Turistë çekë e gjermanë te “Birra Korça”: Standardet njëlloj si në Pragë

Sep 13, 2018 | 8:55
SHPËRNDAJE

DHORJELA ÇULE/ Një grup turistësh çekë dhe gjermanë vizituan dje fabrikën e “Birra Korça” dhe e krahasuan atë me standardet e fabrikave të ngjashme në Pragë. Udhëtimi i tyre drejt Shqipërisë është ndalur edhe te kjo fabrikë, e cila tashmë është kthyer në një atraksion me karakter ekonomiko-industrial në vend.

Turistët gjermanë dhe çekë, në ambientet e fabrikës dhe të restorantit
Turistët gjermanë dhe çekë, në ambientet e fabrikës dhe të restorantit

Teksa kanë nisur turin e tyre në ambientet e fabrikës ku prodhohet birra e parë shqiptare, turistët janë impresionuar nga investimi dhe standardet me të cilat kjo birrë prodhohet për konsumatorin. Birra Korça nisi prodhimin 90 vite më parë, ndërsa sot vjen me cilësinë maksimale për konsumatorin, çka e bën atë të pakonkurrueshëm.

3

Turistët e huaj, pasi shijuan birrën e sapoprodhuar, më pas u ndalën edhe te “Shtëpia e Birrës Korça”, restoranti ku pihet birrë dhe shijohen gatime tradicionale. Turisti gjerman Jeri Kohout, i cili, siç theksoi, për vite të tëra ka punuar në një bankë të njohur, pas daljes në pension ka vendosur që të ndërmarrë një udhëtim drejt Shqipërisë dhe pjesë të vendeve për t’u eksploruar ka vendosur të jetë edhe fabrika e “Birra Korça”. Jo vetëm se kjo birrë ka një historik gati njëshekullor, sipas tij, por edhe sepse klasifikohet si një prej produkteve më të mira shqiptare.

Bankieri gjerman, Jeri Kohout
Bankieri gjerman, Jeri Kohout

Pse zgjodhët fabrikën e “Birra Korça”?

Unë vij nga Gjermania. Kam punuar për vite të tëra në bankë. Kam ndërmarrë një udhëtim dhe do të vizitoj disa qytete në Shqipëri. Më rekomanduan Korçën, sidomos për fabrikën dhe birrën që prodhohet këtu. Së bashku me grupin e miqve të mi, u organizuam dhe erdhëm.

Sapo vizituat ambientet, keni një koment për këtë fabrikë?

Ka një teknologji të përsosur, ka elemente origjinalë të ndërtesës, ka superprodhim. Duhet marrë parasysh që në vijmë nga dy shtete mjaft të njohura të prodhimit të birrës dhe nuk impresionohemi lehtë. Vizituam të gjitha ambientet, ajo që më bëri përshtypje më tepër është realizimi i analizave laboratorike çdo ditë. Pra, është garancia më e madhe në prodhim dhe sigurisht që nuk e prisja. Këtu prodhohet me ritëm, ka kapacitet shumë të madh dhe me aq sa kuptova konsumi i kësaj birre është i lartë.

Pasi e provuat birrën, si ju duket?

Shumë e mirë! Ka cilësi dhe një njohës i birrës e ka shumë të lehtë të bëjë diferencën mes birrës së mirë dhe një birre të keqe. “Birra Korça”, për mendimin tim, klasifikohet ndër më të mirat që kam provuar. Gjithashtu, dua të ndalem pak edhe te dreka… Është diçka shumë e këndshme që këtu mund të shijosh ushqim tradicional dhe të pish birrën e sapoprodhuar këtu ngjitur në fabrikën e “Birr Korça”. Pra, ti e sheh se ku po prodhohet birra dhe menjëherë sheh gotën tënde të mbushur me birrë.

“Standardet e fabrikës, të njëjta me atë që vizituam në Pragë”

Çifti Jan dhe Rene Vazac
Çifti Jan dhe Rene Vazac

Jan dhe Rene Vazac, pak muaj më parë kanë vizituar një fabrikë të prodhimit të birrës në Pragë, por vizita në fabrikën e “Birra Korça” ka tejkaluar çdo parashikim të tyre. Pasi shijuan “Birra Korça” dhe gatimet tradicionale, ata vlerësuan këtë investim.

“Është mbresëlënëse, prisnim diçka tjetër këtu, por kjo fabrikë është një vlerë e vërtetë. Ne, pak kohë më parë, kemi vizituar një prej fabrikave më të njohura të birrës në Pragë dhe padyshim që kjo është e të njëjtit nivel me të. Shijuam “Birra Korça” dhe është shumë e mirë, sidomos birra e zezë që ka një shije krejtësisht të veçantë. Është fat që të kesh një fabrikë të tillë dhe një birrë të kësaj cilësie në vendin tënd”, u shpreh çifti i bashkëshortëve Jan dhe Rene Vazac.

Edhe turistë të tjerë shprehën mendime mjaft pozitive për “Birra Korça”. Ata theksuan se kishin dëgjuar nga miq të tyre që kanë vizituar më parë Shqipërinë dhe ambientet e kësaj fabrike për cilësinë e kësaj birre. “Kemi dëgjuar nga miqtë tanë. Ata u kthyen me impresione mjaft të mira për Shqipërinë. Ndër të tjera, ata na sugjeruan që të vizitonim edhe këtë fabrikë”, u shpreh një prej turistëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura