UET, 750 mijë Euro për 500 bursa të plota dhe gjysmëbursa në një vit

Jul 20, 2018 | 12:20
SHPËRNDAJE

Universitetit Europian i Tiranës, që nga themelimi i tij, e ka kthyer sistemin e bursave në një traditë shumë të rëndësishme. Ky sistem ka në vetvete një shumëllojshmëri përfituesish nga të gjitha shtresat sociale, të gjitha profilet e jetës publike dhe vë theksin në promovimin e ekselencës. Qëllimi i këtyre bursave është pikërisht integrimi dhe dhënia e mundësive për studim të gjithë individëve.

Studentë që kanë fituar bursa në UET
Studentë që kanë fituar bursa në UET

Universiteti Europian i Tiranës ka prezantuar politikën e re të bursave. UET, duke filluar nga viti i ri akademik, do të japë në total 500 bursa për studentë të kategorive të ndryshme. Një numër i madh bursash, për të cilat buxheti kap një vlerë prej 750 mijë Eurosh. Bursat janë të kategorive të ndryshme që UET ka ofruar ndër vite, të tilla si, bursa të plota ekselence, gjysmëbursa, bursa talenti, bursa sociale, bursa lidershipi, bursa “Pashko”. Ndërkohë që Universiteti Europian i Tiranës bëhet universiteti i parë privat, i cili do të hapë të gjithë gamën e degëve të shkencave humane dhe sociale, edhe pse shpesh ato janë të vështira në treg për t’u financuar nga përdoruesit.

Për këtë qëllim, ky kontingjent bursash i është dedikuar promovimit të këtyre degëve me anë të bursave apo gjysmëbursave në degë të tilla si: Filozofia, Antropologjia, Sociologjia, Letërsia, Gjuha, Artet, Historia, Studimet religjioze etj., pra, të gjitha degët sokratike. Administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Arbi Agalliu, është shprehur se politika e bursave të UETsë është një iniciativë e madhe që UET ndërmerr në kuadrin e promovimit të të rinjve, të cilët janë të talentuar në fusha të ndryshme, ekselentë në studime ose në pamundësi ekonomike për të vijuar arsimimin e tyre.

“Politika e bursave, na bën të ndjehemi krenarë, që Universiteti Europian i Tiranës nuk e ka vëmendjen vetëm mbi aktivitetin akademik, por mundohet të marrë përsipër një përgjegjësi sociale, që e parë personalisht duket shumë pak, por e parë në pozicionin e institucionit është shumë, mjafton të përmendim buxhetin e parashikuar për këtë iniciativë, që është përafërsisht 750 mijë Euro. Kjo është një shumë e madhe parash, e cila shkon me dëshirën më të madhe për të përkrahur më të talentuarit dhe për të bërë një hap cilësor drejt dijes. Duke i dhënë mundësi edhe atij që është në pamundësi financiare dhe për të përkrahur këdo që ka një talent të caktuar dhe ka një dëshirë për të bërë mirë në këtë shoqëri, ku çdo ditë e më tepër ka nevojë për njerëz të cilët marrin përsipër përgjegjësi sociale”.

Kusht bazë për përfitimin dhe ruajtjen e këtyre bursave është aktivizimi studentor, pjesëmarrja në debate, grupe kërkimore etj., ruajtja e një niveli të caktuar të mesatares sipas degës dhe sipas momentit të hyrjes në sistemin akademik, si dhe kontributi në shërbim të komunitetit të studentëve dhe të institucionit në raport me mënyrën se si studentët marrin pjesë në qeverisjen dhe menaxhimin e institucionit.

Vëllezërit kampionë, fitues të bursës së talentit në UET

Vëllezërit Ramaj me familjen
Vëllezërit Ramaj me familjen

Erison Ramaj është student në Universitetin Europian të Tiranës, për degë Komunikim Dizajn dhe sapo ka përfunduar vitin e tij të parë të studimeve. Ai ka përfituar Bursën e Talentit në UET, për shkak se është 12 herë kampion i Shqipërisë në xhudo. “Unë kam rreth 7 vite që merrem me sportin e xhudos. Kam marrë pjesë në një numër të madh kampionatesh, brenda dhe jashtë vendit dhe jam shpallur 12 herë kampion i Shqipërisë. Në UET aplikova për shkak të cilësisë që ka si institucion arsimor dhe përfitimi i Bursës së Talentit ishte për mua një mundësi e shkëlqyer”, shprehet ai. Edhe Arlindi, vëllai i Erisonit, është gjithashtu student në UET, për degën Shkenca Politike, edhe ai përfitues i Bursës së Talentit, për shkak të angazhimit të tij tejet të suksesshëm në fushën e futbollit. Mamaja e dy vëllezërve të talentuar, Valbona Ramaj, e pranishme në këtë organizim, shprehet se fakti që fëmijët e saj janë të dy fitues të Bursës së Talentit është një kënaqësi e veçantë për të. “Si prind, kam pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme, një ‘medalje’, që dy djemtë e mi, janë bërë pjesë e UET-së si fitues të Bursës së Talentit”.

Civici: Misioni i UET, t’u japim studentëve dijen si armën më të fuqishme

Presidenti i UET, Ardian Civici
Presidenti i UET, Ardian Civici

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Ardian Civici, është shprehur se në Universitetin Europian të Tiranës, bursat kanë një rëndësi të veçantë për shkak të filozofisë që përfaqësojnë. “T’i japësh dikujt një bursë, përveçse pjesës së përgjegjësisë sociale të institucionit, do të thotë që të gjithë shoqërisë shqiptare t’i krijosh një mundësi më shumë për një të ri më të përgatitur, më të ditur, i cili pastaj do t’ia shpërblejë disafish shoqërisë këtë gjë. Nëse ne e realizojmë misionin, që studentëve tanë t’i japim këtë armë kaq të fuqishme, siç është dija, njohuritë dhe gjithë zhvillimi të mbështetet mbi këtë bazë, sigurisht që do jemi një shoqëri shumë më demokratike, shumë më e zhvilluar dhe që do të ecë përpara shumë më shpejt”. UET i jep prioritet shpërndarjes së bursave, në të dyja llojet e saj, edhe ato sociale të cilat kanë për qëllim të kontribuojnë në përfitimin e një arsimimi, edhe për ata individë të cilët vijnë nga shtresa apo kategori të pafavorizuara në aspektin social dhe ekonomik, por njëkohësisht të promovojë të gjithë ata individë të cilët kanë një talent apo japin një kontribut të caktuar për shoqërinë, ose shfaqin arritje të larta akademike. “Besoj që gjatë këtyre viteve kemi gjetur një ekuilibër midis promovimit të dyja kategorive të bursave, edhe për të pasur përmasën e asaj që quhet përgjegjësi sociale, por njëkohësisht edhe për përmasën tjetër ku për dijen dhe për talentin nuk duhet të ketë asnjë kufizim në hapësirat e tij, për tu zhvilluar, për t’u shkolluar dhe për t’u bërë sa më i ditur”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura