Letërkëmbimet gjatë luftës 1941-1945, Urdhri i Enver Hoxhës: Dezertorët të pushkatohen

Mar 2, 2015 | 17:56
SHPËRNDAJE

Pushkatime, djegie e plaçkitje. Këta ishin urdhra të vazhdueshëm, që mbanin firmën e Enver Hoxhës, dërguar krerëve të brigadave e batalioneve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një panoramë e zymtë, që flet për gjyqe fiktive, ekzekutime të komandantëve të batalioneve, partizanëve që dezertonin, apo djegie e plaçkitje fshatrash.

Kopertina e librit “Krimet e komunistëve gjatë luftës”

Në librin “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, përgatitur nga Çelo Hoxha dhe botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, janë të shumta urdhrat e këtij lloji që shkëmbeheshin mes krerëve të luftës, përmes letërkëmbimeve, telegrameve e fonogrameve. Në një prej letrave të përfshira në këtë libër, në pranverën e vitit 1944, Enver Hoxha urdhëron djegien e Starovës dhe plaçkitjen e Pogradecit. Starovën e quan një “çerdhe e ndytë” e reaksionit. Hoxha urdhëron arrestimin e bejlerëve dhe djegien e shtëpive të tyre.

Në një tjetër letërkëmbim mes Enver Hoxhës dhe Tuk Jakovës flitet për ekzekutimin e komandantit të batalionit “Reshit Çollaku”, Tele Baçi. Në të, Hoxha urdhëron arrestimin, organizimin e gjyqit dhe pushkatimin e tij. Pra, vendimi ishte marrë qysh para zhvillimit të gjyqit. Në këtë letër është vetë Enver Hoxha që rendit akuzat që duhet t’i bëhen Tele Baçit, madje ai cakton edhe “akuzatorin”, që në këtë rast do të ishte Panajot Plaku. Pas gati 10 ditësh vjen edhe përgjigja e Tuk Jakovës, sipas të cilit urdhri i Partisë ishte vënë në vend. Sipas tij ekzekutimi i Tele Baçit ishte “solucioni” më i mirë për të qetësuar situatën. Po në të njëjtën periudhë, komandanti Enver Hoxha shprehet i shqetësuar për dezertimin e partizanëve ose kalimin e tyre në anën e Ballit Kombëtar. Hoxha urdhëron ekzekutimin dhe djegien e shtëpive të tyre.

“T’aratisurit duhet me një herë ti bëhet thirja duke i caktuar afatin dhe, në rast, se nuk paraqitet, të pushkatohet, po të zihet dhe, në rast se nuk zihet, t’i digjet shtëpija”, urdhëron Hoxha Shtabin e Brigadës VII.

Letërkëmbimet në “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945”

Letër e E. Hoxhës dhe S. Moisiut për Tuk Jakovën (21 mars 1944) 1. Goditja dhe marrja e Pogradecit dhe Starovës. Si kundër që e dini, Starova ka qenë dhe është qendra e reaksionarëve më të fëlliqur të qarkut të Korçës. Bejlerët e Starovës, gati që të gjithë, janë në luftë të hapur me luftën që bën populli i jonë dhe veglat e armikut. Bejlerët e Starovës janë ata që organizuan vjedhjen e kusërin në gjith qarkun e Korçës, janë ata që inkurajojnë dhe ndihmojnë kulishët e tyre ballista që vepronin në Mokër. Me një fjalë, Starova është një çerdhe e ndytë të cilën ne duhet t’a godisim rëndë dhe t’a zhdukim. Nga ana tjetër, Starova është depo e çetave mercenare të Ballit. Që prej andej, këta furnizoheshin dhe transportonin vjedhjet që i bënin popullit. Për të sulmuar Starovën, dhe për të vepruar duke kapur bejlerët dhe duke djegur shtëpit e tyre, është pa tjetër e nevojshme edhe goditja e Pogradecit, ku, përveç sukësesit politik që mund të kemi, mund të furnizojmë me veshmbathje dhe me ushqime forcat e Brigadës. Kundër këtyre dy objektivave duhet pa tjetër të përdoren dy batalione dhe këto të mbarojnë punën brënda 24 orëve ose e shuma 30 orëve, d.m.th. sulmi të jetë i befasishëm dhe veprimet të shpejta. Këto dy qëndra të mos mbahen nga ne përveç në atë kohë që do të na lypet për të kryer veprimet e sipërme. (…) (AQSH, F.41, V.1944, D.52, Fl.3-5) 

Letër e KQ të PKSH për Tuk Jakovën

Më 24 Mars 1944 …

Tele Baçin duhet ta arrestoni, ti bëni gjyq dhe ta pushkatoni. Gjyqi i Brigadës të bëhet i hapët dhe akuza ti bëhen të shëndosha prej një shoku të formuar që kiartë të verë në dukje përpara popullit të gjitha tradhëtitë e tij, dyke filluar që nga manevra e përpara reaksionit, për deklaratën që ka bënë dhe për qëndrimin e tij tradhëtar në kohën e sulmit gjerman, ku nga qëndrimi i tij na i vranë një numër i madh shokësh nga Batalioni i 6 dëshmorëve, etj. Një nga akuzat që do t’i bëni është edhe vrasja prej tij ose prej njerëzve të tij, të atij ballisti që fali Gjyqi i Brigadës si pas dëshirës së popullit. Më para se të egzekutohet, të merren masat e rastit e sidomos në batalionin Reshit Çollaku ku ndodhen të bijt e tij. Të merren masa sigurimi dhe vazhdimi kundër miqve të Teles që ndodhen në Çezmë dhe të kihet kujdes që të goditët pa mëshirë organizmi eventual o ndonjë çete kriminale prej këlyshëve të Teles. Pa humbur kohë, pas egzekutimit të tij të emnohet komandant i batalionit Reshit Çollaku Ziko Kalivaçi. Të këshilloç Komisarin e atij Batalioni, Misto Treskën, që të tregojë gjallëri në punë dhe mos flerë e sidomos pas këtij gjyqi i cili do të shkaktojë një farë lëvizje në Mokër. Pas egzekutimit të tij, të organizoni disa konferenca në popull e në batalionin Reshit Çollaku, për të demaskuar Telen dhe tradhëtit e tij.

Shumë të fala shoqërore

P.S. Pasi ti pregatitni ju akuzat kundër Tele Baçit, dyke u informuar dhe prej Misto Treskës, t’ja dorëzoni shokut Panajot Plakut i cili të jetë akuzatori i Teles në gjyq. (AQSH, F. 14, V. 1944, D. 75, Fl.3)

Përgjigja e Tuk Jakovës për Komitetin Qendror të PKSH-së Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare

Të dashur shokë!

Urdhri i partisë tonë u zbatue në rregull. Dora e drejtsis ra mbi tradhtarin e dallaveraxhinë e poshtër Tele Baçin.

Ky ka qenë solucioni ma i mirë për ti dhanë fund dallavereve në ket krahinë. Me kët masë qi u murë, edhe në ket sektor partija e jonë do ketë respektin nga populli, dhe do dali, ashtu si i ka hije në krye të situatës.

Ka nji kohë me të vërtetë të gjatë qi nuk jemi marrë vesh, por mbasi paskemi për së shpejti mbledhje, do jap ndonjë raport me gojë. Shkurt mund t’ju thom se puna e jonë në Brigadë zhvillohet me nji gjallni dhe nji rithem të pa prerë. Brigada e jonë, përveq luftës së ashpër qi ka ba e ban, dyke mos ju shmangë asajë, asht transformue krejtsisht në nji shkollë të partis t’onë.

Partija e jonë ka nji mbshtetje të sigurtë në Brigadën e I-rë për të zhvillue programin maksimal.

Të fala shoqnore

Tuku

V.F – L.P. 3.4.1944 (AQSH, F. 14, V. 1944, D. 86, Fl.1)

Urdhër i Enver Hoxhës për Shtabin e Brigadës VII (5 prill 1944)

(…) Në raportin e fundit lajmëronit raste arratisjeje partizanësh ose hedhje nga ana e Ballit. Në raste të këtilla duhet marë masa urgjente, si egzekutime dhe djegie shtëpije. Për këto masa duhet të mbani parasysh këto:

a) T’aratisurit duhet me një herë ti bëhet thirja duke i caktuar afatin dhe, në rast, se nuk paraqitet, të pushkatohet, po të zihet dhe, në rast se nuk zihet, t’i digjet shtëpija.

b) Po në këtë mënyrë të veprohet dhe me ata që hidhen me Ballin.

c) Por të mbani parasysh se këto nuk janë masa që mund të përdoren në mastë gjerë. Bile duhet të përdoren shumë rrallë dhe kur ësht e domosdoshme. Ilaçi më i mirë për të evituar arratisjet dhe hedhjen me Ballin ësht mobilizimi vullnetar dhe puna e gjerë politike në brigatë. (AQSH, F.41, V.1944, D.52, Fl.23)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura