Tubim te Parlamenti kur po kalonte Klinton, 16 ish-të përndjekur në Polici

Nov 2, 2012 | 9:55
SHPËRNDAJE
Shoqërimi i të përndjekurve nga policia

TIRANE – Policia e kryeqytetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë neutralizuar dje tentativën e të përndjekurve politikë për një tubim para Parlamentit në kohën kur aty ndodhej sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton. Policia ka ndërhyrë për largimin e një grupi prej rreth 40 personash, shumica të identifikuar si ish-të përndjekur politikë, që ishin grumbulluar në trotuar para hyrjes së Parlamentit. Tentativa për tubim përfundoi me shoqërimin në Polici të 16 prej tyre. Ky ishte incidenti i vetëm që u regjistrua dje në Tiranë, gjatë kohës që sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton po vizitonte Tiranën. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25, kur ish-të burgosurit, mes tyre edhe ata që morën pjesë në grevën njëmujore të urisë, ishin bërë gati për një tubim, në kohën kur Klinton do të futej në godinën e Parlamentit. Burime nga Policia thanë se ata nuk kishin marrë asnjë leje për të kryer tubimin dhe për këtë arsye janë shoqëruar në Komisariatin Nr.1, nga ku kanë dalë pas rreth 4 orësh. Në kuadër të planit të masave që Policia kishte marrë për mbarëvajtjen e vizitës në kryeqytet të Hilari Klinton, edhe para Parlamentit ka pasur prezencë të madhe të forcave të Policisë. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, nuk janë lejuar grumbullime qytetarësh, në ato raste kur është konstatuar se do krijohet ndonjë problem. Burimet thanë se në rastin e ish-të përndjekurve, të cilët kanë selinë e tyre përballë godinës së Parlamentit, janë konstatuar pankarta që ata i kishin bërë gati për tubimin. Për këtë arsye, duke qenë se tubimi konsiderohej i jashtëligjshëm, 3 automjete policie kanë shoqëruar në rajon 16 prej tyre, duke shpërndarë edhe pjesën tjetër që do të protestonin aty. Nga ana tjetër, kreu i shoqatës së ish-të persekutuarve, Skënder Tufa, ka deklaruar për mediat se ata janë marrë me forcë në Polici dhe se qëllimi i tyre ishte vetëm që të përshëndesnin Hilari Klinton dhe kishin me vete dy parulla, në TV cilat nuk kishte të shkruar asnjë fyerje, por vetëm të drejtat që ata kërkojnë. “Donim t’i uronim mirëseardhjen”, kanë thënë të përndjekurit. Sipas Tufës, shoqërimi në Polici është bërë me dhunë dhe jashtë të gjitha normave nga ana e efektivave të Komisariatit Nr.1. Mes ish-të përndjekurve që u shoqëruan për tubim të paligjshëm, ishin thuajse të gjithë pjesëmarrësit në grevën e urisë që u mbyll disa ditë më parë, si dhe 2 gra, të afërme të tyre.

Të shoqëruarit
.    Skënder Tufa
.    Agim Kollçaku
.    Besim Valteri
.    Fatmir Lamaj
.    Gani Aliaj
.    Vllasi Koçi
.    Afrim Biturku
.    Petrit Shpuza
.    Liço Çalaj
.    Kostandin Gjerdeni

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura