Turistët rusë pa viza në Shqipëri, Zelensky kërkesë të qartë Parlamentit shqiptar: Mos i lejoni! Çfarë deklaroi Edi Rama kur u pyet për rishikimin e vendimit

May 3, 2022 | 14:22
SHPËRNDAJE

Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky kërkon që Shqipëria të mos pranojë asnjë turist nga Rusia. Në video mesazhin drejtuar Parlamentit shqiptar në mesditën e 3 majit, u shpreh i qartë në kërkesën e tij: “Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, të kufizoni ardhjen e turistëve rusë”.

Vendimi që favorizon rusët të pushojnë këtë verë në Shqipëri duke hyrë në vendin tonë pa viza ka tërhequr vëmendjen e Ukrainës.

“Kërkoj t’i kufizoni ardhjet e turistëve rusë, sepse nuk mund ta dimë se kush vjen te ju. Ndoshta vrasësit që kanë qenë në Buça apo xhelatët e Mariupolit”, tha Zelensky, duke iu referuar dy qyteteve të Ukrainës, ku forcat ruse dyshohet se kanë kryer krime të rënda.

Kërkesa e Presidentit Zelensky për qeverinë shqiptare, vjen vetëm pak ditë pasi ajo ka miratuar vendimin për hyrjen në vendin tonë të turistëve pa pasur nevojë për viza. Kjo përfshin dhe turistët rusë. Qeveria Rama në vendimin e saj shpjegonte se turistët mund të hyjnë pa vizë për motive turistike në Shqipëri vetëm me pasaportë, për një periudhë të kufizuar nga data 1 maj deri më 30 shtator.

I pyetur pak ditë më parë në një konferencë me gazetarët, nëse do të duhej të rishikohej vendimi për të përjashtuar turistët rusë nga ky favor, Rama e kundërshtoi.

Pyetja që iu bë Ramës: Shqipëria ka lehtësuar procedurat për hyrjen e shtetasve të huaj në Shqipëri mes tyre dhe shtetasve rusë, pra ata mund të futen pa viza mendoni se duhet rishikuar kjo?

Përgjigja e shkurtër e Ramës: Jo, nuk mendoj.

Ndërkohë, pas fjalimit të Zelensky në Parlamentin shqiptar, ish kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat kërkoi me urgjencë anulimin e vizave për turistët rusë si dhe dëbimin e ambasadorit të Moskës nga Tirana.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura