Ushtarët me shqiponjë/ Fevziu letër të hapur ministrit grek: S’janë skllevër, mos guxoni t’i trajtoni si të tillë

Jan 25, 2017 | 20:58
SHPËRNDAJE

Gazetari Blendi Fevziu i ka shkruar një letër publike Ministrit Grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, ku thote se ndihet i befasuar nga një seri lajmesh sipas të cilave ai ka kërkuar dënimin maksimal për 7 rekrutë të ushtrisë greke me kombësi shqiptare, që në grumbullimin e tyre të parë ushtarak, kanë pozuar me shënjën e shqiponjës.

blendi1

Teksa rendit disa argumenta kundër deklaratës se ministrit grek, Fevziu thote nder te tjera se “kryqëzimi i dy pëllëmbëve nuk është “simbol i Shqipërisë së madhe”, as një simbol nacionalist dhe aq më pak luftënxitës. Eshtë një stilizim i shqiponjës, shpendit që prej shekujsh identifikon shqiptarët, madje prej atëherë kur nuk kishte as Shqipëri e aq më pak Shqipëri të madhe apo të vogël”.

“E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, është deklarata juaj se: “Kush nuk ndihet grek, të kthehet në shtëpinë e tij”. Zoti Ministër, ata të rinj janë nënshtetas grekë. Ata mund të ndihen grekë, po aq sa mund të ndihen shqiptarë. Nuk ka ndonjë shtet në botë që i klasifikon qytetarët e tij mbi bazën e ndjenjave, por mbi bazën e zbatimit të ligjeve të atij vendi. Dhe me sa di unë, nuk ka ndonjë ligj në Greqi që i ndalon qytetarët të dalin fotografi me pëllëmbët e kryqëzuara.

Po ju them edhe diçka përpara se sa ta mbyll. Ata të rinj ose prindërit e tyre kanë emigruar në Greqi për një jetë më të mirë. Kanë qenë njerëz në nevojë, të terrorizuar nga një regjim diktatorial dhe nga varfëria ekstreme. Ata janë mirëpritur nga Greqia dhe për këtë ju jemi mirënjohës.

image2

Por zoti Ministër, ata nuk janë skllevër dhe as mos guxoni t’i trajtoni si të tillë. Janë njerëz me dinjitet, që kanë ndërtuar me duart dhe djersën e tyre kaq shumë vepra në Greqi; që kanë punuar me mallin për të afërmit apo fëmijët e lënë në Shqipëri, që kanë sakrifikuar, që kanë kursyer, kanë paguar taksa dhe kanë sjellë prosperitet në vendin tuaj. Ata janë pjesë e suksesit dhe dështimit të atij vendi, ndaj mos i trajtoni si qytetarë të dorës së dytë. Ata janë krenarë që gjithçka e kanë arritur me punën e tyre, madje shumë herë më me vështirësi se sa vendasit, siç ndodh gjithnjë me emigrantët.

Tani ata janë pjesë e Greqisë, madje një pjesë krenare e saj. E dini përse? Sepse ata nuk i kanë fshehur taksat; ata nuk kanë bërë bilance fallco; ata nuk kanë përfituar asnjë benefit të BE, por kanë bërë shumë sakrifica.

Nuk kanë ngritur zërin kur i kanë përzënë nga puna, por kokëulur kanë gjetur një punë tjetër për t’ju siguruar shkollimin dhe të ardhmen fëmijëve të tyre.

Atyre fëmijëve që ju doni t’i përzini sot sepse kanë pozuar me simbolin e vendit të origjinës. Por ata janë padyshim pjesa më e mirë e Greqisë, madje ajo pjesë që ka sakrifikuar për të, më shumë se sa ju që jeni lindur dhe rritur prej brezash aty.

Së fundmi duket se injoranca është kthyer virtyt në shumë vende të Ballkanit, por do uroja, që ajo të mos bëhej kredo e punës suaj zoti Ministër…”, e mbyll shkrimin e tij Fevziu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura