e Çelës. Kësaj vegle muzikore, dëshmi e peripecive të shumta të kaluara në jetë, por dhe shpirtmadhësisë së këngëtares sonë të famshme Vaçe Zela, ish-i burgosuri politik i ka kushtuar një tregim të titulluar “Kitara”, pjesë e përmbledhjes “Nga jeta në burgje”. Kitara e varur në mur merr sërish jetë e bëhet e gjallë në duart e Gëzim Çelës, të cilit tingujt e muzikës i rikthejnë në mendje qindra kujtime të gëzuara apo të hidhura nga vendet e vuajtjes së dënimit, shokët e tij të burgjeve, por, mbi të gjitha, i kujtojnë solidaritetin njerëzor, e cila është një ndër pasuritë më të çmuara për çdokënd.
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Bujar Nishani: Theu tabutë në art dhe në jetë
Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Presidenti i Republikës Bujar Nishani do të shprehej ndër të tjera se Vaçe Zela ofronte optimizëm dhe në ditët e zymta që ka kaluar Shqipëria. “Ishte magjia e madhe që e bëri kombin shqiptar të gëzojë dhe të jetë optimist për jetën, edhe kur jeta premtonte shumë pak mirësi.
Artistja e madhe po ikën si rrallëkush: ajo ka fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë, sepse kënga dhe arti i saj, vetë emri i artistes është shënuar në historinë e artit dhe të muzikës shqiptare”. Sipas Presidentit Nishani, “thyerja e tabuve ideologjike në art e në jetë, si dhe virtuoziteti i saj i pashoq, do të mbeten ngahera të gdhendura në mendjet dhe zemrat e artdashësve shqiptarë e të huaj”.

Parlamenti, një minutë heshtje
Ilir Meta: Jam rritur me këngët e Vaçes
Parlamenti i Shqipërisë mbajti dje një minutë heshtje në nderim të Artistes së Popullit, Vaçe Zela, e cila u nda nga jeta në moshën 74-vjeçare. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, theksoi dje se artistja Vaçe Zela, edhe pse kishte një mungesë 20-vjeçare në skenë, ka qenë gjithnjë e pranishme në kujtesën e shqiptarëve me artin dhe këngët e saja. “Sot (dje) është ndarë nga jeta artistja e madhe e popullit tonë, Vaçe Zela, ikona e këngës shqiptare, ky talent, zë i jashtëzakonshëm dhe njeri i mrekullueshëm, që ka lumturuar dhe zbukuruar jetën e gjeneratave në kohët më të vështira. Mbas pothuaj 20 vjetësh mungesë në skenë, por gjithmonë e pranishme në kujtesën tonë, Vaçja e madhe, Nderi i Kombit, është ende kulmi i papërsëritshëm i këngës shqiptare. Prandaj, të nderuar kolegë deputetë, për të nderuar këtë figurë të jashtëzakonshme të këngës, muzikës dhe kulturës sonë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!” theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Dritëro Agolli: Poetët dridheshin para Vaçes

Dritëro Agolli
Për poetin Dritëro Agolli, Vaçe Zela nuk ka vdekur, por do të kthehet në një flutur, që do të fluturojë kudo përmes këngës së saj. “Tingujt e këngëve të saj kanë hyrë në thërrmijat e tokës sonë, por dhe në fëshfërimën e fletëve të pemëve, të kopshteve, kanë hyrë në gurgullimat e përrenjve dhe valët e lumenjve. Kështu që ajo jeton përherë në këtë popull, do të jetojë edhe në brezat e tjerë që do të vijnë. Ajo është një pemë që nuk do të thahet kurrë. Gjithmonë ajo do të lulëzojë dhe do të bëjë fruta dhe fruti është kënga”, do të shprehej Dritëro Agolli. “Ajo edhe në diktaturë ka qenë ylli i këngës sonë. Në atë kohë ajo u rrit si këngëtare, u bë këngëtare e vërtetë, këngëtare me kitarë. Pak kemi ne vajza edhe me kitare, edhe me këngë. Ajo ishte shumë kërkuese në çdo këngë që i bënin kompozitorët dhe në çdo varg që i shkruanin poetët. Edhe poetët e mëdhenj tanët dridheshin para asaj kur bënin vargjet. Incizimet e këngëve të saj duhet të ripërsëriten, të freskohen. Tani ka teknikë që të bëhen këto, pasi ç’është e vërteta i kemi lënë mënjanë. Këngët e saj këndohen, por zëri i saj pak është ndjerë”, tha dje Agolli.

Jorganxhi: S’bënte kompromis as me kompozitorë të njohur

Zhuliana Jorganxhi
Ajo kishte mundësinë të përzgjidhte. Më parë këngët luheshin për të dhe ajo vinte gishtin. Zgjedhja mund të ishte edhe kënga e një kompozitori fare të panjohur. Autorja e shumë teksteve të Vaçe Zelës, Zhuliana Jorganxhi, kujton bashkëpunimin me këngëtaren. “E njoha nga afër në vitin 1968, në Festivalin e 7-të, ku merrja pjesë për herë të parë dhe unë si autore teksti, me këngën “Nëntori” të të madhit “Artist i Popullit” Gaqo Avrazi. Takimi i parë me Vaçen për mua, një studente atëherë dhe një adhuruese e saj, ishte shumë emocionues, por pa droje ju them se edhe kur u bëmë mike të ngushta, gjithmonë ndjeja emocion të veçantë përballë saj. Nuk dinte të bënte kompromis nëse kënga nuk i pëlqente, edhe sikur të ishte e një firme të njohur. Kështu, nuk e harroj, në Festivalin e 14-të, ku unë sapo kisha filluar punë si redaktore letrare në RTSH, në redaksinë e Krijimtarisë dhe Incizimeve muzikore erdhi Vaçja, dhe i ndrituri Gjon Simoni i luajti në piano këngë të ndryshme, që kishin ardhur për Festivalin. Ajo zgjodhi këngën e një kompozitori të ri, të panjohur, të ndriturit Shaqir Kodra. Kërkoi që këngës, të ardhur pa tekst, t’i qëndisej një tekst për rininë”, kujton Zhuliana Jorganxhi, e cila ka komunikuar me Zelën deri sa ajo u rëndua e u shtrua në spital. “Unë mora një vëllim të poetit dhe shkrimtarit të njohur Betim Muço dhe mbi atë poezi, fillova të bej tekstin, arritëm te refreni dhe unë i thashë Vaçes që kam botuar një poemë për rininë me titull “Rinia jonë shtathedhur”. Vaçja e pëlqeu si figurë dhe më tha vendose në tekst se më shkon bukur. “Rinia jonë o shtathedhur, me ballin lart”, thashë unë, “e bukura”, tha Vaçja, “me ty jam gjithmonë”, thashë unë, “ku e kërkon koha sot!” Pastaj tekstin e vazhdoi Betimi dhe kënga doli me autorësinë e tij dhe fitoi çmimin e dytë në atë festival”, tregon Jorganxhi.

Rama: yll ne qiellin e shqiperise
“Në një kohë e vend tjetër, Vaçja do të ishte yll i ndezur në qiellin e botës, iku duke lënë përjetë ndezur yllin e vet në qiellin e Shqipërisë”. Ky është mesazhi i ngushëllimit që Kryeministri Edi Rama ka shkruar për humbjen e këngëtares Vaçe Zela. Këtë mesazh ai ia ka bashkangjitur një fotografie bardhezi të këngëtares, rrethuar me një aureolë drite, për të përcjellë mesazhin e shkëlqimit që ajo la pas, edhe pse nuk është më fizikisht.

Basha: perjete mes nesh
“Mësova me hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të artistes së shquar, Nderit të Kombit, Vaçe Zelës. Për të gjithë ne që u rritëm me zërin e saj unik, sa më shume që koha kalon, aq më e dashur dhe e veçantë është figura e saj”, u shpreh në mesazhin e tij të ngushëllimit, kreu i PD-së dhe Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Sipas tij, “Vaçe Zela do të mbetet përjetë mes nesh”.

Ambasada SHBA
“Sot, Shqipëria humbi një nga këngëtaret e saj më të mëdha. Vaçe Zela ishte një artiste e madhe dhe kushdo që e ka dëgjuar atë të këndojë, mund të dëshmojë për bukurinë e zërit dhe talentin e saj të pafund. Me këngët që interpretoi, ajo u kthye në një legjendë të muzikës shqiptare, jo vetëm për brezin e saj, po për të gjithë shqiptarët e çdo moshe. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjen dhe të dashurit e saj.”

Sali Berisha
“Dhimbje dhe zi për botën tonë kulturore dhe mbarë kombin tonë! Me zërin melodioz e të papërsëritshëm, me këngët dhe interpretimet e saj, Vaçe Zela dhuroi gëzim, kënaqësi dhe krenari në zemrat dhe votrat tona. Vaçe Zela jeton e do jetoje në gjuhen më të bukur, më magjepse, në këngën e saj, këngën e kombit tonë! Mirënjohjen e pakufishme këngëtares sonë të pavdekshme Vaçe Zela!”

Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllimet e tij për Vaçe Zelën, duke postuar në Fb dhe një video me të. “Vaçe Zela ka qenë dhe mbetet ikonë e muzikës së lehtë dhe asaj popullore, një zë origjinal, i papërsëritshëm dhe unikal në muzikën shqiptare. Zëri i mrekullueshëm dhe këngët e saj për Atdheun janë perla të përhershme të trashëgimisë sonë muzikore”.

NGUSHELLIME
Bujar Kapexhiu: E përqendruar totalisht në atë që do të interpretonte, Vaçe Zela nuk toleronte gabime. Në Festivalin e 11-të, ku isha prezantuesi, Vaçe Zela ka kënduar vetëm gjysmën e këngës në natën e parë. Vaçja prezantohej me këngën ‘Natën vonë’. Nisi muzika, Vaçja filloi të këndonte. Këndoi vetëm gjysmën,  e la këngën në mes dhe doli nga skena. Shkak ishte një gabim në lojën e orkestrës, të cilën Vaçja nuk mund ta toleronte. E, këtë mund ta bënte vetëm ajo! Natën tjetër, kur e prezantova, i them publikut: Sot do të këndojë një këngë e gjysmë.

Nexhmije Pagarusha: Jam shumë e tronditur. Nuk di me thanë me fjalë se çfarë ka qenë ajo në shpirtin tem, në jetën teme. Për mua ka qenë diçka krejt tjetër. Largësia na ndau. Sot e kam thirr Pjetrin dhe i kam thënë: përqafe për mua dy herë.

Inva Mula: Kam pasur fat të të njoh që kur isha fare e vogël dhe dëgjoja në cep të dhomës krijimet e babait tim për ty. Ti ishe modeli im, ishe ëndrra ime dhe kështu vazhdoje të ishe gjithë jetën dhe për shumë artiste të tjerë. Të falënderoj dhe do të jem mirënjohëse, Diva jonë absolute.

Qemal Kërtusha: Kur është kënduar “Fëmija i parë”, duke shëtitur, njerëzit na aviteshin me fjalët ma të mira, duke thënë çfarë kange të bukur keni kënduar. Para se të dilte në skenë, ajo më thoshte: Qemal, kam emocion, ma ver dorën te gjoksi. Asaj sikur do t’i delte zemra nga vendi, por kur shkonte te mikrofoni, e ngrinte…

Agim Krajka: Ndryshe është të jesh gjallë, ndryshe të mos jetosh më. Ajo ishte e pazëvendësueshme, veçanërisht për gjeneratën tonë. Vaçe Zela kishte gjithçka i takonte këtij populli për ta pasur në kulturën e tij.

Mimoza Selimi: Pata fatin të të kem në jetën time, ashtu siç do të të kem gjithmonë. Irma më tregoi që u nise në rrugën pa kthim. Sa shumë e deshe e sa shumë, sa shumë të do Irma jote e mirë. Unë nuk kam parë një fëmijë të bëjë atë që bëri ajo për ty!

Imazhi jashtë
Vaçe Zela në kuizet e RAI-t
Ndonëse brenda një sistemi të mbyllur, zëri i Vaçe Zelës i kishte kaluar kufijtë. Aktori Astrit Çerma shkroi dje në faqen e tij në Facebook ato çfarë prezantuesi italian Mike Bongiorno do të thoshte për Vaçe Zelën, vite më parë: “Më kujtohet në ato vite kur u vendosën televizorë nëpër ndërmarrje e institucione, ne në Institutin e Arteve ndiqnim pothuajse çdo natë RAI-n. Një natë, i madhi i asaj kohe, Mike Bongiorno, në një nga programet që drejtonte, që në mos gabohem quhej “Pyetje për të gjitha”, bëri 3 pyetje që çuditërisht kishin lidhje me Shqipërinë….  
Pyetja e tretë kishte të bënte me këngëtaren e madhe të asaj kohe, Caterina Caselli dhe me këngën hit të saj, “Xhovane, xhovane”..
– Cila nga këngëtaret në botë do ta këndonte këngën “Xhovane” më bukur se Caterina Caselli…?
Përgjigjet ishin rreth një niveli këngëtarësh që trondisnin skenat e botës, por Mike Bongiorno vazhdimisht i hodhi poshtë deri sa shpërtheu:
– Këngëtarja që do ta këndonte më bukur këtë këngë është shqiptarja Vaçe Zela!”

Vaçe Zela, homazhet në skenë
Vaçe Zela do të prekë për herë të fundit skenën shqiptare, por fati e deshi, që të ndodhte pikërisht në ditën e saj të mbrame. Ministria e Kulturës, e cila ka organizuar ceremoninë mortore për nder të këngëtares Vaçe Zela, ka vendosur që homazhet për artisten të organizohen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku ajo ngriti karrierën e saj. Skena nuk do të ketë një pamje mortore, por do të ruhet skenografia e shfaqjes së momentit në kalendarin e TKOB-it, baleti “Zhizel”. Qeveria Shqiptare ndërmori të gjitha masat që sjellja e trupit të pajetë nga Bazeli i Zvicrës, ku ajo jetonte prej vitesh, të kapërcente një mori procedurash burokratike, me të cilat do të ishte përballur çdo qytetar i thjeshtë. Po kështu, ka marrë përsipër edhe shpenzimet e gjithë këtij procesi. Pritja e parë këngëtares do t’i bëhet në Aeroportin e Prishtinës nga autoritete kosovare, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës dhe familjarë të saj, për t’u shoqëruar më pas për në Tiranë, ku ajo kishte kërkuar që të prehej. Homazhet do të zhvillohen nesër nga ora 10:00- 12:00, e më pas lamtumira e fundit në varrezat e Sharrës, ku ajo do të prehet.  

Ceremonia
E premte, ora 14:00– Trupi i pajetë i këngëtares pritet të mbërrijë ne Aeroportin e Prishtinës.
E premte, ora 17:00- Trupi i pajetë i artistes së madhe Vaçe Zela pritet të mbërrijë në Tiranë.

E shtunë, ora 10:00-12:00– Ceremonia mortore në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

E shtunë, ora 13:00– Nisja nga TKOB drejt varrezave të Sharrës, ku do të prehet trupi i këngëtares.
ngushellime

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura