“U arratis si kriminel lufte dhe vdiq si i tillë”- Ish-Presidenti Mosiu reagon kundër Kadri Cakranit: Përgjegjës për vrasjen e 84 qytetarëve të pafajshëm. Inatet dhe mllefet e….

| 13:00
SHPËRNDAJE

 

Alfred Moisiu-Kadri Cakrani-Spiro MoisiuIsh-Presidenti, Alfred Moisiu ka reaguar për botimin e kujtimeve të Kadri Cakranit, ish-kryekomandantit të forcave të Ballit Kombëtar gjatë Luftës.

Moisiu në një prononcim për Gazetën Dita, ka shprehur indinjatën për përmendjen e emrit të babait të tij, Spiro Moisiu në kujtimet e ish-kryekomandatit të Ballit Kombëtar.

Për Alfred Moisiun, Kadri Cakrani ka qenë bashkëpunëtor i nazistëve, ndërkohë që sipas tij është përgjegjës për vrasjen e 84 qytetarëve në Tiranë.

Ai sipas Moisiut u arratis si kriminel lufte dhe vdiq si i tillë në mërgim,ndërkohë që kujtimet e tij i ka quajtur si mllefe dhe inate ndaj fituesve të Luftës.

“Unë nuk kam nevojë të më tregojë ndokush se kush ka qenë im atë. Aq më tepër kur këtë e bën një kundërshtar politik dhe kolaboracionist me pushtuesit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sepse unë dhe jo vetëm unë, e dimë fare mirë se kush është Kadri Cakrani. E kam jetuar kohën kur ai ka qenë Komandant i forcave të Ballit Kombëtar dhe ka qenë bashkëpunëtor i pushtuesve nazistë. Mjafton të kujtojmë se ai është autor i masakrës së tmerrshme të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, kur u vranë 84 qytetarë të pafajashëm. Përpjekja për ta kthyer këtë kriminel në figurë pozitive është krejt e kotë, qoftë edhe duke botuar disa fragmente kujtimesh të tij pas kaq shumë vjetësh nga ajo luftë. Duket se ka një prapavijë të qartë dhe të organizuar mirë për ta kthyer historinë tonë përmbys…”, thekson Moisiu.

Në vijim, duke u ndalur tek fragmenti i kujtimeve të Kadri Cakranit, të botuar më 27 prill, zoti Moisiu thekson: “Mendoj se duhet sqaruar këtu një problem. Kujtimet e Cakranit janë shkruar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, (nuk e di kur, pasi ai u arratis si kriminel lufte dhe vdiq si i tillë në mërgim) por ajo që është evidente dhe e kapshme nga të gjithë është se në ato gjoja kujtime janë shprehur inatet dhe mllefet e humbësve ndaj atyre që e fituan Luftën në Shqipëri. Për të nxjerrë konkluzione në këto raste, përsa i përket figurave historike si ajo e Spiro Moisiut, gjykoj se duhen shikuar shumë burime dhe jo vetëm se çfarë ka shkruar një person, i kujtdo krahu qoftë, pa le kur ato thuhet se i ka shkruar Kadri Cakrani”.

 Pjesë  të nxjerra  nga libri “KUJTIME”(vëllimi i parë) nga
Alfred Moisiu, botim i vitit 2008 (faqe 21-24)

 Më 14 gusht 1935, u zhvillua kryengritja e Fierit. Atë ditë im atë nuk ndodhej në shtëpi. Ai kishte shkuar me shërbim në Berat. Që në mëngjez herët, u zgjuam nga të shtënat. Dajë Toçi (daja im i vogël), i cili ndodhej tek ne prej disa kohësh, menjëherë shkoi tek porta për të parë se çfarë po ndodhte, ndërkohë dhe unë shkova pas tij. Daja më tha që flitej, se në qendër të qytetit ishte vrarë një gjeneral (bëhej fjalë për gjeneral Gjilardin, me origjinë hungareze, të cilin Zogu pas ardhjes në fuqi e kishte sjellë nga Austria, si këshilltar) dhe se po zhvilloheshin veprime kryengritëse kundër mbretit. Gjithë ditën qëndruam të mbyllur në shtëpi duke u marrë me fqinjët, të cilët njëri pas tjetrit (sipas rregullit të telefonit të prishur) dërgonin njoftime nga më të ndryshmet. Kështu kaloi e gjithë dita. Të nesërmen u mor vesh se trupat kryengritëse, kishin shkuar deri në Lushnje, por atje ishin thyer nga forcat ushtarake të dërguara nga Mbreti.
Pasi u shtyp kryengritja, filluan arrestimet e të dyshuarve. Burgu i Fierit u mbush plot me të arrestuar, të implikuar në veprimet kryengritëse. Interesante ishte se ruajtjen e burgut dhe në tërësi, drejtimin e veprimeve në burg ia ngarkuan ushtrisë, ndërsa babai im, i cili deri në atë kohë kryente detyrën e komandantit të batalionit të këmbësorisë rezervë “Tomorri”, u emërua drejtor i burgut. Në atë kohë ai kishte gradën kapiten i I-rë.
Besimi ndaj ushtrisë u rrit më shumë, për faktin se xhandarmëria e Fierit mori pjesë në kryengritje. Pas procesit gjyqësor, njëmbëdhjetë xhandarë dhe nënoficerë të tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan.
Ajo që vlen të përmendet është se në burg ishin edhe disa shokë të ngushtë të tim eti, të cilët unë i njihja mirë, sepse vinin shpesh në shtëpinë tonë për të luajtur poker deri natën vonë. Njëri nga ata ishte edhe togeri i xhandarmërisë. Përveç tij, ishte edhe Mustafa Kaçaçi, i cili në atë kohë punonte në post-telegrafën e qytetit. Mustafa Kaçaçi ishte një element me prirje të majta. Gjatë kohës së Luftës së Dytë botërore ai u bë eksponent i dëgjuar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, veçanërisht në rrethin e Krujës, prej edhe nga ishte. Mustafai u vra në vitin 1944, në luftimet për çlirimin e Krujës. Bashkë me ta, vinte edhe një tjetër, të cilin nuk mund ta them me saktësi kush ishte, por në rast se nuk gabohem ishte një farmacist.
Im atë tregonte disa histori të çuditshme për ato kohëra. Disa prej tyre i përsëriste edhe më vonë. Kështu, kur përgatisnin për gjyq të arrestuarit, ndodhte që të lidhnin me pranga bashkë me bejlerët edhe ndonjë arixhi ose evgjit, të cilët gjithashtu ishin arrestuar sepse kishin marrë pjesë në kryengritje. Kur familjarët e tyre i shikonin, veçanërisht pasi u ishte dhënë dënimi me vdekje, ngashëronin nga dhimbja. Ata, duke kaluar rrugës të shoqëruar, u thoshin njerëzve të tyre të mos qanin sepse, ishte nder të vdisje duke qënë i lidhur së bashku me një bej! Është e çuditshme, të mendosh se si është e mundur që humori njerëzor edhe në momentet më kritike të jetës së njeriut, jo vetëm qëndron i gjallë, por është edhe inkurajues. Aty shfaqen pikërisht edhe disa ndjenja që tregojnë se njeriu gjithmonë, edhe në rastet më të vështira, gjen forca humori për t’i dhënë kurajo vetes dhe të tjerëve.
Bashkëkohësit tregojnë se Spiro Moisiu me të arrestuarit sillej në mënyrë njerëzore, duke u përpjekur të kryente detyrën e tij shtetërore. Kjo ndodhte jo vetëm për arsye të ndjenjave humane dhe demokrate që e karakterizonin si njeri, por edhe për faktin se im atë kishte mes tyre edhe shokët e tij, me të cilët ndante mendimet përparimtare dhe atdhetare. Mënyra dinjitoze e sjelljes së tim eti ndikoi së tepërmi në qëndrimet dhe veprimet brenda normave etike të oficerëve dhe ushtarëve të tij gjatë ushtrimit të detyrave të caktuara. Kështu në librin e tij “Burgu”, botim i vitit 1935, Haki Stërmilli shkruan: “Ushtarët e gjindarmët ashtu edhe graduatët që janë ngarkue me shërbimin e rojes s’onë, janë skrupulozë në të kryemit e detyrës, por njëkohësisht të njerëzueshëm dhe gjentilë. Urdhnat e eprorëve i venë në zbatim pikë për pikë dhe detyrën e kryejnë pa as ma të voglën mungesë, por gjithmonë tue mbajtë një sjellje fisnike kundrejt nesh.” (faqe-308). Më poshtë po në atë libër thuhet: “Edhe këtu, megjithë që në kthinë mbrenda, na lidhën dy nga dy me kllapa hekuri dhe kështu do të qëndrojmë gjithnji. . . Mbas lutjeve që i bamë aspirant Selim Kërlukut dhe ma vonë kapiten Z. Spiro Moisit na i hoqën kllapat e hekurta që na mbajshin të lidhun dy nga dy. Me këtë mënyrë mbaroi ajo robni e dyfishueme që vazhdoi nja dy orë.” (faqe-317).
Në vitin 1988, kur isha për ngushëllim tek Tahir Minxhozi, me rastin e vdekjes së nënës së tij, më tregoi që Mustafa Kaçaçi, gjatë luftës i kishte thënë se kur ishin të burgosur në burgun e Fierit, gjykata ushtarake kishte dënuar me vdekje 25 vetë. Të gjithë të dënuarit me vdekje mbaheshin në një dhomë të madhe, veç nga të tjerët. Gjatë inspektimit të radhës, Mustafai, me marifet, i thotë Spiros që të krijonte mundësinë për të gjithë që të linin porositë e fundit për të afërmit dhe shokët. Veçanërisht, kishte rëndësi t’u dërgoheshin mesazhe atyre që mundën të shpëtojnë pa u arrestuar dhe gjykuar. Atëhere Spiro Mosiu, krijoi një truk. Thërriti një nga kapterët dhe i tha që një nga të burgosurit, të dërgohej në qelinë e të dënuarve me vdekje. Kapteri iu përgjigj: -“Zoti kapiten, ai nuk e ka vendin aty”. Kapiten Spiro ia ktheu: -“Hajt se e di unë këtë, zbato urdhërin”. Kuptohet që kapteri pas kësaj duhej të zbatonte urdhërin e kapitenit. Personi që u fut në dhomë ishte i besuari i Mustafait dhe të burgosurve tjerë. Pikërisht ai, më vonë mundi të dërgonte mesazhet në vendet e caktuara. Pasi personi në fjalë u la disa orë në qelinë e të dënuarve me vdekje, Spirua shkoi rishtas në qeli dhe kur e pa të burgosurin midis të dënuarve me vdekje dhe pasi mori sinjalin nga Mustafai se gjithshka ishte në rregull, thërriti kapterin dhe me tërsëllimë i tha se çfarë donte ai person në atë qeli?! Pastaj u dha urdhër që menjëherë ta largonin. Kapteri i habitur nga këto veprime e dërgoi të burgosurin në vendin e tij. Në këtë mënyrë u realizua dërgimi i mesazheve jashtë burgut në destinacionet përkatëse. Këtë ngjarje e kisha dëgjuar edhe nga im atë. Më vonë Mbreti Zog, i ndodhur nën presionin ndërkombëtar, i fali të dënuarit me vdekje, duke i zëvendësuar vendimet kapitale me burgime të ndryshme. Nga të dënuarit me vdekje, u ekzekutuan me pushkatim vetëm xhandarët si dhe Hekuran Maneku, i cili u ekzekutua me varje. Ai ishte i pa rëndësishëm dhe nuk krijonte probleme. Në të njëjtën kohë, Mbreti u tregua rigoroz ndaj atyre që ngritën krye kundër shtetit. Të mjerin Hekuran, e lanë gjithë ditën varur në mes të Fierit, në mënyrë që ta shikonin të gjithë. Ishte hera e parë në jetën time që shikoja një të varur. Sigurisht për moshën që kisha, më bëri mjaft përshtypje dhe më erdhi shumë keq për atë njeri.
Çfarë shkruhej në kujtimet e Kadri Cakranit për Spiro Moisiun
Operasjoni kish filluar që në Lushnje dhe Zogu vetë me Musa Jukën ishin në hall dhe për këtë kërkonin lajme ç’do tre orë. Komandant Operasjoni kishin vënë Ali Topallin me kompetenca dhe fuqi pa kufi, bile edhe Kryetar i Gjykatës së Krimeve që u ç’pall në moment. Ata ishin në hall, se mos plaste prapë si plasi dhe duhet të kishin mundësi të merrnin informata nga ne dhe filluan rrahjet me kamxhik të parat.
Ali Topalli ikte vetëm për bukë në drekë, po nuk lëviste nga burgu. Ulërimat në korridorët e burgut të Fierit, që t’i tregonte shërbimin e Tij Ali Topallit, i bënte drejtori Spiro Mojsiu, një i krishterë i devotshëm, që e morën më vonë dhe në Shtab të tyre Komunistët. Ai, si njeriu që kishte çelsat, hynte dhe vetë nëpër biruca dhe të qëllonte që aty, kur ne ishim të lidhur.
Këtë e bënte të dukej, po ata që kishin ardhur nga Tirana j’a ndaluan hovin. I thanë se mund të bënte vetëm punën e komandantit dhe të jepte ndihmë, kur t’i kërkonin ata. Në pamje dukej si i egër, po kur bëhej i urtë para atyre duke i nderuar lepe peqe, e dalloje që ishte shejtan budalla, si thotë populli.
Xhandarët që rrihnin me kamxhik ishin të gjithë nga Tirana me porosi të vetë Musa Jukës dhe dihet, të vetë Mbretit. Xhandarët e Fierit u pushkatuan të parët dhe gardjanët i kishin përjashtuar, se nëpër korridore ishin vetëm këta. N’a linin ditë e natë me hekura nëpër duar dhe nuk n’a i hiqnin, vetëm ato minuta që mund të quhej se hanim bukë. Kur futeshin për të n’a marrë në pyetje, ose për torturë në biruca, hynin nga pesë vetë, apo më shumë që t’i tërhiqnin zvarrë të arrestuarit.
Në pyetje më kishin marrë nja dy herë, po ata i kishin informatat e sakta se si kishja vajtur tek maqina dhe ishja siguruar se ish vrarë Xhenerali apo jo. Më tërhoqi nga duart e lidhura një xhandar nga këta të korridoreve ku do më çonte për torturë a pyetje, dhe duke qënë se e morrëm vesh se do vdisnim, (i pari Bektash Beu,) e tërhoqa me sa fuqi kisha pas vetes.
Ai ra dhe të tjerët që aq donin, u sulën duke qëlluar mua me ç’farë të kishin në duar. Ai që ra u çua dhe po i rridhte gjak nga goja, ndërsa njëri iku dhe erdhi prapë me një dhogë në dorë. U fut në të rrahur dhe ai që e rrëzova në fillim, në këtë kohë që po mblidhesha kruspull nga goditjet, dhe në atë moment u ngrita lart, duke e qëlluar me një shqelm sa kishja fuqi, m’u në gjoks. Ai u plas pas derës prej hekuri të qelisë dhe pasi ra, nuk u ngrit më.
I shtyja sa kishja fuqi duke i rrëzuar, dhe prapë me shqelme xhandarin e parë që erdhi. Pasi më sollën në birucë, këtë herë e deri në fund hekura më vunë dhe tek këmbët. I toruronin të gjithë vetëm Bektash Benë jo, se kujtonin dhe i gënjente mëndja se do të tregonim që ai ishte që kish organizuar atentatin. Këtë e dinin të gjithë, po donin t’a poshtëronin, duke torturuar ne.
Dihet që Ali Topalli, që kishte ardhur posaçërisht për të ekzekutuar atentatorët, dhe torturonte personalisht Jasharin e xhaxhait, Sulo Beut dhe tani e ndjenim që bëmë gabim që lamë atë për atentatin. Nga dhoma e torturës që nuk ishte larg ulërimat i dëgjonim dhe unë i njihja nga zërat e tyrej. Pas disa ditëve torturë, Jashari u vdiq në duar, se e kishin qëlluar fort në kokë, kështu që ata njerës të Mbretit duhet të jenë kënaqur që vdiq. Ata nuk pushkatonin dot neve, se Mallakastra do ishte minë gati sa të ish gjallë Mbreti.
Ali Topalli e kish lidhur Jashar Cakranin për karrige dhe e kishte qëlluar pa pushim me një dërrasë në shpatull. Ai ishte tërbuar nga që Jashari ishte ngritur me gjithë karrige dhe e kish zënë nënë vete Aliun duke e qëlluar me bërryla dhe me kokë në fytyrë. Atëhere u futën dhe dy vetë të tjerë, po si u ngrit ai i hoqi. Mori atë dërrasën dhe po e qëllontë në kokë pa pushim rreth një orë, deri sa i vdiq në duar. Jasharin e kish mbuluar gjaku nga koka më keq se Xhenerali që vrau dhe më pas e nxorrën me një barrelë, që i nxinte vetëm gjysmën e trupit.
Që të mos hiqej zvarrë se mos binte nga vigu, këmbët j’a mbante me mundim një xhandar tjetër, duke u bërë nja pesë vetë, pa të vrarin. Sulo Bej Cakrani vetëm atë djalë kishte dhe ishim gati të vriteshim ne në moment, vetëm Jashari të mos vdiste. E kishin çuar ne spital, që t’a bënin për të vdekur dhe të mbyllej puna e atentatit. Mbreti do të kënaqej.
Sulo Beut iu tha që t’a merrte në shtëpi ashtu të vdekur, e t’a varroste. Ata nuk e lanë, se dilnin përgjegjës dhe kohë më pas i bënë letrat dhe e nxorrën nga burgu. Ata e bënë këtë që të thoshin se e nxorrëm të gjallë, po Jashari binte në coma. Më vonë n’a thanë se kish shpëtuar gjallë e keq dhe Sulo Beu e kish çuar tek doktori këtu për t’a parë. Doktori e pa dhe i tha xhaxhait se ky është edhe i vdekur, edhe i gjallë, ku gjithë ai trup atleti, herë herë mezi dëgjohet zëmra.
E kishin rregulluar të mos tronditej më dhe e kishin hipur në anije pesë vetë me gjithë Sulo Benë. Në Itali i kishin thënë po këtë gjë dhe xhaxhai që m’u dhimbs më shumë se vetja në këtë minutë, qante tek koka e të birit, i gjallë dhe i vdekur”./Gazeta Dita

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.