“U diplomuam, por tani kultivojmë shafran. Lamë punët për një udhëtim drejt hiçit”

Apr 9, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Micaela Soldano, 35 vjece, e la punën në bankë. Bashkëshorti i saj Paolo Corda, 31 vjeç, hoqi dorë nga projektet e tij të arkitekturës, megjithëse ishte në rrugë të mirë. Gjetën një hapësirë toke për të kultivuar dhe nisën aktivitetin. Praktikisht, një udhëtim drejt së panjohurës që u rezultoi i mirë.

 

Paolo dhe Mikaela, njëri arkitekt e tjetra menaxhere bankare
Paolo dhe Mikaela, njëri arkitekt e tjetra menaxhere bankare

“Kthehuni të punoni tokën! Ka vend për të gjithë” –Kjo është thirrja e tyre… “Të jesh fermer, nuk do të thotë të bësh një punë poshtëruese: ne jemi të arsimuar, sipërmarrës, jemi në një hap me shoqërinë”. Prej gati shtatë vjetësh, çifti drejton një kompani që prodhon, kultivon dhe shet shafran.

Sot, ata bëjnë atë që kishin ëndërruar prej kohësh: “Guxuam, por ia dolëm”. Micaela dhe Paolo zgjodhën të kultivojnë shafranin e Monferrato-s, një produkt tipik i Piemontes me një kulturë të lashtë, me synimin për të rifituar tregun. Çifti e nis punën në 4 të mëngjesit, të pajisur me elektrik dore dhe doreza, veçanërisht në muajt tetor dhe nëntor, kur fillon mbledhja e luleve.

“I mbledhim me dorë, një nga një. Në 8:00, pastaj, shkojmë në laborator, ku i hapim çdo lule, nxjerrim shafranin, të cilin e vëmë të thahet”. Puna, ndonjëherë, përfundon pothuajse në mesnatë. “Në ato kohë nuk shihet ora – qeshin të dy. Lulja është shumë delikate. Nëse e lëmë edhe një ditë më shumë, rrezikojmë që ajo të kalbet”.

Në pjesën tjetër të vitit, megjithatë, fusha pastrohet, hiqet bari, fije më fije, “çdo gjë në mënyrë rigoroze me dorë, në mënyrë që të mos shkatërrojmë asgjë”. Zgjedhja e tyre nuk u kuptua dhe vlerësua menjëherë nga miqtë dhe familjet. Prindërit, për shembull, është pak të thuash që ishin “të habitur dhe të tronditur”.

“Ata gjithashtu u përpoqën të ndërmjetësonin për këtë temë, duke propozuar kompromise, – shpjegojnë të dy – por ne e kishim marrë vendimin tonë”. Ndërsa miqtë ishin mbështetësit e parë të çiftit. Sot Micaela dhe Paolo jetojnë duke kultivuar dhe shitur shafran vetë. Çdo fazë e procesit kryhet me dorë, pa ndihmën e mjeteve mekanike apo kimike.

Përveç shafranit, prodhojnë reçel luleshtrydhe, manaferre, boronice dhe mirtili. Sot Micaela dhe Paolo kanë një standard ndryshe jetese, por jo më pak dinjitoz. Fusha që kanë nevojë të punohen nuk do të mungojnë dhe bujqësia mund të jetë një mundësi e mirë për shumë njerëz të papunë. “Një këshillë që kemi për të rinjtë është që t’i kthehen tokës. Shumë të moshuar nuk ia dalin dot vetëm. Këtu ka punë për të gjithë,” përfundojnë ata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura