Ukraina në kaos, Presidenti Janukoviç merr leje “gripi”

Jan 31, 2014 | 13:41
SHPËRNDAJE

Ukraina po zhytet akoma më thellë në kaos, ndërsa aktivistët antiqeveritarë refuzuan propozimin për amnisti nga Parlamenti i vendit dhe Presidenti që la në mes bisedimet me liderët opozitarë, pasi është “me grip”.
 Protestuesit në Kiev e refuzuan amnistinë e miratuar në Parlamentin e Ukrainës të mërkurën, që premtonte të lironte të gjithë aktivistët e burgosur nëse ata tërhiqeshin dhe lironin të gjitha ndërtesat qeveritare që kanë zaptuar deri tani. Gjashtë njerëz kanë humbur jetën në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës në protestat që kanë nisur që në muajin nëntor, pasi Presidenti Viktor Janukoviç refuzoi marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Europian dhe i nënshkroi ato me Rusinë. Protestuesit kanë zaptuar ndërtesat kyçe në disa qytete, kanë ngritur tenda në Sheshin e Pavarësisë dhe kanë vendosur barrikada nëpër rrugë. Ligji i amnistisë, i miratuar në Parlament, kërkonte largimin e protestuesve nga ndërtesat qeveritare, heqjen e barrikadave dhe çadrave, por lejonte protestat paqësore. Amnistia për protestuesit pasoi një sërë propozimesh të tjera të Presidentit Janukoviç, që përfshinin dorëheqjen e qeverisë së Mikola Azarov, ofrimin e postit të Kryeministrit dhe disa ministrive për liderët e partive opozitare, si dhe lirimin nga burgu të të gjithë protestuesve. Por Janukoviç ka refuzuar kërkesat kryesore të protestuesve: dorëheqjen e tij dhe zgjedhjet e parakohshme. Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri kur Janukoviç të ikë nga detyra. Deri tani ai ka refuzuar të lërë postin e të parit të vendit, dhe në këtë pikë kritike kur qeveria ka dhënë dorëheqjen, bisedimet me opozitarët janë në një pikë kritike dhe Kievi është gjysmë i shkatërruar dhe i mbuluar me tym, Presidenti ka marrë leje pasi “është me grip”. Në një deklaratë nga Presidenca, thuhet: “Presidenti është shkëputur disa ditë nga detyra për arsye shëndetësore, pasi ka probleme të rënda me frymëmarrjen, të shoqëruara me temperaturë të lartë”. Nuk pati asnjë sqarim se ku ka ikur apo sa ditë do të qëndrojë larg detyrës Janukoviç. 

Sanksionet
Administratat amerikane po përgatit sanksione financiare që do t’u imponohen zyrtarëve ukrainas dhe liderëve të opozitës në rast se dhuna në këtë vend përshkallëzohet, sipas “Reuters”. Burime të “Reuters” në Kongres thonë se detajet e paketës po diskutohen dhe do të zbatohen menjëherë kundrejt të dyja palëve në Kiev, në rast se ka përshkallëzim të situatës. Në fjalimin e tij vjetor të martën, Presidenti Obama e përmendi Ukrainën duke shprehur mbështetje për principin se të gjithë njerëzit kanë të drejtën e lirisë së shprehjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura