Trafikimi i objekteve të artit, në listën e krimeve të rënda

Jul 19, 2011 | 10:53
SHPËRNDAJE
Shtatoret e Apollonit dhe Artemisës, trafikuar në vitin 1991 dhe kthyer nga Greqia 3 vjet më parë

“Trafiku i paligjshëm i veprave të artit të listohet tek krimet e rënda”.Kjo është kërkesa që bëjnë njëzëri organizatat që merren me çështjen e trashëgimisë kulturore, në Shqipëri dhe në gjithë rajonin e Ballkanit. Nisur nga fenomeni në rritje i vjedhjes së veprave të artit me qëllim trafikimin e tyre, rrjeti i organizatave të trashëgimisë së Europës Juglindore, SEE Heritage, u mblodhën në Tiranë për të vënë në pah problematikat që dalin në këtë fushë, si dhe hapat që duhen hedhur për zgjidhjen e tyre. Zyrtarisht numërohen 2200 objekte të humbura, por e vërteta është se numri i këtyre objekteve duhet të jetë shumë më i lartë se kaq. Vetëm muajt e fundit numërohet një numër i konsiderueshëm objektesh të grabitura. Mjafton të përmendim rastin e Muzeut Etnografik të Elbasanit, grabitur një muaj më parë nga persona të paidentifikuar dhe vjedhja e ikonostasit të kishës së “Shën Thanasit”, që të kuptohet se nuk bëhet fjalë për një alarm të rremë të organizatave. Vjedhje institucionesh shtetërore, trafikim objektesh të pakataloguara përtej kufijve, dëmtim monumentesh për të kërkuar thesare, apo qoftë edhe me qëllimin banal për të shitur pjesët metalike si skrap. Kjo është panorama më e fundit në sektorin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Përballë organizatave, në konferencë, u vunë përfaqësues të UNESCO-s, Këshillit të Ministrave, Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Policisë së Shtetit etj., të cilët gjithashtu shprehën shqetësimin mbi këtë çështje, bazuar mbi eksperiencën e tyre të përditshme. Gjatë kësaj konference dyditore u diskutuan një mori çështjesh, që nisnin që me përmirësimin e kuadrit ligjor, tek mbrojtja

Nga takimi i organizatave të trashëgimisë kulturore.

fizike e objekteve të trashëgimisë kulturore, listimi i objekteve të fondeve private apo edukimi publik në lidhje me trafikimin e objekteve të artit. Ka qenë këshilltari i Kryeministrit, arkeologu Neritan Ceka, i cili pasi shprehu shqetësimin mbi këtë çështje, propozoi që edhe trafikimi i objekteve të artit të përfshihet ligjërisht në listën e “krimeve të rënda” e, si rrjedhojë, të vendoseshin edhe sanksionet për të gjithë autorët e akteve të tilla. Vendosja e ndëshkimeve me siguri do të ulte ritmin e grabitjeve dhe trafikimeve. Ndërsa drejtori i Institutit të Monumenteve të kulturës, Apollon Baçe, shtroi edhe një herë çështjen e reformimit të institucioneve të trashëgimisë kulturore, çka do të qartësonte kompetencat e çdo institucioni. “Për shkak të mbivendosjes së kompetencave, në rastin e grabitjes së një objekti të trashëgimisë kulturore, ne nuk dimë ta ndajmë se përgjegjësia e kujt është”, u shpreh Baçe. Tanimë mbivendosja e kompetencave është kthyer në një shqetësim serioz për të gjitha institucionet e linjës. Mungon koordinimi i punës mes tyre, madje edhe mes sektorëve të të njëjtit institucion. Të gjitha këto përplasje zgjasin zinxhirin e burokracive dhe i pasojnë fajin njëra-tjetrës kur punët nuk shkojnë mbarë.
Katalogimi
Në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore numërohen të regjistruara rreth 72 mijë objekte. Sipas specialistëve të fushës, kjo është një shifër e kënaqshme, duke njohur kushtet e vendit tonë. Megjithatë, një numër i

Muzeu Etnografik i Elbasanit, ku një muaj më parë u vodhën një sasi e konsiderueshme objektesh që datonin nga shekulli XIV deri në XVIII.

madh objektesh me vlerë mendohet të jenë të paregjistruara. Është e vështirë të thuhet se sa mund të jetë numri i tyre, meqenëse bëhet fjalë për objekte që ruhen në fondet private të familjeve shqiptare. Mund të jenë objekte, por edhe fotografi të rralla, të cilat kanë vlera historike apo artistike. Pronarët e tyre nuk paraqiten pranë Qendrës së Inventarizimit, edhe pse regjistrimi i pasurive nuk ka asnjë lloj kostoje, por i shërben mbrojtjes dhe ruajtjes së objekteve. Dhe pikërisht këtu është një shteg nga përfitojnë trafikantët e objekteve të artit. Duke qenë një objekt i paregjistruar, pa dokumentet përkatëse, është e vështirë që ai të kapet në pikat kufitare apo Interpoli. Fatkeqësisht, procesi i regjistrimit u është lënë në dorë të lirë vetë pronarëve. Institucionet përkatëse nuk disponojnë infrastrukturën e duhur për të organizuar një sensibilizim masiv që do të nxiste katalogimin e të gjitha objekteve “të lira”. Gjithçka i është lënë në dorë spontanitetit dhe dashamirësisë së mediave, të cilat herë pas here ngrenë problemin e trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore.
Apeli
Në fund të konferencës me temë “Trafiku i paligjshëm i veprave të artit, rasti i Shqipërisë”, ku morën pjesë organizata nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe, sigurisht Shqipëria, përfaqësuar nga Fondacioni Trashëgimia Shqiptare dhe Zyra e Konservimit dhe Zhvillimit të Gjirokastrës (GCDO) nënshkruan një apel publik. Ky apel iu drejtua Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë Së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Drejtësisë, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Institutit të Arkeologjisë dhe Qendrës Së Inventarizimit të Pasurive Kulturore. “Duke marrë në konsideratë rastin e Shqipërisë dhe duke pasur në mendje që sipas UNESCO-s i gjithë rajoni i Europës Juglindore është i prekur nga trafiku ilegal i pasurive kulturore, ne, rrjeti SEE Heritage u bëjmë thirrje qeverive të rajonit të përmirësojnë zbatimin e Konventës së UNESCO-s për “Mjetet e Ndalimit dhe Parandalimit të Importit të Paligjshëm, Eksportit dhe Transferimit të Pronësisë të Pasurive Kulturore (1970). Ne u kërkojmë vendimmarrësve dhe strukturave politike, organizatave dhe instituteve përgjegjëse të zhvillojnë më tej dhe të aplikojnë të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe mjetet ligjore për ta luftuar këtë problem. Duke konsideruar trashëgiminë kulturore si burim me vlera të mëdha në të gjithë rajonin, ne u kërkojmë vendeve të rajonit të rrisin bashkëpunimin në këtë fushë dhe të punojnë së toku për ngritjen e ndërgjegjësimit të publikut në rajon mbi këtë problem”, thuhej në apel.

Kërkesat

Ne, si organizata të rrjetit SEE Heritage, do të donim të tërhiqnim vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse në Shqipëri dhe të rekomandonim:
– Amendimin e ligjit të trashëgimisë kulturore me çështje që lidhen me rritjen e sigurisë dhe monitorimin e siteve kulturore, muzeve dhe galerive.
– Koleksionet private duhet të listohen dhe të mbrohen në rrugë ligjore.
– Trafiku i paligjshëm i veprave të artit duhet të njihet ligjërisht si “krim i rëndë”.
– Rolet dhe përgjegjësitë e institucioneve kryesore duhet të përcaktohen dhe rregullohen në mënyrë të qartë. Kooperimi ndërsektorial duhet të fuqizohet dhe koordinimi midis institucioneve të përmirësohet.
– Baza e të dhënave kombëtare e pasurive kulturore duhet të administrohet nga të gjitha institucionet përgjegjëse, po ashtu si dhe inventarizimi i duhur i tyre duhet të përfshijë të gjitha fushat e kulturës.
– Informacioni mbi objektet kulturore të trafikuara duhet të bëhet publik dhe masat paraprake duhet të përfshijnë instrumente të tilla si vendosja e një telefoni emergjence etj., për të shmangur tregtimin e tyre.
– Autoritetet përgjegjëse duhet të përmirësojnë burimet për trajnimin e nëpunësve të shërbimit civil në çështje të parandalimit dhe luftës kundër trafikut të paligjshëm, si dhe të sigurojnë shkëmbimin e eksperiencës e prezantimin e modeleve të përparuara në këtë drejtim, siç janë shembujt e Italisë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura