U gjet pas më shumë se 100 vitesh e zhdukur, piktura e Gustav Klimt do të dalë në ankand! Vlerësohet deri në 50 milionë euro

Apr 24, 2024 | 9:24
SHPËRNDAJE

Një pikturë e artistit austriak Gustav Klimt që përgjatë 100 viteve të fundit mendohej se kishte humbur do të dalë në ankand në Vjenë.

lost gustav klimt

Ka shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me pikturën e papërfunduar, Portreti i Fraulein Lieser, të cilën Klimt e filloi në 1917, një vit para vdekjes së tij.

Ka edhe debate se kush është gruaja në foto dhe çfarë ka ndodhur me pikturën gjatë epokës naziste.

Vlera e pikturës vlerësohet deri në 50 milionë euro, megjithëse mund të ketë një çmim më të lartë.

Mendohet se vepra përshkruan një nga vajzat e Adolf ose Justus Lieser, të cilët ishin vëllezër nga një familje e pasur industrialistësh hebrenj.

Historianët Thomas Natter dhe Alfred Weidinger thonë se piktura është e Margarethe Constance Lieser, vajzës së Adolf Lieser.

lost gustav klimt

Por shtëpia e ankandit Kinsky në Vjenë, e cila po nxjerr në ankand veprën e artit, sugjeron Gustav Klimt mund të ketë pikturuar gjithashtu një nga dy vajzat e Justus Lieser dhe gruas së tij Henriette.

Henriette, e cila njihej si Lilly, ishte një mbrojtëse e artit modern. Ajo u deportua nga nazistët dhe vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit gjatë Holokaustit.

Vajzat e saj, Helena dhe Annie, të dyja i mbijetuan Luftës së Dytë Botërore.

Shtëpia e ankandeve tha në një deklaratë se fati i saktë i pikturës pas vitit 1925 ishte “i paqartë”. Identiteti i pronarëve aktualë austriakë nuk është bërë publik.

Piktura po shitet në emër të këtyre pronarëve dhe pasardhësve ligjorë të Adolf dhe Henriette Lieser, bazuar në Parimet e Uashingtonit – një marrëveshje ndërkombëtare për kthimin e artit të grabitur nga nazistët tek pasardhësit e njerëzve nga të cilët janë marrë veprat. Arti i Klimt ka marrë shuma të mëdha në ankand në të kaluarën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura