Turqi, Erdogan: Protestat do të shuhen brenda 24 orëve

Jun 13, 2013 | 14:31
SHPËRNDAJE

Protestat në sheshin “Taksim”
Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, u takua me një grup protestuesish antiqeveritarë pas një nate përplasjesh të dhunshme në sheshin “Taksim” të Stambollit.  Një delegacion prej 11 studentësh, akademikësh dhe artistësh u takuan me Erdoganin, por një pjesë e protestuesve në parkun “Gezi” të Stambollit i refuzuan bisedimet, duke deklaruar se grupi pjesëmarrës ishte përzgjedhur nga qeveria. Kryeministri turk ka deklaruar të mërkurën pasdite se protestat do të mbyllen brenda 24 orësh. “I kam dhënë urdhër ministrit të Brendshëm. Ato do të përfundojnë brenda 24 orësh”, tha Erdogan pas takimit me përfaqësuesit e një prej unioneve. Kryeministri foli, ndërsa përfaqësuesit njoftuan se do të mblidhen sërish në sheshin “Taksim”.
Operacioni i policisë, që zgjati tetë orë, nisi të martën në mbrëmje dhe vazhdoi edhe orët e para të së mërkurës. Protestuesit ishin të vendosur për të ndaluar autoritetet për projektin e qendrës së re të Stambollit, e cila përfshin prerjen e pemëve në parkun “Gezi”. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Erdoganit, duke e akuzuar atë se po imponon pikëpamjet konservatore mbi një komb sekular. Ndërsa Erdogan i ka akuzuar protestuesit se po përpiqen të prishin me dashje imazhin e Turqisë dhe ekonominë e saj. Ai tha në një prej fjalimeve të tij se protestuesit “po përpiqen të parandalojnë lulëzimin e Turqisë dhe po përdoren nga institucionet financiare dhe grupet mediatike për të dëmtuar ekonominë turke”. Rreth pesë mijë veta janë plagosur dhe tre persona kanë humbur jetën në protesta. Sheshi “Taksim” dje në mëngjes ishte pothuajse i boshatisur, pasi buldozerët pastruan mbeturinat e barrikadave.

SHBA
SHBA, që e kanë cilësuar më parë Turqinë e Erdoganit si shembulli i demokracisë myslimane nga e cila mund të përfitojnë edhe vende të tjera islamike në Lindjen e Mesme, kanë shprehur sërish shqetësim mbi ngjarjet e fundit dhe kanë kërkuar dialog mes protestuesve dhe qeverisë. “Ne besojmë se stabiliteti afatgjatë i Turqisë, siguria dhe prosperiteti garantohen më mirë duke ruajtur liritë themelore të shprehjes, tubimeve dhe medias së lirë e të pavarur”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Kejtlin Hejden.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura