Urdhri, shkarkohen të gjithë kryeinfermierët e QSUT-së

Sep 30, 2011 | 10:39
SHPËRNDAJE

Pa asnjë përjashtim. Drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” liron nga detyra të gjithë kryeinfermierët dhe kryelaborantët e spitalit. Bëhet fjalë për 96 persona që kanë këtë pozicion në spital. Prej tyre, 85 kryeinfermierë, 11 laborantë dhe 1 fizioterapist. Burime të sigurta nga QSU-ja konfirmojnë se urdhri nuk është nisur ende në shërbime. Sipas tyre, kjo masë merret për të shmangur korrupsionin e mundshëm në pavijone, pas skandalit të pak ditëve më parë në Spitalin Onkologjik. Ndërkaq, zyrtarisht në urdhër sqarohet se ai është ndërmarrë në kuadrin e riorganizimit të shërbimeve të QSUT. Personeli i ri do të zgjidhet me konkurs. “Lirohen nga detyra të gjithë kryeinfermierët dhe kryelaborantët që kanë kryer deri tani këtë funksion”, thuhet në urdhrin që mban firmën e drejtorit Saimir Ivziku. Sipas tij, shefat e shërbimeve, brenda datës 05.10.2011, duhet të dërgojnë në Drejtori propozimet për komandimin në detyrën e kryeinfermierit-kryelaborantit deri në përfundim të proceduarave. Propozimet duhet t’u dorëzohen zv.drejtorëve të Përgjithshëm sipas shërbimeve në varësi. “Zv.drejtorët e Përgjithshëm të paraqesin te drejtori i Përgjithshëm propozimet për komandim, të ardhura nga shefat e shërbimeve si dhe propozimet për komandimin e kryeinfermierëve-kryelaborantëve sipas shërbimeve që kanë në varësi për: repartet e konsultave, repartet e urgjencave si dhe Bllokun Operator, të cilët nuk kanë varësi të drejtpërdrejtë nga shefat e shërbimeve”, përcakton urdhri. Në të saktësohet se personat e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin përkatës pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në Vazhdim brenda datës 17.10.2011. Të drejtën e konkurrimit e ka çdo punonjës që plotëson kriteret që do të përcaktohen. Këtë të drejtë e ruajnë edhe kryeinfermierët-kryelaborantët aktualë. Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në Vazhdim të marrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjet dhe urdhëresat në fuqi për organizimin e procedurave të përzgjedhjes së kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve të rinj. Ngarkohen zv.drejtorët e Përgjithshëm Teknikë si dhe Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në Vazhdim për zbatimin e këtij urdhri”, thuhet në urdhër.
Vetëm pak ditë më parë, spitali më i madh në vend u përshi në një skandal me ilaçet. Një farmaciste e Spitalit Onkologjik u arrestua nga policia pasi në bashkëpunim me dy mjekë shiste ilaçet e spitalit në farmaci. Prej gati një jave, në të gjitha pavijonet kanë nisur kontrollet dhe pritet që të tjera masa e penalizime të ndërmerren në vijim.

96 kryeinfermiere
dhe kryelaborantë që punojnë në spitalin “Nënë Tereza” do të lënë vendin e punës. Urdhri është lëshuar dje nga drejtoria e QSU

Fenomeni
Përveç mungesave reale të barnave në spital, rastet e korrupsionit të pastër nga personeli i mesëm nuk janë të pakta. Pacientët denoncojnë shpesh që infermierët, në këmbim të shërbimit që e kanë detyrim, marrin para nën dorë. Po kështu, nuk mungojnë edhe lidhjet për trafik medikamentesh nga spitali në farmaci private, ndërkohë që të sëmurëve u thuhet se mungojnë.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura