Topalli dhuron libra dhe lodra për fëmijët e gazetarëve

Dec 30, 2011 | 11:52
SHPËRNDAJE
Topalli me fëmijët në sallën e seancave

Parlamenti i Shqipërisë këto ditë festive mori një pamje të re, ku fëmijët zëvendësuan ligjvënësit dhe kabinetin qeveritar me prezencën e tyre në karriget e sallës së Parlamentit. Gazetarët kësaj radhe nuk ishin në këtë sallë për të ndjekur punimet parlamentare, por pikërisht për të shoqëruar fëmijët e tyre në ambientet e punës së Legjislativit shqiptar. Kjo atmosferë e re dhe krejt ndryshe nga sa jemi mësuar ta shohim Kuvendin, erdhi si një mënyrë ndryshe e festimit të festave të fundvitit nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Këtë vit, kryeparlamentarja zgjodhi që bashku me stafin e Parlamentit të organizonin një festë të gëzueshme nën tingujt e muzikës, duke iu përshtatur moshave të vetë fëmijëve. Këngët e festave dhe këngët për fëmijë e bënë këtë ditë të veçantë për të gjithë ata që festuan në sallën e Parlamentit. Fëmijëve iu shpërndanë libra me përrallat dhe tregimet më të dashura për ta. Madje, vetë kryetarja Topalli u ul pranë tyre duke iu treguar disa përralla, që tërhoqën vëmendjen e fëmijëve. Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit i uroi fëmijët dhe prindërit e tyre që ta kalojnë gëzuar Vitin e Ri. Në fund, kurorëzimi i këtij festimi të veçantë në sallën e Legjislativit shqiptar ishin dhuratat që fëmijët kaq shumë i mirëpresin në ditë festash.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura