Tranzicioni që shndërroi Murrashin e “Toka jonë” në Hamlet

May 25, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

E quajtur komedi, por që i qaset më së shumti një tragjikomedie, “Danimarka, toka jonë” është vepra që shtangu shkodranët, para syve të të cilëve u shfaq e kaluara moniste, demokracia e brishtë 25-vjeçare dhe e ardhmja e pa shpresë.DANIMARKA

Një komedi që godet fort për shkatërrimin dhe rënien e lirë 25-vjeçare të shumëçkaje, edhe në Shkodër “kryeqytetin” e papunësisë dhe djepin që pak është rritur, duke mbetur ende si një djalë i vogël. Therëse, goditëse, rrëqethëse, mbresëlënëse, e thellë, e ndjeshme, aktuale dhe tejet domethënëse është “Danimarka, toka jonë”.

Një komedi që publikut i përcjell qartë mesazhin e harresës, rrënimit, mungesës së vizionit për të ardhmen, një mesazh që tronditi shpirtin e gjithsekujt që e pa tek luhej në teatrin “Migjeni”. Një vepër si kambanë alarmi, sjellë në Shkodër nga Stefan Çapaliku. Ngjarjet na kthejnë në vitin 1990, kur në teatrin “Migjeni” do të luhej drama “Tokë jonë” me autor Kolë Jakovën.

Një dramë e realizimit socialist me personazh Tuç Makun që në rol vjen nga Enver Hyseni, i cili ka marrë pronat e Lokes, në rol nga Rita Gjeka dhe ka paguar një person për t’i vrarë bashkëshortin e më pas edhe vetë këtë person. Që në fillim komedia na njeh me drejtoren e teatrit asokohe, një komuniste e paepur që në rol vjen nga Merita Smaja, e cila njeh trupën që do luante dramën “Toka jonë” mbi çdo zhvillim.

Regjisori, në rol nga Jozef Shiroka bashkë me trupën e tij, Filen, në rol nga Kristiana Dodaj, Murrashin, në rol nga Nikolin Ferketa, Lekën, djalin e Lokes, në rol nga Simon Shkreli, Vatën, në rol nga Ergys Bamçi, Metin në rol nga Frederik Fistani, Pllumin që ka një veshje prej miu, vijojnë normalisht provat.

Drama nis me aktin e dytë të saj ku në skenë janë të gjithë aktorët. Publikut i rikujtohet lufta e klasave, se si merreshin pronat fshatarëve apo intrigat e komunistëve. Më tej, kur aktorët teksa bëheshin gati për një tjetër provë dëgjojnë në “Radio Tirana” vendimet e PPSHsë dhe ndër të tjera lejimin e organizatave të tjera politike pluraliste, por sipas ligjeve në fuqi.

Ky lajm shokues gati sa nuk besohet nga aktorët, të cilët ironizojnë dhe sjellin të qeshura në sallë. Drejtorja e teatrit vjen sërish dhe u jep lajmin për vendimin e PPSH-së, por jo vetëm kaq. I bën të ditur regjisorit dhe aktorëve se duhet që tashmë me ardhjen e ditëve pluraliste të gjejnë një formë që të mos çojnë 4 muaj dëm të provave, por të përafrojnë një tjetër vepër që të jetë një zhvillim cilësor i asaj që kishin për të vënë në skenë, “Toka jonë”.

I tërbuar nga ky vendim, regjisori kërkon mendim nga vetë aktorët. Aktorja që luan rolin e Files thotë se duke menduar këtë personazh i kishte ardhur në mendje Ofelia e Hamletit. Regjisori Çapaliku, përmes një gjetjeje gjeniale, përafron dramën “Toka jonë” dhe rolet e saj me tragjedinë e Shekspirit. Dhe kështu vetë aktorët ndajnë rolet dhe Filja bëhet Ofelia, Murrashi bëhet Princ Hamleti, Lokja bëhet Gertruda, Leka-Horati, Vata-Laerti, Meti-Polonius, Tuç Maku-Klaudi dhe Miu-Fantazma.

Në skenën e teatrit “Migjeni” ndërrohen ngjyrat. Mbi dërrasat e vjetra mbizotëron ngjyra e kaltër, çka nënkupton se në 25 vitet e demokracisë, veç fasadave, janë ndërruar dhe plasin batutat mes personazhe të vjetër dhe atyre të rinj teksa Lokja nga katundare bëhet mbretëreshë Gertruda. Teksa personazhet kërkojnë rrobat për tragjedinë e Shekspirit si zhvillim cilësor i dramës “Toka jonë”, në këtë moment një karrocë me mbishkrimin “Djepi i Kulturës”, që futet në skenë është goditja më e fortë që regjisori Çapaliku përçon.

Karroca qëndron aty dhe aktorët të lumtur e nën shoqërinë e muzikës ndërrojnë kostumet për veprën e re. Salla e teatrit hesht në këtë moment edhe pse brenda ndodheshin me dhjetëra përfaqësues politikë edhe nga ata që jo rrallë herë patën në dorë fatet e qytetit, Shkodrës. Jo vetëm fasadat ndërrojnë ngjyrë, por edhe drejtorja e teatrit, e cila nga gruaja serioze komuniste ashtu si koha, vjen në skenë me një veshje trendi e moderne që në ato vite ishte tabu.

Drejtorja thotë se tashmë teatri nuk duhet të mbetet vetëm teatër, por mjediset të kthehen në bingo, bilardo e kazino bashkë me klubet e natës. Teksa regjisori në rol çmendet nga e gjitha kjo, aktorët e braktisin. Hamleti dhe Ofelia që në jetë ishin një çift i ri, marrin rrugën në emigrim pa e ditur se ku. Fraza që sjell heshtje është “buka e gojës mjeshtër, buka e gojës na detyroi”. Horati nis e bën tregti në Malin e Zi, duke kontrabanduar benzinë e naftë dhe merr me vete edhe Laertin, duke i thënë regjisorit se “kemi edhe punë tjera, teatri bën edhe pa ne”.

Dërrasat fillojnë të bien një nga një, kërcitjet e tyre sjellin në kujtesë jo vetëm shkatërrimin e vetë teatrit ndër vite, por edhe të krejt shoqërisë e ndërsa Mbreti Hamlet sheh në teatër një mi të madh, simbol të degradimit. Dhe një pyetje retorike që vjen nga Gertruda: “Frika, a ka ikë frika?!”, merr përgjigjen e Mbretit Hamlet, “Sa e bukur është Danimarka”, mbyllje e cila shpreh ëndërrimet e shqiptarëve dhe dëshirën e madhe të tyre edhe në ditët e sotme për të emigruar dhe për ta lënë Shqipërinë. S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura