Tomi Misha rrëfen dhunën në komisariat: Njëri më mbante duart, tjetri më qëllonte, u dhunova si kafshë

Feb 24, 2015 | 7:25
SHPËRNDAJE

“Policia gënjen, nuk kam reaguar në asnjë moment. Po ta kisha bërë, do të ishin policët në spital, jo unë”. Një ditë pasi është liruar nga prangat dhe ka mundur të qetësohet pas presionit psikologjik që ka pasur për shkak të rrjedhës së ngjarjes, Tomi Misha, 31-vjeçari i cili u dhunua nga policia, ka rrëfyer me detaje momentet e dhunës së ushtruar ndaj tij duke pohuar se tashmë drejtësia ka vepruar. 

Tomi Misha, dje në spital

Vendimi i marrë për përjashtimin nga radhët e policisë për zv.drejtorin dhe dy efektivët nuk i ka sjellë entuziazëm 31- vjeçarit, i cili tashmë përveç vetes, shqetësohet edhe për vëllain e tij të shpallur në kërkim. I riu vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në ambientet spitalit rajonal të Korçës, për shkak të dëmtimeve që ka marrë në shpatull, ndërsa tregon se ai është dhunuar pa shkak dhe gjithçka ia ka lënë në dorë drejtësisë.

Si ndodhi ngjarja?
Isha duke ecur me makinë kur më parakaloi xhipi i zv.drejtorit të policisë dhe ndaloi para meje në mënyrë të befasishme. Menjëherë frenova fort dhe e preka xhipin vetëm te pjesa e gomës rezervë, kur zv.drejtori doli menjëherë nga automjeti dhe nisi të më bërtiste. Normalisht nisa t’i kërkoj falje. Edhe pse automjeti nuk pësoi asnjë gërvishtje, sigurisht që u hutova dhe nuk u ndjeva mirë për atë incident. Ai m’u afrua te makina dhe unë u përpoqa të dal për t’i folur, por ai nuk më la. Nxori telefonin dhe kërkoi forca policie menjëherë. Pastaj mbërritën dy efektivët dhe kërkuan të më shoqërojnë. Unë u thashë se mund të shkoja me automjetin tim në komisariat pas tyre, por ata m’u vërsulën fillimisht me fjalë dhe më tej me grushte. Robert Memelli më tërhoqi shpatullën, teksa tentoi të më nxirrte me dhunë nga makina ndërsa më tej di që jam dhunuar si kafshë.

A kishe konsumuar alkool?
Jo në asnjë moment. Nuk e di nga i gjejnë testet me alkool ata, por unë s’kam konsumuar asnjë gram alkool. Kam qenë i kthjellët dhe mbaj mend çdo goditje që më kanë dhënë, çdo grusht e shkelm, mbaj mend gjithçka, por nuk e di ta them se për çfarë ndodhi kjo gjë. Unë e kisha nisur ditën me bërjen e furnizimit për lokalin dhe jo me të pirë. Nuk kisha vënë asnjë gram alkool në gojë dhe di të them se nuk jam një konsumator alkooli, për më tepër këtë e dinë të gjithë atë që më njohin.

Po në komisariat u ushtrua dhunë mbi ju?
Po, atje më kanë rrahur derisa më bënë për në spital. Kanë hyrë disa herë, më kanë rrahur duke më mbajtur duart njëri e duke më goditur tjetri. Ishte torturë të duroje fjalorin e përdorur prej tyre, fyerjet dhe dhunën. Nuk e di se çfarë më shpëtoi, por këtë ngjarje nuk kam për ta harruar asnjëherë.

Pretendohet se ti ke dhunuar njërin prej efektivëve. Si qëndron e vërteta?
Nëse do kisha goditur njërin prej tyre, qoftë edhe një herë, nuk do të isha këtu ku jam, por thjesht respektova ligjin. Nuk mund të ngrija dorën ndaj dikujt që mban uniformë edhe pse ata e bënë. Ato shenja që kanë nxjerrë sikur i kam bërë unë, në të vërtetë janë falsitete. Nuk e di kush ia bëri policit. I ka bërë për t’u justifikuar, pasi u publikua filmimi.

Largimi i efektivëve nga radhët e policisë jua rrit besimin te shteti?
Nuk dua të flas për këtë pjesë. Unë lashë drejtësinë të veprojë, por ndërsa unë jam këtu, sot vëllai im është shpallur në kërkim. Ishte një sulm që degradoi deri në dëmtime të tilla, jo vetëm fizike, por edhe morale. Dhuna e policëve na solli deri këtu, mua më bënë për në spital, ndërsa vëllai im që hyri për të më hequr nga duart e tyre është në kërkim. Besoj te shteti dhe te strukturat e tij, besoj se uniformën e policisë e veshin edhe njerëz të denjë e të aftë, kaq mund të them.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura