Tropoja dhe Saranda, qytetet binjakëzohen për turizmin

Jun 30, 2014 | 13:22
SHPËRNDAJE

Kryebashkiakët Çipa e Demushi pas nënshkrimit të marrëveshjes
SARANDE – Saranda nuk kërkon veç turistë të huaj, italianë, rusë a gjermanë, por edhe tropojanë. Saranda dhe Tropoja, dy qytetet më skajore të vendit, nënshkruan këto ditë marrëveshje binjakëzimi. Të dy kryetarët, Stefan Çipa i Bashkisë Sarandë dhe Agron Demushi i Bashkisë së Bajram Currit, nënshkruan këtë marrëveshje e cila konsiston në fusha të ndryshme socioekonomike mes dy qyteteve. Për kryebashkiakun Çipa, ky është binjakëzimi i parë që është realizuar ndonjëherë mes dy pushteteve vendore në Shqipëri. Ndërsa Agron Demushi, kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, shprehu emocione të veçanta për këtë marrëveshje. “Ndihem i surprizuar që ne të Bashkisë së Bajram Currit po nënshkruajmë një marrëveshje të tillë. Ka kohë që komuniteti në Tropojë është përgatitur dhe e kanë mirëpritur këtë marrëveshje. Pra unë nuk mund ta quaj rastësi, por një domosdoshmëri, dhe ashtu siç tha edhe kryetari juaj, miku im Stefan Çipa, ne duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, në radhë të parë të japim mesazhin e qartë që binjakëzimi mes dy komuniteteve shqiptare është domosdoshmëri, kjo pasi ne kemi se çfarë t’i japim njëri – tjetrit. Qenia ime si kryetar bashkie i zgjedhur nga PD-ja nuk pengon në përforcimin e binjakëzimit me kryebashkiakun e Sarandës, Stefan Çipa, që është i zgjedhur nga PS-ja”, u shpreh kryebashkiaku Demushi. Sipas tij, komuniteti i Tropojës do ta gjejë veten në Sarandë, te turizmi që të ofron ky qytet me një bregdet të mrekullueshëm. Ai e konsideroi si një perlë që nis nga bregdeti i Jonit në Vlorë për të përfunduar në Sarandë e Ksamil. Në sajë të kësaj marrëveshjeje, pritet një orientim akoma edhe më i madh edhe i qytetarëve të Sarandës për të vizituar Tropojën, zonë që ofron perlën e natyrës së egër të bjeshkëve dhe luginën e Valbonës. sh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura