Tungjatjeta, mjeshtër Zija Çela!

Mar 25, 2021 | 10:18
SHPËRNDAJE

namik dokle

NAMIK DOKLE

Në një ese të tij, Gabriel Garcia Marquez tregon diçka për Ernest Heminguejin. ”Isha atëherë një gazetar 28-vjeçar, me një novelë të botuar, me një çmim kolumbian, por ende bridhja pa ndonjë drejtim në Paris”, kujton ai.

”Një ditë të pranverës së lagësht të vitit 1957, e pashë tek po kalonte në trotuarin përballë, në drejtim të Kopshtit të Luksemburgut, i veshur me një palë pantallona kauboj, me një këmishë me kuadrate të tipit skocez dhe një kapelë pa strehë.

E vetmja gjë që nuk ngjante si e tij, ishin syzet e rrumbullakëta e të vogla, me skelet metalik, që i jepnin pamjen e një gjyshi plak. Kishte mbushur 59 vjeç dhe ishte jashtëzakonisht i pashëm…”.

Pastaj, ai tregon ndërdyshjen e vet: të turrej për t’i marrë një intervistë apo thjesht të shkonte e t’i shprehte admirimin e tij të pakufishëm? Nuk bëri asnjërën nga këto, por i vuri duart te goja si bori dhe thirri fort: “Mjeshtëëër!”.

Ernest Heminguej e kuptoi që nuk mund të kishte mjeshtër tjetër mes asaj turme studentësh, u kthye, ngriti dorën dhe thirri: “Tungjatjeta, mik!”. “Ishte e vetmja herë në jetë që e pashë atë”, përfundon episodin Markesi.

Ndërsa sot kam në dorë romanin e mjeshtrit të prozës shqipe, Zija Çelës. Dua ta theksoj që ky është romani i kësaj stine dhe jo i fundit, ngaqë e di se kur ai nënshkruan për librin e sapobotuar, mendon ose e ka filluar romanin e ri, sepse Zija Çelës letërsia i rrjedh në gjak.

Kështu shpjegohet që “Lavjerrësi i qytetit” shënon romanin e tij të gjashtëmbëdhjetë. Një trajektore e shkëlqyer e Zija Çelës.

Në një nga romanet e tij ai ka shpallur një trini, jo të shenjtë, por të pakundërshtueshme. Dhe e ka shpallur për të sfiduar pikërisht Z. Çelën. Askush nuk mund t’i ikë asaj trinie: vetes, së vërtetës dhe vdekjes, ka shkruar autori. Çela kurrë nuk i ka ikur vetes.

Gjithçka që ka shkruar, ka dalë nga shpirti i tij, për të na e dhuruar ne. Çela kurrë nuk i ka ikur së vërtetës, përkundrazi, në çdo roman të tij na ka zbuluar shumë të vërteta, të cilat jetonin brenda nesh, por ne nuk e dinim që i kishim aq pranë.

Po Zija Çela ka sfiduar gjithashtu vdekjen, sepse proza e tij mjeshtërore ka kapërcyer tashmë kohën njerëzore të të jetuarit. Dhe këtë jetëgjatësi të mjeshtrit e rrit edhe më shumë romani “Lavjerrësi i qytetit”. Është një parabolë surprizuese dhe një metaforë oruelliane. Edhe në këtë roman të autorit, ashtu si te të mëparshmit, shpërfaqet forca përgjithësuese e metaforës së Zija Çelës.

Realiteti nuk është asnjëherë i mjaftueshëm, thoshte shkrimtari Antonio Tabucchi. Realiteti e ndien veten ngushtë në kornizat klasike të romanit; prandaj Zija Çela e shpërthen atë strukturë dhe e shfaq gjithçka në një reliev tjetërsoj, në një drite zhbiriluese, nganjëherë edhe në një rrjedhë së prapthi.

Dhe kështu, çdo realiteti që rrëfen i vesh artistikisht metaforën, të cilën rrallëkush si ai e krijon. Të tillë janë të gjithë romanet e Zija Celes.

“Lavjerrësi i qytetit” është një bllok i ri mermeri në piramidën e prozës së tij. Janë metafora që të ofrojnë shije dhe drithërimë, vramendje dhe zemërim, brerje ndërgjegjeje, por edhe besim. Edhe ky libër bën pjesë në korpusin romanor, të cilin, me të drejtë, Mehmet Kraja e konsideron si sagën alegorike më të madhe të letërsisë shqipe.

Dhe kështu, Zija Çela ka hapur sallën e kirurgjisë e me një bisturi prej mjeshtri, me humanitetin e shkrimtarit të angazhuar ndaj shoqërisë dhe jo ndaj politikës, me ndjesinë e njeriut që kurrë nuk e ka ndarë veprën nga jeta e tij, na zbulon sëmundjet e shoqërisë sonë dhe na fton për shërim. Që në faqen e dytë të romanit ka një shprehje ulëritëse për shpirtin dhe jetën njerëzore…

”Pse bëheni si kafshë”, është pyetja. Sepse ju po na trajtoni si kafshë, është përgjigjja. Duke i çuar të burgosurit nëpër familjet e qytetarëve, ku do të vuajnë dënimin, praktikisht i gjithë qyteti bëhet burg.

Burgu i dha emrin qytetit Burgas, dhe tashmë ka ardhur koha që të kthejë haraçin, që nga emri Burgas të shkojë te fillesa, të shkojë në origjinë. Jemi në një rreth vicioz, ku të ndershmit bëhen të pandershëm dhe anasjelltas, të burgosurit bëhen të lirë dhe ata që ishin të tillë e bjerrin lirinë e tyre, sponsorët bëhen pronarë dhe të sponsorizuarit shërbëtorë të tyre, të fortët bëhen “fisnikë” dhe fisnikët servilë të tyre, dashuria bëhet pazar dhe pazari teatër, ndërsa të talentuarit trajtohen qençe. Absurdi ka zbritur në tokë, por tashmë është bërë më i natyrshëm se vetë e zakonshmja dhe përditësia jonë. Është një metamorfozë thuajse kafkiane.

Është një tërësi grotesku që përmbushet me ngjarje, situata, personazhe, përplasje groteske të mëdha e të vogla, që nga ajo e këmbimit të të ndershmeve me të pandershmit dhe deri tek ajo skenëza e vogël, ku njëri nga personazhet këndon: “Dhimitricë, moj kurvicë, shëmbe burra me një cicë…”.

A ndoshta me një karficë. Diku në roman, dikush i thotë narratorit të fabulës së librit: “Beso te stili dhe shija jote”. Në të vërtetë, Zija Çela kurrë nuk i ka ikur stilit të vet. Do të doja të veçoja një nga elementet që e gjej në disa nga romanet e tij.

Autori operon me personazhe të panumërt, të cilët, në pamje të parë duken si rastësore, duke thënë një fjali, duke hyrë e dalë në një debat spontan, duke shprehur një dhembkë apo një kujtim, një amanet apo një mallkim. Por nuk janë aspak personazhe rastësore, sepse ata plotësojnë mozaikun që autori ka nisur të krijojë .

Dhe në stilin mozaik, apo në vetë mozaikun si vepër arti, çdo pjesëz është e domosdoshme për të tërën; nëse ajo mungon, edhe vepra bëhet e mangët. Dhe më e rëndësishmja, rezultantja e kësaj mënyrë të shkruari është se në roman, në mesin e aq shumë personazheve, ka edhe një të padukshëm që vëzhgon, mediton, vuan bashkë me ne, që lexojmë dhe lexohemi nga çdo vepër e re e Zija Çelës.

E nisa me Markesin, ngaqë ai konsiderohet si një nga krijuesit e realizmit magjik. I pangjashëm me këtë shkollë shkrimi, do të thosha që Zija Çela ka magjinë e vet, ndoshta atë të postrealizmit magjik.

Ai krijon atë botë paralele, të cilën ne e jetojmë, por nuk dimë që e jetojmë; që e vuajmë, por nuk e dimë se nga na vijnë vuajtjet; që e gëzojmë, por nuk e çajmë kokën për të ditur se kush e kontrollon, madje edhe gëzimin tonë; që jemi të lirë, por vetëm brenda burgut të vetvetes.

Mos kërkoni “fotografimin” standard të përditësisë në romanet e autorit, sepse duke e kërkuar në këtë mënyrë, do të bjerrim vlerat e veprës, madje edhe kryevlerën e saj, që është universaliteti. Përditësia është një mozaik, ndërsa universaliteti është bazamenti i krijimtarisë së Zija Çelës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura