“Ulen komisionet për transfertat bankare në euro”/ Banka e Shqipërisë finalizon projektin: Ka impakt edhe në nivel ekonomik

Jan 25, 2022 | 7:35
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLILI/ Ulen komisionet për transfertat bankare në euro. Banka e Shqipërisë njoftoi nisjen e funksionimit të sistemit AIPS, përmes të cilit garantohet një shërbim më i shpejt dhe me më pak kosto.

sejko

“Përmbushja e këtij projekti nxit arritjen e objektivit të krijimit të një tregu modern e gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe efikase, si dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të tyre, të aftë financiarisht, në të gjithë vendin. Në ndryshim nga mënyra jo efikase e funksionimit të deritanishëm të tregut nëpërmjet bankave korrespondente jashtë vendit, operimi i sistemit AIPS iu mundëson qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në euro brenda vendit me kosto shumë më të ulët dhe brenda një afati kohor shumë më të shkurtër nga procesi aktual i kryer nëpërmjet bankave korrespondente”, bën me dije Banka e Shqipërisë.

KOMISIONET

Ulja e komisioneve të aplikuara nga bankat për klientët e tyre do të reflektohet jo vetëm si rrjedhojë e eliminimit të cikleve të tejzgjatura të procesimit të pagesave nëpërmjet bankave korrespondente, por në sajë edhe të politikave të Bankës së Shqipërisë të përcaktimit të kufijve mbi komisionet e aplikuara nga bankat për klientët në mënyrë të ngjashme me politikat e komisioneve të zbatuara për pagesat në Lekë. Për pagesat deri në 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara s’mund të jetë më i lartë se 50 euro.

“Vendimmarrja e rregullimit të komisioneve të aplikuara nga bankat synon balancimin e një sërë objektivash strategjikë të Bankës së Shqipërisë, ku përfshihen nxitja e formalizimit të pagesave në Euro, promovimi i një mënyre më efektive për kryerjen e këtyre pagesave, por njëkohësisht duke i dhënë prioritet pagesave në Lekë, të cilat janë më të lira bazuar në vlerat tavan të vendosura nga Banka e Shqipërisë me qëllim mbështetjen e politikave për deeuroizim të pagesave. Në perspektivën strategjike, ulja e komisioneve dhe krijimi i ekonomisë së shkallës është një domosdoshmëri aktuale për tregun shqiptar në kuadër të integrimit në tregjet e Bashkimit Europian. Nevoja për ndërhyrje bëhet edhe më domethënëse në kushtet kur edukimi dhe përfshirja e ulët financiare në Shqipëri kërkojnë përpjekje më afatgjata. Në këtë këndvështrim, masat aktuale do t’i ndihmojnë bankat vendase të kenë një qëndrueshmëri në aktivitetin e tyre pavarësisht konkurrencës së shtuar nga hyrja në tregjet europiane, ku bankat operojnë me komisione shumë të ulëta dhe e garantojnë qëndrueshmërinë e aktivitetit nga ekonomia e shkallës”, thuhet në njoftimin për mediat, ku vihet në dukje po ashtu se ky projekt shoqërohet me një sërë faktorësh që ndikojnë mirëqenien individuale të klientit, të bankës dhe ekonomisë në tërësi. Për vetë faktin që pagesat procesohen brenda vendit, në rast të një pasaktësie në procesimin e pagesës, zgjidhja e problematikës do të jetë shumë më e lehtë krahasuar me procesimin nëpërmjet bankave korrespondente, si dhe do të rregullohet në tërësinë e saj nga kuadri ligjor e rregullator, te prudenciali i mbrojtjes së konsumatorit, i krijuar nga ligji “Për shërbimet e pagesave”.

Gjithashtu, ky projekt ka një impakt të gjerë në nivel ekonomik duke përfshirë mbajtjen në ekonominë vendase të komisioneve të konsiderueshme, të cilat përftoheshin nga bankat korrespondente jashtë vendit, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar dhe atij monetar, duke pasur të gjithë mekanizmat e nevojshëm monitorues për sa i përket këtij segmenti të tregut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura