Tiranë, RENEA kap të shumëkërkuarin

Jul 31, 2011 | 14:34
SHPËRNDAJE

Një person i shumëkërkuar, për shkak të dënimit për “vrasje të mbetur në tentativë” dhe “mashtrim”, u arrestua nga forcat speciale RENEA gjatë një aksioni të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë. Efektivat e repartit të forcave speciale RENEA kanë vënë në pranga shtetasin në kërkim Ardian Laver Bregasi, 34 vjeç, lindur në Shkodër e banues në Tiranë, i kërkuar për shkak të dënimit me 11 vjet burg me akuzën e “tentativës së vrasjes” ndaj një oficeri të forcave speciale në vitin 2008, në Tiranë. Zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, konfirmoi, dje arrestimin, ndërsa në një deklaratë të policisë thuhet se ky shtetas ishte person i shumë kërkuar, pasi është i dënuar me 11 vjet burgim për veprën penale të “vrasje e mbetur në tentativë” ndaj policit special Arta Metuku, me të cilin ka pasur konflikt në vitin 2008. Më konkretisht, shpallja në kërkim e të arrestuarit ishte bërë më 22 prill 2009, kur Gjykata e Rrethit Gjyqësorë Tiranë e ka dënuar Ardian Bregasin me 11 vjet burgim, duke e akuzuar për veprat penale të “vrasje e mbetur në tentativë” si dhe “armëmbajtje pa leje”. Mbrëmjen e së shtunës, një informacion i marrë në rrugë operative ka shërbyer për lokalizimin e të kërkuarit. Për shkak të profilit të tij kriminal, duke qenë se pritej një reagim i mundshëm me armë i të kërkuarit, aksioni i është besuar repartit të forcave speciale RENEA. Forcat e këtij reparti kanë rrethuar zonën ku u arrit lokalizimi dhe kapja e të kërkuarit në një banesë në rrugën “Don Bosko”, pranë shkollës “Qazim Turdiu”, në Tiranë. AKUZA E RE PËR ARMËT Pasi i kanë vënë prangat në duar të kërkuarit, efektivat e RENEA-s ia kanë “dorëzuar” vendin e ngjarjes policisë gjyqësore. Hetuesit kanë kryer kontroll në banesën ku strehohej i kërkuari, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë: një automatik kallashnikov me 52 copë krehra, si dhe një pistoletë tip “Zastava” me silenciator me 7 copë fishekë. Veç akuzave të deritanishme ndaj Ardian Bregasit, policia ka resuar tashmë një dosje të re ndaj tij në Prokurori me akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”. DËNIMI PËR TENTATIVË VRASJEJE Në vitin 2009, Gjykata e Tiranës e dënoi me 11 vjet burg për “tentativë vrasje” të arrestuarin nga RENEA. Sipas vendimit të gjykatës, në momentin e gjykimit, Ardian Bregasi ishte banor i Tiranës, ndaj tij ishte vendosur masa e sigurisë “arrest me burg në mungesë”, pasi ai i fshihej policisë. Në vendimin e gjykatës, ngjarja shpjegohet si më poshtë: Më datën 28.09.2008, në rr. “Babë Rexha”, rreth orës 19:00, është tentuar të vritet me anë të një arme luftarake tip “Kallashnikov” shtetasi Artan Metuku, me banim në qytetin e Tiranës dhe polic pranë forcave speciale FNSH Tiranë. Ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një grindjeje të çastit ndërmjet shtetasve Ardian Bregasi, Erlis Belba dhe Artan Metuku. Shtetasi Artan Metuku, i cili është me cilësinë e të dëmtuarit ditën e ngjarjes rreth orës 17.00-17.30, ka qenë në lokalin “Mirlind” që ndodhet në rr. “Babë Rexha” me shtetasit Naim Ruci dhe Sokol Shuka. Ndërkohë, jashtë lokalit kanë parë shtetasin Erlis Belba, së bashku me një shoqen e tij, që kanë filluar të debatojnë dhe më pas shtetasi Erlis Belba po e godiste këtë shtetase. Duke parë këto veprime, shtetasit Artan Metuku dhe Naim Ruci kanë shkuar afër tyre dhe i kanë pyetur shtetasit e mësipërm nëse kishin ndonjë problem. Pas sqarimit, të dyja palët janë larguar që aty. Më pas, shtetasi Erlis Belba është takuar me të pandehurin Ardian Bregasi dhe e vuri në dijeni të sherrit që kishte ndodhur me të njohurën e tij dhe konfliktin me shtetasin Artan Metuku. Kur po ktheheshin në banesat e tyre, Ardian Bregasi dhe shtetasi Erlis Belba kanë shkuar më parë tek lokali “Mirlind” ku ishin akoma në kafe shtetasit Artan Metuku, Naim Ruci dhe Krenar Terpollari. Mes këtyre personave ka nisur një grindje në fillim me fjalë dhe më pas duke u goditur me grushte. Pas këtij momenti, shtetasi Ardian Bregasi është drejtuar në banesën e tij, e cila ndodhej përballë dhe pas tij ka shkuar edhe shtetasi Erlis Belba. Pas disa momentesh, ka dalë nga banesa e tij shtetasi Ardian Bregasi duke mbajtur në dorë një arme automatik që e mbante pa leje të organeve kompetente dhe ka filluar të qëllojë në drejtim të shtetasit Artan Metuku. Më pas ka dalë shtetasi Erlis Belba. Si pasojë e të shtënave me armë ka mbetur i plagosur shtetasi Artan Metuku. Pas kësaj ngjarjeje, i pandehuri Ardian Bregasi dhe shtetasi Erlis Belba janë larguar së bashku me armën e krimit, të cilën i pandehuri e ka hedhur pas disa metrash rrugë dhe vetë është larguar duke iu fshehur organeve të drejtësisë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Tiranës.

Bregasi u dënua për “mashtrim” me vizat franceze

Tentativa për vrasjen e oficerit të forcave speciale nuk është precedenti i vetëm i të arrestuarit nga forcat speciale të RENEA-s. Më 23 mars 2006, Ardian Bregasi është dënuar nga Gjykata e Tiranës me akuzën e “mashtrimit” në dëm të disa personave dhe “falsifikim dokumentesh”. Sipas akuzës së bërë në atë kohë, shtetasi Ardian Bregasi u ka premtuar nxjerrjen e vizave franceze në Ambasadën e këtij vendi në Tiranë dhjetë personave, duke kërkuar 2700 euro nga secili prej tyre. Të dëmtuarit nga një fshat i Lezhës mësohet se i kanë dorëzuar dhjetë pasaporta të dënuarit, i cili ka kërkuar 27 mijë euro për t’u nxjerrë të  gjithëve viza në Ambasadën Franceze në Tiranë. Pas disa ditësh, i akuzuari ka kthyer gjashtë pasaporta me viza franceze dhe, pasi ka marrë 27 mijë eurot, ka kërkuar edhe disa ditë kohë për nxjerrjen e vizave të tjera që kishte premtuar. Me të mbaruar afati, i dënuari u ka kërkuar të dëmtuarve që të mos udhëtonin për në Francë, pasi agjencia ishte mbyllur. Madje, ai ka kërkuar edhe kthimin e 6 pasaportave të para që kishte dorëzuar, duke vënë si kusht mbajtjen e parave (eurove që kishte marrë). Në këtë kohë, të dëmtuarit kanë bërë denoncim për ngjarjen.

Trazhgim Sokolaj

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura