Tmerr në SHBA, superstuhia “Sandy” gjunjëzon 9 shtete

Oct 31, 2012 | 12:52
SHPËRNDAJE
Vendi ku ra vinçi nga ndërtesa 65-katëshe në Nju Jork

Obama deklaroi gjendje katastrofe në dy shtete, miliona veta pa drita.

Stuhia tropikale shkaktoi 38 viktima, peshkaqenët dalin në autostradë.

Kalimi i superstuhisë “Sandy” në Nju Jork do të mbahet mend gjatë. Nju Jorku ishte një nga nëntë shtetet amerikane të goditura nga stuhia tropikale e shkallës së parë, por mori goditjen më të rëndë.  Nju Jork Siti u gdhi i mbuluar nga uji, me miliona banorë pa drita, me rrugë të bllokuara nga pemët e shkulura me gjithë asfalt dhe fasadat e ndërtesave që ishin “shpërfytyruar” nga erërat me shpejtësi më shumë se 140 kilometra në orë. Pamjet ishin të ngjashme me ato të krijuara me skenat e apokalipsit, ku nuk mungonin edhe peshkaqenët përkrah makinave në autostradë apo në oborret e shtëpive në zonat e përmbytura. Presidenti Barak Obama ka deklaruar gjendje katastrofe në Nju Jork dhe Long Ajlënd. Miliona njerëz të brigjeve lindore amerikane u përballën me shtëpi të përmbytura, pemë të rëna dhe shkurtime energjie elektrike, mosfunksionim të sistemit të transportit të metrove dhe një Manhatan pa drita. “Sandy”, një nga stuhitë më të mëdha që ka goditur vendin, nisi në Nju Jork në orën 6:30 të pasdites së të hënës me orën lokale. Stuhia që goditi fort edhe Nju Xhersej, vrau të paktën 38 persona në shtatë shtete, shkurtoi energjinë në më shumë se 7.4 milionë shtëpi dhe biznese nga Karolina në Ohajo, shkaktoi panik në impiantet nukleare (nga mosfunksionimi i sistemeve ftohëse) dhe ndaloi fushatën presidenciale. Dëmet nga stuhia mund të arrijnë deri në 20 miliardë dollarë. Erërat e forta kanë shkaktuar shkëputjen e vinçave të rëndë nga godinat në ndërtim dhe daljen e një tankeri gjigant në tokë. Rreth 15 mijë fluturime janë anuluar të martën. Spitali i Nju Jorkut ka mbetur pa energji, pasi edhe gjeneratorët e tij kanë dalë jashtë funksionit dhe pacientët janë evakuuar. Situata energjetike nuk pritet të përmirësohet shpejt. Ekspertët thonë se do të duhet të paktën një javë për të sistemuar rrjetet elektrike. Stuhia ka goditur një stacion elektrik, i cili ka marrë flakë në Brizi Point, duke djegur rreth 80 shtëpi. Zjarrfikësit kanë shkuar me varka deri afër ndërtesave duke u përpjekur të shpëtojnë banorët dhe kanë punuar me ujin deri në kraharor. Përpjekjet e tyre u quajtën heroike. Më shumë se 190 zjarrfikës morën pjesë në këtë operacion. Në mëngjes pjesa e stacionit elektrik Brizi Point ishte plotësisht e shkrumbuar. Tre impiante nukleare u mbyllën në Nju Jork dhe Nju Xhersi, dhe dy impiante të tjera kanë reduktuar prodhimin e tyre. Mes impianteve të prekura janë “PSEG Nuclear”, i cili mbylli një njësi në Salem në jug të Nju Xhersejt pas problemeve me katër nga gjashtë pompat qarkulluese të ujit. “Entergy Nuclear” mbylli njësinë tre të “Indian Point” në  Nju Jork për shkak të çështjeve të jashtme të rrjetit elektrik. Një problem tjetër i Nju Jorkut tani janë minjtë, të cilët kanë dalë nga kanalizimet për shkak të përmbytjeve dhe rrezikojnë të hyjnë nëpër shtëpi.

Deklaratat e Blumberg, Kristi
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, në një konferencë për shtyp tha se numri i të vdekurve të konfirmuar deri tani nga kalimi i stuhisë ishte dhjetë persona. Por ai paralajmëroi se ky numër mund të rritet. Ai tha gjithashtu se do të duhen në rastin më të mirë tri ditë për të sistemuar sistemin elektrik në shtetin më të goditur nga stuhia dhe se edhe qindra-mijëra njerëz do të mbeten pa energji elektrike. Ndërsa guvernatori i Nju Xhersit, Kris Kristi, tha se ky shtet ishte goditur më keq se çdo shtet tjetër dhe se rimëkëmbja e plotë e tij do të merrte me shumë se tetë ditët që u deshën në rastin e stuhisë tropikale “Irene”. “Nuk kam fjalë për të shpjeguar atë që kanë kaluar banorët e Nju Xhersit gjatë 24 orëve të fundit dhe me çfarë duhet të përballemi në ditët, javët e muajt në vazhdim”, tha Kristi në një konferencë shtypi nga Qendra e Shërbimeve Rajonale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura