Unë, studiuesi që shkrova historinë e Shërbimit Sekret shqiptar

Oct 10, 2012 | 15:28
SHPËRNDAJE
Themi Bare duke folur për “Panorama”

Flet Themi Bare, ish-sekretar i Këshillit Shkencor në Ministrinë e Brendshme.

“Me porosi të Hysni Kapos botova shtatë vëllime për shtatë vjet. Librin e tetë e dogja me urdhër të Hekuran Isait”

(vijon nga numrat e kaluar)

Kur të hapen arkivat sekretë, veç të tjerash, studiuesit do të njihen edhe me monografinë e Sigurimit të Shtetit. Janë shtatë vëllime, përgatitur në harkun e shtatë viteve, që janë koleksionuar aty me siglën “Për përdorim të brendshëm”. Përtej këtij pohimi, Themi Bare, autor i librit, ish-sekretar i Këshillit Shkencor në Ministrinë e Brendshme, rrëfen për “Panorama” rrethanat si i është besuar kjo detyrë nga Hysni Kapo, asokohe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë për organet e diktaturës, vështirësitë në zbardhjen e ngjarjeve misterioze të Policisë Sekrete, ndërhyrjet e Kadri Hazbiut për të shkuar deri në skutën e fundit të operacioneve dhe përplasjeve me bandat e diversantët, faktet e panjohura nga historia e shërbimit të fshehtë e periudhës së monarkisë dhe asaj të pushtimit nazifashist zbuluar rishtas në arkiva, bëmat e padëgjuara të agjentëve potencialë të Policisë Sekrete etj. Ai ka bindjen se “Historia e armës së Sigurimit të Shtetit”, pavarësisht kufizimeve të kohës dhe kontekstit politik në të cilin është botuar, mbetet e vetmja monografi zyrtare së paku për kronologjinë e ngjarjeve kryesore të shërbimit nga dita e krijimit të shtetit deri në vitet ’80. Si e tillë do të ishte më e plotë, shton Bare, po të ishte botuar edhe vëllimi i tetë, dorëshkrimi i të cilit u dogj me urdhër të Hekuran Isait pas gjyqit të Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë të Sigurimit të Shtetit…

Hekuran Pobrati dhe Asim Aliko (mbrapa) gjatë një operacioni special me bandat

Zoti Thimi, kur lindi ideja për të shkruar historikun e Sigurimit?
Për herë të parë, ideja për të hedhur në letër historikun e armës së Sigurimit u bë e njohur aty nga mesi i viteve ’70. Interesimi për të, si gjithnjë për të tilla çështje, vinte nga maja e piramidës politike, ca më tepër për rastin e Shërbimit Sekret, alias “syri” dhe “veshi” i Partisë. Ndodhte kjo kur vendi përjetonte epilogun e tragjedisë së “armiqve” në fushën e kulturës, ekonomisë, ushtrisë, naftës etj. Ishte përzgjedhur ky si një moment i volitshëm për të bërë bilancin e luftës kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm dhe për të ricikluar peshën e Shërbimit Sekret, si institucioni më i rëndësishëm i shtetit shqiptar. Nga ideja te realizimi i saj, projekti kaloi në disa faza…
Si u thirrët ju në këtë projekt dhe kush jua komunikoi detyrën për të drejtuar grupin e punës që do të shkruante historikun e Sigurimit?
Kur më thirrën për të shkruar historikun e armës së Sigurimit, kryeja funksionin e sekretarit të Këshillit Shkencor të Ministrisë së Brendshme. Detyrën ma komunikoi Hysni Kapo. Qendror. Ai mbulonte organet e diktaturës (Ushtrinë, Policinë, Sigurimin, Hetuesinë) në udhëheqjen e Partisë. Me të njihesha më herët. Madje, Kapo qysh në vitin 1961 më kishte kërkuar të shkruaja një biografi të përmbledhur të Sigurimit të Shtetit.
Pra, ju e keni nisur projektin e hartimit të historikut të Sigurimit që në vitin 1961?
Në një farë kuptimi ishte një lloj prove, një test si me thënë. Hysni Kapos i kishte bërë përshtypje një artikull që kisha shkruar me Fiqiri Voglin te “Bashkimi” për provokacionet e gushtit ’49, dhe më lajmëroi me Kadri Hazbiun t’i shkoja në zyrë. Aty, pasi më shprehu konsideratat për shkrimin, më tha se duhej të merresha me historikun e Sigurimit. Më vonë mësova se para këtij takimi Hysni Kapoja kishte pyetur gjerë e gjatë për mua. “Kjo është e pamundur”, ia ktheva, me bindjen se ishte një sipërmarrje e vështirë dhe delikate. “Partia ka bindjen se ti mund ta bësh me sukses”, shtoi ai, duke kujtuar se për këtë çështje ishte shprehur edhe Enveri. Pastaj, duke iu drejtuar Hazbiut, që ishte i pranishëm, e porositi për të më vënë në dispozicion të gjitha arkivat, pa asnjë kufizim. “Patjetër!”, u shpreh ai dhe aty për aty shqiptoi ca fjalë me të cilat siguronte eprorin e vet për përmbushjen me sukses të detyrës.
Desha, s’desha pranova. “Bëj një provë”, tha Kapo. “Do ta bëj”, iu përgjigja dhe ia nisa që të nesërmen. Pas gjashtë muajsh, përfundova pjesën e parë që bënte fjalë për shërbimin informativ gjatë luftës.
Pastaj u rikthyet te Hysni Kapo…
Nuk shkova menjëherë te Hysni Kapo. Kur i dhashë dorën e fundit, mendova që fillimisht ta verifikoja produktin te ndonjë historian i njohur. Trokita për këtë qëllim te Kristo Frashëri. Me profesorin kisha patur lidhje që nga vitet e shkollës, kur jepte mësim në fakultetin tim. Ai e mori me kënaqësi dhe pas disa ditësh ma ktheu me shënimin “E ke shkruar shumë mirë”. “Nota” e tij më dha krahë. Që këtej e çova në shtypshkronjë dhe e botova me titullin “Në vitet e stuhishme”. Kopjet e para ia dhashë Kadri Hazbiut e Hysni Kapos. Kadriu më thirri i pari. “Ke bërë gabim që e ke hedhur në treg publik”, më qortoi ai, duke më kujtuar natyrën e fshehtë të Shërbimit Sekret. Tjetër mendim kishte Hysni Kapo. “E ke shkruar mirë”, u shpreh, duke pohuar se një vlerësim të tillë kishte dhënë edhe Enveri. Që këtej nisi porosia tjetër për të kompletuar një biografi të plotë të armës së Sigurimit, qysh nga themelimi i shtetit e deri në ditët e sotme. Për disa kohë, nuk e di për çfarë arsyesh, projekti u la në harresë. Së paku, nga Komiteti Qendror nuk ndihej më interesimi i parë. Po kështu edhe nga krerët e Ministrisë së Brendshme. Aty nga mesi i viteve ’70 Hysni Kapo u kujtua sërish për të. Këtë radhë, me një ide më solide në kokë…
Si u konceptua struktura e historikut dhe cilat ishin porositë e udhëheqjes politike për mesazhet që duhej të transmetonte ai?
Ideja bazë kishte të bënte me retrospektivën kronologjike të Shërbimit Sekret qysh nga themelimi i shtetit shqiptar. Ky mbetej shqetësimi kryesor i udhëheqjes, që mendonte një histori suksesi, sidomos në pjesën e periudhës së regjimit komunist. Porositë e tjera u përkisnin çështjeve procedurale dhe mënyrës se si do të operohej për të vjelë nga arkivat sekrete informacionet e vlefshme. Përparësi, sipas Hysni Kapos, merrte zbardhja e momenteve kryesore dhe ngjarjeve kulmore të trajtuara në bazë të dokumenteve autentike, memorialëve, vëzhgimeve në vendet e ngjarjeve, kujtimeve të bashkëkohësve etj.
Mbi këtë bazë pastaj përfunduan shtatë vëllimet e historisë?
Në fakt, sipas planit, do të botoheshin tetë vëllime, por projekti u ndërpre me urdhër të Hekuran Isait, ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe. Përfundimisht, në Arkiv u koleksionuan shtatë vëllime me 75 ekzemplarë secili. Dorëshkrimi i të tetit përfundoi në zjarr…
Si e arsyetonte Hekuran Isai urdhrin për të ndërprerë në mes projektin e historisë së Sigurimit?
Unë në këtë rast isha thjesht një zbatues dhe si i tillë nuk mund të pyesja për arsyet e ndërprerjes së projektit. Shumë gjëra munda t’i mësoj nga pozicioni në radhët e strukturave të Ministrisë dhe hulumtimet e asaj periudhe për të zbardhur biografinë e organeve të Sigurimit. Ishte momenti kur kishte rënë dishepulli i Shërbimit Sekret, njeriu që kishte kontribuar si askush tjetër në sukseset e armës, autori i platformës së parë të Sigurimit, ish-kryeministri më jetëgjatë i regjimit, Mehmet Shehu. Kjo, sipas logjikës së atyre që e kishin kryqëzuar, rrëzonte hierarkinë e kontributeve dhe vlerave të Shërbimit Sekret, për të cilën Shehu kishte investuar dekada të tëra. Përfundimisht, jo vetëm nuk duhej vazhduar më tej me retrospektivën e armës së Sigurimit, por duhej të rishiheshin me kujdes edhe shtatë vëllimet e botuara deri atëherë.
A kishte rrethana të tjera, përveç faktorit, “Shehu” që ndikuan në fatin e projektit të nisur?
Në rastin e Mehmet Shehut, më saktë, të kryqëzatës ndaj tij, arma e Sigurimit pësoi tronditjen më të madhe të historisë së vet. Më shumë se profili i Shehut si poliagjent i agjenturave më të mëdha të globit, i stigmatizuar si i tillë nga vetë kreu i regjimit, historinë e Shërbimit Sekret e fuste në qerthullin e metamorfozës vrastare, roli i tij prej dekadash në krye të Sigurimit të Shtetit, fillimisht si ministër dhe më vonë si kreu i Ekzekutivit, që gjithsesi mbetej figura kryesore e tij. Në këto rrethana, vihej në dyshim jo vetëm rrugëtimi i deriatëhershëm, por edhe misioni, lidershipi, sukseset dhe dështimet e Policisë Sekrete. Pati zëra madje që e klasifikonin atë si filial të fshehtë të KGB-së, UDB-së, apo agjenturave të tjera.
E keni fjalën për konsideratat politike?
Patjetër, po jo vetëm për to. Ligjëratat që konsumonte politika asokohe ishin pjesa e dukshme, ajo legale e çështjes. Sakaq, unë kisha mundësinë të njihesha me aspektin e padukshëm të saj,  pjesën ilegale që luhej nën rrogoz, me prapaskena dhe kurthe monstruoze, të futura rishtas në praktikën e Shërbimit të Fshehtë.
Më qartë…
Kur veçoj pjesën e padukshme të mënyrës si operonte Shërbimi i Fshehtë në atë periudhë, kam parasysh degjenerimin e rrjetit agjenturor, që ishte baza kryesore e tij. Ai u fut si një fenomen i nëndheshëm dhe denatyroi karakterin e misionit, duke e kthyer madje në të kundërtën e vet. Mjaft nga krerët e rrjetit të fshehtë, me të cilët bashkëpunoja për çështjen e historikut, shfaqeshin të tronditur dhe përjetonin një gjendje depresioni. Shumë syresh, kur i pyesja, pohonin se ndodheshin në udhëkryq, pasi eprorët u ngarkonin detyra e përgjegjësi në kundërshtim me platformën e miratuar nga Byroja Politike, që ishte “Bibla” e Shërbimit. Tanimë u kërkohej të vëzhgonin e përgjonin krerë të lartë të politikës, ministra e shtetar të rëndësishëm, si dikur kontingjentet e rrezikshme armiqësore. Madje, u kërkohej të gjurmohej Kadri Hazbiu dhe pjesa kryesore e lidershipit të Sigurimit të Shtetit. Ky orientim, në një mënyrë apo në një tjetër, po shkatërronte fondamentet e shërbimit. Tashmë, Sigurimi i Shtetit po shkërmoqej e çoroditej. Nuk dinte kë kontrollonte, se më të besuarit, madje edhe baballarët e tij, kreu i regjimit po i shpallte një nga një agjentë e tradhtarë dhe, si të tillë, arrestoheshin, gjykoheshin e kalonin në gijotinë. Ai dhe shpura e anëtarëve të Byrosë Politike nuk shpërfillnin vetëm Shërbimin e Fshehtë, por edhe gjykatat, organet e Drejtësisë dhe çdo institucion tjetër shtetëror. Shteti u kthye kështu kundra shtetit, duke përgatitur greminën me duart e veta…
Çfarë ndodhi në këtë kohë me pjesën e agjentëve që operonin jashtë shtetit?
Për pjesën më të madhe të tyre, misioni në rrjetin agjenturor këtu mori fund. Ana më dramatike e çështjes kishte të bënte me fatin e jetës së tyre. Për atë çfarë ndodhi konkretisht, nuk e mësova kurrë, sepse nuk ma mundësonte pozicioni i detyrës. Ca më tepër, mënyra si rrodhën situatat pas kësaj, e bënte të pamundur qoftë edhe kërshërinë më të vogël rreth fatit të tyre.
(vijon nesër)

Shërbimi sekret i Monarkisë
Me ardhjen në fuqi, Ahmet Zogu ngriti menjëherë qeverinë me organet e saj dhe shërbimin sekret nga qendra në bazë. Riorganizimi i Shërbimit u ngrit mbi bazën e përvojës së Mbretit kishte nga koha kur ishte ministër i Brendshëm, në dy degë kryesore: zbulimin politik me fushë veprimi jashtë vendit me qendër në fillim pranë qeverisë dhe, më vonë, pranë Pallatit Mbretëror me në krye Hysen Selamin, me rezidencë në përfaqësitë diplomatike e konsullore dhe rrjetin informativ në radhët e kundërshtarëve jashtë vendit dhe kundërzbulimin me qendër në Ministri të Brendshme dhe rrjetin përkatës me rezidencë agjentë, informatorë në prefektura, kryepleqësi në fshatra e në ushtri. Detyra kryesore e Shërbimit ishte zbulimi dhe asgjësimi i kundërshtarëve që tentonin të vepronin brenda ose jashtë vendit kundër pushtetit, regjimit në fuqi. Moto ishte asgjësimi i kundërshtarëve me dorën e vet, duke fshehur gjurmët.

Studim i vitit ’85: Janë zbuluar 45% e agjentëve
“Shumë bashkëpunëtorë na i dekonspirojnë femrat që përgjojnë”
Ajo çfarë ndodhte në armatën e agjentëve të fshehtë të rrjetit sekret, ka qenë “Thembra e Hakilit” e Sigurimit të Shtetit.  Mbarëvajtja e këtij sektori jo rastësisht ishte preokupacioni kryesor i Këshillit Shkencor të Ministrisë së Brendshme. Së paku, pjesa më e madhe e studimeve të udhëhequra nga Themi Bare kishte këtë objekt. Gazeta ka zbuluar njërin prej tyre, ku hidhet dritë në mjaft nga prapësitë e rrjetit sekret. I konceptuar në formën e një studimi analitik, buletini me siglën “Tepër sekret” i autorit Themi Bare, bashkëpunëtor i vjetër shkencor, i datës 4 shtator 1985, me 40 ekzemplarë, fokusohet në përvojën 30-vjeçare të rrjetit të agjentëve të fshehtë, duke zbuluar një mori pa fund të marrëzive të tyre. Njëherazi me parashtrimin e këtyre të fundit në formën e një guide groteske, Bare që ka shfletuar të gjithë dokumentacionin në arkivat e Shërbimit në qendër e në bazë, tërheq vëmendjen e autoriteteve të Shërbimit, duke pohuar se janë dekonspiruar 45 për qind e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Parashtron realitetin e zymtë, duke pohuar faktin e trishtë se janë dekonspiruar 45 për qind e agjentëve të fshehtë. Në rreshtimin e faktorëve që kanë sjellë situatën e padëshiruar në praktikën me bashkëpunëtorët e fshehtë, në studimin e vitit ’85 përmendet njohja e cekët e kontingjentit të rekrutuar, shkelja e normave të punës me rrjetin sekret, mossigurimi i fshehtësisë në takimet informative, përzgjedhja e njerëzve me vese, e sidomos atyre që dallojnë për lidhje me femra të degjeneruara etj. Kronologjia e fakteve që shtjellohen aty, është sa e rëndomtë aq edhe banale, por gjithsesi e vërtetuar zyrtarisht. Kryefjala e studimit të drejtuar nga Thimi Bare “Po na degjenerojnë agjentët e fshehtë”, shprehte realitetin tronditës që përjetonte rrjeti sekret informativ, i mbështetur mbi të dhënat vulgare të një ushtrie amorfe të etiketuar si spiunë. “Ishte ky momenti më çoroditës, shprehet Bare, duke iu referuar kohës kur ka bërë studimin e fundit, ku shërbimi ishte çorientuar totalisht dhe vepronte në boshllëk”. Më tej, shton ai, gjërat rrëshqitën keq e më keq dhe shërbimi që përfaqësonte syrin dhe veshin e shtetit, u kthye në një mekanizëm që shkërmoqi shtetin.

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura