Ushtaraku vetëvritet në Ministri gjatë paradës

Nov 30, 2012 | 12:51
SHPËRNDAJE
Gëzim Taraj

Gëzim Taraj, 49 vjeç, me gradë “Kapter”, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë në katin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes. Ngjarja ndodhi në kohën kur pak metra më tutje, kolegë të viktimës po parakalonin në paradën e 100-vjetorit në sheshin “Skënderbej”. Ushtaraku i Agjencisë së Ndërlidhjes dhe Informacionit është gjetur i vdekur në zyrën e katit të parë të Ministrisë, nga kolegu i tij, me të cilin ndante turnin e tretë në këtë dikaster. Ngjarja e ndodhur në kulmin e aktiviteteve festive është bërë shkak që viktima të gjendej disa orë më vonë nga momenti i vetëvrasjes. Sapo është konstatuar ngjarja, në Ministrinë e Mbrojtjes ka mbërritur një grup ekspertësh nga Policia Ushtarake dhe Prokuroria, që kanë kryer veprimet e para. Më pas, në vendngjarje kanë shkuar edhe një grup ekspertësh nga Seksioni i Krimeve Kundër Jetës të Policisë së Tiranës. Nga verifikimet e kryera në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se kapteri Gëzim Taraj e ka kryer vetëvrasjen me armën e kolegut të tij dhe jo me armën e vet. Për këtë arsye është bërë një ekzaminim paraprak nga ekspertët kriminalistë e balistikë, të cilët kanë konkluduar se arma është shkrepur nga vetë viktima. Kolegu i tij i shërbimit është marrë në pyetje për disa orë nga Policia Ushtarake. Grupi hetimor është treguar mjaft i rezervuar në lidhje me ngjarjen, duke mos dhënë shumë detaje për rrethanat se si ka ndodhur. Burime nga Policia e Tiranës thanë se, përveç këqyrjes së vendngjarjes, të gjitha veprimet e tjera janë kryer nga Policia Ushtarake.
HETIMI
Motivet e vetëvrasjes së ushtarakut janë mbuluar me mister për shkak të mbajtjes së medias në distancë nga Policia Ushtarake. Megjithatë, sipas të dhënave që Ministria e Mbrojtjes i ka përcjellë Policisë së Tiranës, dyshohet se shkak i vetëvrasjes së ushtarakut Gëzim Taraj ka qenë depresioni. Burime konfidenciale nga kolegë të viktimës dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes kanë thënë ndërkohë se viktima Gëzim Taraj ka pasur probleme të shumta ekonomike. Shkak për këto probleme është bërë një kredi që ai ka marrë prej pak muajsh në një bankë në kryeqytet, prej 7 milionë lekësh të rinj. Sipas të njëjtave burime, Taraj ka marrë kredi dhe ka blerë një apartament në katin e dytë të një pallati të ri, në rrugën “Don Bosko”, ku edhe jetonte aktualisht me bashkëshorten dhe tre fëmijët. Por edhe një biznes i vogël familjar, një dyqan ushqimor, në katin e parë të pallatit ku banonte, nuk po i ecte si duhet. Të gjitha këto i kishin sjellë mjaft shqetësime, sipas kolegëve, që mendojnë se këto mund të jenë disa nga arsyet që ai kreu vetëvrasje. Megjithatë, hetimet vazhdojnë nga Policia Ushtarake, për të zbardhur shkaqet reale të ngjarjes, ndërsa në lidhje me vetëvrasjen e kapterit Taraj nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare, qoftë nga Ministria e Mbrojtjes, apo edhe nga Policia e Tiranës.

Telefonata
Gëzim Taraj, oficeri i vetëvrarë në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, sipas hetuesve e ka telefonuar vetë gruan e tij mbrëmjen e 28 Nëntorit 2012. Ai mësohet se ka biseduar me të shoqen dhe i ka bërë me dije vendimin që kishte marrë për t’i dhënë fund jetës. Ka qenë njoftimi nga familjarët e viktimës që ka vënë në dijeni personelin e Ministrisë për të shkuar në zyrën e Gëzim Tarajt e për të verifikuar gjendjen e tij.

Vjehrra e Tarajt: Kishte probleme me një kredi
TIRANE – Familjarët e kapterit Gëzim Taraj, i cili u gjet i vetëvrarë në Ministrinë e Mbrojtjes, janë shokuar kur kanë mësuar ngjarjen. Ata nuk arrijnë dot që t’i japin një shpjegim veprimit të 49-vjeçarit, edhe pse janë të vetëdijshëm për problemet ekonomike. Vjehrra e tij, Lavdije Sula, në një prononcim për gazetën, tregoi dje se bashkëshorti i së bijës ka pasur probleme me një kredi të vogël që ka marrë, për shkak se edhe puna në një dyqan të vogël ushqimor që kishte nuk po i ecte mirë dhe së fundmi ishte stresuar nga tatimorët që i shkonin çdo ditë.
Në çfarë ore ka dalë nga shtëpia dje Gëzimi?
Ka dalë para orës 16:00, sepse do të shkonte në punë. Ishte turn i tretë, por për shkak të festimeve, doli pak më herët, për të arritur në kohë.
Ka pasur ndonjë problem kohët e fundit?
Gëzimi ishte tip i mbyllur, sidomos kohët e fundit ishte mbyllur edhe më shumë në vetvete. Të paktën kështu më thoshte vajza. Por ajo nuk më ka thënë që kishin ndonjë problem serioz, gjëra normale si në çdo familje. Kishin edhe disa halle ekonomike, sepse kishin marrë një kredi të vogël për shtëpinë dhe dihet që kredia aq sa të ndihmon në fillim, të bëhet pengesë më vonë. Por edhe probleme me një dyqan ushqimor që ka poshtë pallatit, shumë i vogël, por çdo ditë vinin tatimet dhe i ishte kthyer në stres.
Po vajza juaj, a kishte folur dje me të në telefon gjatë kohës që ai ishte në punë?
Po ka folur, mesa di unë. Por nuk më ka thënë gjë nëse i ishte dukur i mërzitur apo diçka tjetër, që ta linte të dyshonte për atë që ndodhi më vonë. Nuk dimë asgjë, nuk i dimë arsyet se për çfarë ndodhi e gjithë kjo. Ai nuk ka lënë asgjë për të na treguar pse.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura