“Urdhër që punonjësve t’u mbahet një pjesë e pagës”- Luan Rama: Mos e ndyni solidarësinë si vlerë të shoqërisë shqiptare

Dec 2, 2019 | 17:21
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka akuzuar qeverinë se ka urdhëruar ministritë që t’ju mbahet një pjesë e pagës punonjësve, si kontribut për dëmet e shkaktuara nga tërmeti tragjik që goditi vendin.

Në facebook, Rama kërkon ndaljen e kësaj praktike, ndërsa e cilëson “të shëmtuar”.

luan-rama-701x468-1

“Lërini qytetarët ta shprehin vetë solidarësinë me shpirt e zemër! Solidarësia nuk bëhet me urdhër dhe as me vendime qeverish zoti kryeministër!”- shkruan mes të tjerash nënkryetari i LSI-së.

Postimi i plotë:

Solidarësia si vlerë e shoqërisë shqiptare, jo si detyrim prej qeverisë!

Zoti kryeministër, dikush ka urdhëruar ministritë e qeverisë tuaj që t’ju mbahet një pjesë e pagës punonjësve, si kontribut për zhdukjen e pasojave të tërmetit!

Ndalojeni këtë praktikë të shëmtuar e mos e ndyni solidarësinë si vlerë të shoqërisë shqiptare me urdhëra idiotësh që fyejnë më së shumti ata që u dēmtuan më rëndë nga tërmeti!

Ndër shqiptarët solidarësia është një vlerë thelbësore dhe e qenësishme.

Eshtë institucion që na vjen prej historisë së lashtë si trashëgimi e vyer e shfaqet ndër ne sa herë shpirti shqiptar vihet në provë përballë vështirësish të ndryshme; në fatkeqësi a në luftëra.

Solidarësia nuk ka nevojë për qeveri. As për kryeministër a president nuk ka nevojë.

Sepse është në shpirtin dhe në vetëdijen shqiptare.

E sa herë e ka lypur nevoja, shqiptarët janë bërë bashkë e përkrah njëri-tjetrit, i kanë ndarë bashkë, të keqen dhe të mirën.

Edhe tërmeti i 26 nëntorit dhe rrënojat e plagët e tij e vunë sërish në provë solidarësinë shqiptare, e ajo u shfaq padyshim më e fortë se tërmeti.

Shqiptarisht e bujarisht pranë e bashkë me njëri-tjetrin.

Prej kësaj vlere më së pari na erdhën të parët në ndihmë edhe vëllezërit e Kosovës.

Lërini qytetarët ta shprehin vetë solidarësinë me shpirt e zemër!

Solidarësia nuk bëhet me urdhër dhe as me vendime qeverish zoti kryeministër!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura