U konfirmua aleanca strategjike

Nov 2, 2012 | 13:06
SHPËRNDAJE

MENTOR NAZARKO

Vizita e sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, është e katërta e një zyrtari kaq të lartë amerikan në historinë e Shqipërisë, dhe në këtë kuptim është një vizitë e rrallë, domethënë historike. Pikërisht për këtë arsye, mesazhet e vizitës së saj duhen përkthyer drejt, në mënyrë që një vizitë kaq e rëndësishme të mos keqkuptohet në qëllimet e saj. E nisim analizën me atë se çfarë përfaqëson zonja e lartë në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët. Hilari Klinton është një politikane me lidhje të rëndësishme me Shqipërinë dhe shqiptarët individualisht dhe familjarisht. Si bashkëshorte e Presidentit Klinton, ajo ka ndjekur krizën e Kosovës që përkoi me një periudhë të veçantë të jetës së saj dhe madje është dekoruar asaj kohe me medaljen e Nënë Terezës. Ajo ka qenë politikania e parë që ka ngritur çështjen çame në Senat në vitin 2002, nën ndikimin e lobit shqiptaro-amerikan, një rekord unik në historinë e një politikani kaq të lartë të SHBAve. Megjithëse është në fund të mandatit të saj si sekretare Shteti, për shkak se ajo do të largohet, pavarësisht kush do të zgjidhet President, ajo mbetet politikane e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, sa kohë që nuk përjashtohet kandidimi i saj si Presidente e SHBA-ve. Madje, megjithëse ngjan paradoksale, shanset e saj që të konfirmohet si Presidente në rast të fitores së republikanit Romnei janë dhe më të mëdha. Me vizitën e saj, zonja Hilari Klinton rikonfirmoi interesin amerikan apo njëlloj patronazhi të nivelit të caktuar mbi Shqipërinë, patronazh që në rastin e anëtarësimit tonë në NATO arriti kulmin. Me një fjalë, zonja Klinton shfaqi interes edhe me vizitën e saj që Shqipëria të respektojë një set standardesh politike, institucionale, që janë normale për një vend anëtar të NATO-s. Pikërisht për shkak të këtyre rrethanave, për shkak të nivelit të lartë të pozitës së saj, shumica e mesazheve publike të zonjës Klinton do të ishin referenciale për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe jo për ndonjë palë politike. Ato do të kishin karakter të përgjithshëm, dhe jo referime për ngjarje të veçanta që kanë ndodhur apo pritet të ndodhin. Shumica e mesazheve, veçanërisht ato që flisnin për Shqipërinë si model në rajon edhe në fusha të tjera veç politikës së jashtme paqësore, pra në fusha në të cilat është problematike, ishin me referenca të përgjithshme. Kujdesi amerikan që Shqipëria të mos rrëshqasë nën ndikimin islamik vihej re në ftesën që vendi ynë të mbetej model për bashkëjetesën fetare. Mesazhi për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pavarësisht termit që përdori ajo – të moderuar për veshë shqiptarësh – “zgjedhje të hapura dhe të balancuara”, ishte një mesazh që vlente qartësisht për qeverinë, ashtu si dhe mesazhi për “muajt kritikë” që ndajnë Shqipërinë nga zgjedhjet.

MESAZHET PROTOKOLLARE – JO NË FAVOR TË BERISHËS

A kishte, ndërkohë, mesazhe jopublike që kanë ndonjë vlerë për palët politike? Deri tani nuk ka mbërritur jehona e mesazheve të tilla, ndaj duhet supozuar që në të fundit vizitë si sekretare e Shtetit në rajon, zonja Klinton nuk duhet të ketë hyrë në hollësira partiake. Në vizitën e ngjeshur në rajon, që nga ekspertët rusë u konsiderua si vizitë e kontrastimit të ndikimit rus që me ardhjen e Nikoliçit në pushtet po ndihet rrezikshëm, zonja Klinton nuk mund të ngarkohej nga vartësit e saj me hollësirat e betejave të përditshme të politikës sonë. Ajo rikonfirmoi aleancën strategjike të SHBA-ve me kombin shqiptar me fjalët që nuk ishin patetike: do jemi bashkë dhe 100 vietet e tjera! Ky ishte pa diskutim mesazhi më i rëndësishëm i kësaj vizite për kombin shqiptar. Por vizita e zonjës Klinton pati një sërë mesazhesh që megjithëse nuk u formuluan verbalisht, shënuan referenca të qarta politike, d.m.th. që mund të përdoren nga palët në Shqipëri. Ato ishin të nënkuptuara nga protokolli i vizitës qoftë me preferencat që u shfaqën, qoftë nga mungesa e disa preferencave të caktuara. Në këtë përzgjedhje të kujdesshme për lartësinë e pozitës dhe emrit të saj, me siguri nuk mund të kishin akses lobistët e përfolur për favore ndaj Kryeministrit Berisha. Ata mund të kenë akses në nivele më të ulëta të administratës amerikane, por jo te zonja Klinton, të paktën në një situatë si kjo, kur lobimi nuk është shumë i justifikueshëm. Ja disa prej mesazheve të nënkuptuara të zonjës Klinton me vizitën e saj. Kjo ishte vizitë vërtet historike dhe kushedi kur do pasohet nga një vizitë e nivelit të saj, por ama, vizitorja duhet të mbante parasysh kohën kur kryhet – afrimin e zgjedhjeve dhe kërcënimin për rrëshqitje të karakterit autoritar në qeverisje. Zonja Klinton vendosi të takonte veç Presidentin e Republikës Nishani, megjithëse për efekt të kohës, dhe për të relaksuar pak udhëtimin e saj shumë të ngjeshur në shirat e Ballkanit, mund t’i kishte takuar bashkë Presidentin e Republikës dhe Kryeministrin, për më shumë që siç provuam më sipër, ajo nuk kishte mesazhe verbale specifike. Ka ndodhur shpesh në rastin e Shqipërisë apo dhe në Kosovë. Por, me preferencën për të takuar Presidentin, zonja Klinton tregoi respekt për institucionet dhe inkurajimin e tyre për t’i qëndruar larg partizimit. Zonja Klinton ka refuzuar të përdoret politikisht nga Kryeministri, i cili megjithatë, u përpoq të tregohej i ngrohtë me përqafimin e tij të sforcuar apo me puthjen elegante në hyrje të qeverisë, duke mos bërë asnjë deklaratë për shtyp me të. Ajo vuri në të njëjtin plan protokollar kreun e opozitës, edhe në funksion njohës, por dhe duke llogaritur tranzicionin eventual të Shqipërisë, e cila duhet të mbetet e ankoruar në orbitën amerikane. Dhe më në fund, protokolli i lozhave të Parlamentit ishte gjithashtu diçka e paimagjinueshme për stilin berishian të të bërit politikë, ku kundërshtarët dhe rivalët e rinj dhe të vjetër nuk kanë asnjë akses, duke u përbaltur apo duke u injoruar sistematikisht. A kishte në këto preferenca protokollare dëshirë për të respektuar palën tjetër me sens barazie, apo dëshirë për të promovuar tranzicionin, kjo mbetet për t’u kuptuar kur të kemi më shumë mesazhe në dorë. Ajo që është e sigurt mbetet fakti se zonja Klinton u afirmua dhe njëherë tjetër si mike e shqiptarëve, dhe jo si mike e qeverisë së radhës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura