Ulet buxheti, Berisha: Rrisim pagat

Jun 30, 2011 | 10:13
SHPËRNDAJE

Qeveria është futur në dietë, por do të rrisë shpenzimet për pagat dhe pensionet.Duke e quajtur premtim politik dhe jashtë paktit me FMN, Berisha konfirmoi dje se rritja e pensioneve dhe e pagave do të ndodhë që më 1 korrik. Edhe pse qeveria nuk e mori vendimin, burime pranë saj konfirmojnë për gazetën se shtesa e pensioneve të larta do të jetë 4 për qind, ndërsa për fshatin dhe pensionet e ulëta të qytetit do të jetë 7 për qind. Për pagat shtesa mendohet të jetë mesatarisht 5 për qind. “Pas shqyrtimit të të gjithë problematikës buxhetore dhe buxhetit, është vendosur që të rriten rrogat e pensionet, në përputhje me parashikimin. Ne vazhdojmë rritjen me përparësi të rrogave të ulëta, por edhe pagave mesatare, sikundër do të bëhet indeksimi i pagave të larta”, tha dje Berisha. Gjatë fjalës ai paralajmëroi ministrat se shkurtimet e paraqitura nga financat për buxhetin janë të domosdoshme. Bëhet fjalë për uljen me rreth 200 milionë USD të shpenzimeve dhe të të ardhurave në buxhet. Ky shkurtim prek të gjitha zërat e buxhetit, që nga investimet e deri te shpenzimet e vogla të çdo ministrie.

Përplasja me FMN
Kreu i qeverisë theksoi dje se pakti me FMN po funksionon. “Po, ka një këshillë nga FMN dhe kjo është e vërtetë, se ne i kemi transparente marrëdhëniet me të, të ngremë rrogat e pensionet dhe absolutisht është dashamirëse, nuk ka ndonjë qëllim tjetër, veçse dashamirësi. Ka një këshillë për të parë mundësinë, të rrisim nga 10 në 15 për qind taksën e sheshtë. Por, ne mendojmë se çështjet që mund të krijohen, duhet t’i zgjidhim me performancë më të mirë, dhe jo duke rritur taksat për bizneset tona”, theksoi Berisha. Sipas tij, këto janë vetëm këshilla, ndërsa marrëveshja e nënshkruar është për mostejkalimin e borxhit sa 60% e GDP. Edhe pse borxhi nuk është 60 % e GDP, qeveria duket se po shkel të gjitha premtimet dhe po e rrezikon ndjeshëm ekonominë. “Ne nuk kemi deklaruar se do ta ulim borxhin. Ne kemi deklaruar se nuk do ta rrisim borxhin dhe ka qenë 59 për qind, ka qenë 59.4 për qind vjet dhe po kaq do të jetë sivjet “, kështu deklaroi dje Berisha. Por, në vendimin e nëntorit të kaluar qeveria parashikonte ta ulte nivelin e borxhit nga 59.6% në vitin 2009, në 54 për qind të prodhimit në vitin 2013. Ky vendim u korrigjua në shkurt dhe qeveria pranoi se ishte i pamundur realizimi i këtij premtimi dhe parashikoi që borxhi të ulej gradualisht në 58.1 për qind të GDP, deri në vitin 2013. Por, dje, Berisha tregoi një shifër tjetër. Ai tha se borxhi do të qëndronte këtë vit në 59.4 për qind të GDP. Në të dyja parashikimet, borxhi këtë vit duhet të ishte ulur të paktën në 59.2 për qind të GDP.

SHKURT 2011

Ulja e borxhit

Viti 2010
59.4% e GDP
Viti 2011
59.2% e GDP
Viti 2012
58.7% e GDP
Viti 2013
58.1% e GDP
Viti 2014
57.6% e GDP

PS: Berisha nuk dëgjon FMN
Deputeti socialist Arben Ahmetaj akuzoi dje kryeministrin Berisha se po injoron këshillat e FMN-së. “Ashtu si në 1996, Sali Berisha vazhdon të mbyllë veshët e sytë, jo vetëm përballë realitetit të rënduar ekonomik, jo vetëm përballë alarmit që ka ngritur opozita, por edhe përballë këshillave e shqetësimeve të organizmave si FMN. Sali Berisha e ka bërë edhe më parë këtë faj. Në 1996 ai refuzoi të dëgjonte këshillat e FMN për piramidat”, u shpreh Ahmetaj.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura