Topi: Politika qeverisëse e pamoralshme nuk do tolerohet

Jan 31, 2013 | 11:57
SHPËRNDAJE
Topi në Burrel

Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim në qytetin e Burrelit, ku deklaroi se “politika qeverisëse e pamoralshme nuk mund të tolerohet më. FRD u krijua për t’u kthyer besimin qytetarëve dhe për t’u thënë zotërinjve të PD dhe PS që ju nuk ishit arkitektë të ndryshimeve kushtetuese, por ishit shkatërrimtarë të institucioneve”. Ish-kreu i shtetit tha para simpatizantëve të FRD-së se “populli i Matit po përballet me varfërinë që i ka sjellë shitja e pandershme e minierave, uzinave dhe hidrocentraleve për interes të klaneve të pushtetit dhe jo të matjanëve”. Ai u kujtoi të pranishmëve premtimet e pambajtura të Kryeministrit për Rrugën e Arbrit. Nga Burreli, Topi u bëri thirrje qytetarëve ta largojnë me votë pushtetin e korruptuar, duke shprehur bindjen se 23 qershori do të jetë data e rrotacionit të pashmangshëm politik. Nga ana tjetër, sekretari Organizativ i FRD-së, Sali Shehu, tha dje gjatë takimit se “Në 23 qershor, Burreli, Mati, Dibra kanë nevojë për një përfaqësim ndryshe në Parlamentin shqiptar dhe unë ju siguroj se FRD do të ketë kandidatë dinjitozë”. Para banorëve të Burrelit,Shehu u shpreh se në këtë zonë FRD-ja do të ketë mbështetje dhe përkrahje popullore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura