Topi dekoron 22 të pushkatuarit për bombën e Ambasadës Sovjetike

Feb 26, 2011 | 12:03
SHPËRNDAJE

Presidenti Bamir Topi ka dekoruar dje me urdhrin “Nderi i Kombit” 22 viktimat e regjimit komunist, të cilat u arrestuan dhe më pas u pushkatuan pas bombës së hedhur në Ambasadën Sovjetike në 26 shkurt 1951. Në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë merrnin pjesë familjarë të të pushkatuarve. Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se shoqëria shqiptare duhet të korrigjojë sjelljen e saj ndaj të kaluarës. “Ne krenohemi me aktet e disidencës politike, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të bëjmë akoma më shumë, për njohjen më të madhe të së vërtetës të diktaturës, sado e dhimshme qoftë ajo. Brezat e rinj duhet të kenë hapësirën dhe mundësinë të njohin sakrificat e brezave të mëparshëm, dhe në mënyrë profesionale e faktike gjithçka që lidhet me sistemin që lamë pas dhe trashëgiminë negative të tij. Shteti dhe shoqëria shqiptare duhet të bëjnë akoma më shumë për t’i përjetësuar simbolet e qëndresës, jo me retorikë elektorale, por me veprime konkrete”, u shpreh Topi. Ai u bëri njëkohësisht thirrje forcave politike nga të dyja krahët të gjejnë konsensusin përsa i përket dënimit të krimeve të komunizmit. “Forcat politike në Shqipëri, të majta e të djathta duhet të kenë konsensus të plotë në dënimin e krimeve të komunizmit, në realizimin konkret të kompensimit financiar dhe moral të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, si dhe në një plan më të gjerë, në krijimin e një klime politike e publike në pajtim me ato vlera të larta morale dhe aspirata perëndimore që dëshmoi kjo shtresë fisnike e atdhetare”, vijoi më tej kreu i shtetit. Duke folur për këtë ngjarje, Topi e cilësoi si një nga aktet më të mëdha të asaj kohe. “60 vjet më parë, në Tiranë u arshivua një nga aktet më të mëdha kriminale të regjimit komunist. Përmes një aksioni të programuar politik, me lista të zgjedhura midis emrave më të njohur të elitës intelektuale, pa gjyq të rregullt, pa hetime, pa fakte dhe as dëshmitarë, brenda vetëm disa ditëve regjimi arrestoi dhe ekzekutoi kolektivisht 22 qytetarë të pafajshëm”, tha Presidenti. Motivacioni i dekretit për 22 të vrarët e regjimit komunist 60 vjet më parë është “në shenjë respekti dhe mirënjohjeje të thellë për qëndresën e pashembullt dhe papajtueshmërinë e palëkundur me idetë e regjimit komunist, të cilët shteti diktatorial i dënoi me vdekje për shkak të bindjeve dhe orientimit të tyre demokratik”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura