U paguan nga biznesmeni për të parë “El Clasicon”/ ILD kërkon shkarkimin e tre gjyqtarëve në Durrës dhe një të Apelit (emrat)

May 12, 2021 | 11:51
SHPËRNDAJE

Kliton-Spahiu-e-Petraq-Dhimitri-dhe-Petrit-Çeno-j

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor shkarkimin nga detyra të tre gjyqtarëve në Durrës, të cilët njihen edhe si gjyqtarët që u paguan nga një biznesmen për të parë “El Clasicon”.

Bëhet fjalë për gjyqtarët Kliton Spahiu, Petrit Ceno dhe Petraq Dhimitri, të cilët u pezulluan nga detyra në vitin 2018, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Panorama” mëson se në shkresën drejtuar KLGJ-së, ILD thekson se tre gjyqtarët duhet të shkarkohen për shkelje të rënda të etikës gjyqësore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “a” të Kushtetutës.

ILD gjithashtu ka kërkuar prej KLGJ-së shkarkimin edhe të gjyqtares së Apelit Evgjeni Sinoimeri, për të cilën ka pasur një ankesë se prej kohësh nuk paraqitej në punë.

HETIMI DHE AKUZA

Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, u hetuan për përfitime të paligjshme për të dhënë një vendim në favor të biznesmenit Namik Sadik, edhe ky nën hetim për të njëjtën çështje.

Rezultoi se gjatë kohës që kishin në gjykim çështjen e biznesmenit, gjyqtarët kanë udhëtuar drejt Italisë, në të njëjtën ditë, orë, destinacion dhe shoqëri ajrore si biznesmeni.

Nga të dhënat e administruara nga sistemi TIMS rezultoi se gjyqtarët dhe biznesmeni kanë udhëtuar dhe janë kthyer dy ditë më vonë, ndërsa biletat janë prerë njëra pas tjetrës tek e njëjta kompani ajrore.

Me argumentin se ky grup përbëhej nga katër persona, Prokuroria ka kërkuar ndihmën e drejtësisë italiane për të marrë në Napoli dëshminë e shtetasit Ferdinando Mollo, i cili ka pranuar se kishte për vizitë në vilën e tij katër persona, dy prej të cilëve nuk i njihte.

Episodi i dytë i Prokurorisë, sërish u referohet udhëtimeve në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën orë me avion i tre gjyqtarëve së bashku me biznesmenin, ndërkohë që biletat janë prerë sërish tek e njëjta kompani udhëtimi dhe përsëri numrat e prerjes janë të njëpasnjëshëm.

Por, për asnjërën prej Gjykatave të Krimeve të Rënda këto fakte nuk janë çmuar si prova për të hedhur dyshime mbi tre gjyqtarët. Nga hetimet, thotë Prokuroria, tre gjyqtarët kanë udhëtuar për të parë ndeshjen e futbollit në Madrid mes Reali dhe Barcelonës.

Sërish Prokuroria i ka kërkuar ndihmë drejtësisë spanjolle për të zbuluar vendin ku janë akomoduar tre gjyqtarët. Drejtësia spanjolle i thotë Prokurorisë se gjyqtarët kanë qëndruar në dhoma dyshe që janë paguar nga këshilltari i ambasadës shqiptare në Spanjë, shtetasi Fatjon Pula me vlerën e 441 euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura