U arrestua si porositës i dy vrasjeve të bujshme në Elbasan, kush është 34 vjeçari. Nga trafiku i 10 mln euro kokainë te…

Sep 18, 2020 | 17:54
SHPËRNDAJE

I arrestuari si porositës i dy vrasjeve të bujshme në Elbasan, përkatësisht të Emiljano Ramazanit e Regis Runajt, ka një të shkuar të pasur kriminale, ndërsa është i përfshirë edhe në trafikun e drogës.

erionalibej

Erion Alibej (Dylgjeri), përfundoi në pranga ditën e sotme i akuzuar si porositësi i vrasjeve të ndodhur gjatë këtij viti.

Erion Alibej është vëllai i Endrit Alibej (Dylgjeri), i cili ishte objektivi i një atentati me armë që përfundoi në masakër ditët e fundit të dhjetorit 2018.

Në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atë natë, mbeti i vrarë edhe xhaxhai i tij, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durnay. Mbi automjetin luksoz “Range Rover-it”, u derdh një breshëri plumbash kallashnikovi.

Ngjarja dyshohej se ishte për larje hesapesh për shkak të prishjes së e pazareve të drogës në Angli apo Holandë.

Erion (Andrea) Alibej, së bashku me vëllain e tij, Endrit Alibej u arrestuan më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”.

Në kuadër të këtij operacioni u goditën në 2013, dy grupe shqiptarësh, i pari me 3 anëtarë që vepronin në Francë dhe pjesa tjetër që vepronte në Itali dhe drejtohej nga vëllezërit Alibej.

Dyshja nga Elbasani administronte një trafik të konsiderueshëm droge të tipit kokainë në territorin e provincës së Astit dhe furnizoheshin me lëndë narkotike nga shqiptari Sajmir Serjani, banues në Torino, i identifikuar si anëtar i një grupi trafikantësh shqiptarë me bazë në Holandë e me depozita kokaine në Torino, Alessandrino e në provincën e Milanos.

Gjatë arrestimit, vëllezërve Alibej u janë gjetur në dy banesat e tyre në Asti rreth 15 kg kokainë e fshehur, ndërsa në total gjatë operacionit me 15 të arrestuar u dokumentua si pjesë e trafikut 31 kg lëndë narkotike me vlerë mbi 10 milionë euro.

Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime si Tarzani, Tino, Ciçio, Bimbo, ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”.

Erion Alibej rezultonte i përfshirë intensivisht në trafikun e drogës. U arrestua në Asti bashkë me dy bashkëpunëtorë në vitin 2012, pasi iu gjet në pronësi 1 kg kokainë.

Prej kohësh, siç shkruanin mediat italiane në 2013, vëllezërit kishin furnizuar një rrjet të gjerë të tregtarëve që veprojnë midis Italisë veriore dhe qendrore, duke përdorur një nga bashkatdhetarët e tyre si kanal furnizimi, pikërisht Saimir Serjanin, banues në Torino në atë kohë, por i stacionuar në Holandë nga ku vinte kokainë.

Në mënyrë që të vepronin të pa shqetësuar, Alibejtë u mbështetën në të ashtuquajturën “zonë gri e krimit”, ndërsa baza e tyre ishte e vendosur në dy shtëpi në Asti, si “baza operacionale” për fshehje, paketim dhe dërgesat e kokainës.

Në veçanti, një grua 29-vjeçare nga Asti, përveç që mbante të gjitha makinat e përdorura nga Alibejtë, të përdorura më vonë për transportin e drogës, punonte si kujdestare e një prej dy shtëpive ku merrej me paketimin dhe dorëzimin e kokainës.

Pika e kthesës, në mbështetje të sistemit hetimor, ndodhi në janar 2012, kur Karabinierët arritën të merrnin informacionin e mbajtur në një fletore me shkrim nga vëllezërit Alibej, ku shënoheshin emrat dhe vendet e banimit të klientëve, pozicionet e borxhit, sasitë e shitura dhe çmimi i drogës për gram (nga 23 € në 32 € për gram). Në të njëjtin kontekst hetimor, u identifikuan edhe konkurentët e grupit kriminal nën shqyrtim: të gjithë shtetas shqiptarë që vepronin në Asti, Alessandria, Udine, Prato, Parma, Brescia, Chiavari (GE), Dalmine (BG), Lavagna (GE) dhe Villanova D ‘ Albenga (SV).

/Panorama/

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura