Tiranë, paditet për shpifje Dick Marty

Mar 31, 2011 | 13:34
SHPËRNDAJE

Pronari i shtëpisë së përmendur për trafik organesh në Fushë- Krujë padit Dick Martyn, deputetin zviceran, me akuzën e shpifjes në gjykatën e Tiranës.Marty, personi që hartoi një raport me dyshime për ekzistencën e “shtëpive të verdha” në Shqipëri (në Burrel dhe në Fushë-Krujë), si vende ku dyshohej se ishin bërë transplante organesh të robërve serbë të luftës së Kosovës është bërë objekt i një padie në Gjykatën e kryeqytetit për “shkaktim dëmi”. Raportuesi i Këshillit të Europës, Dick Marty, është paditur nga të zotët e një banesë në Fushë-Krujë për shpifje dhe dëm moral, me akuzat për trafik organesh. Bëhet fjalë për një nga ndërtesat, për të cilat Marty e ka cilësuar si një spital ilegal, ku ish-ushtarët e UÇK-së kanë kryer transplante ilegale të organeve njerëzore. Padia e firmosur nga të zotët e shtëpisë, e kryesuar nga paditësi Imer Brama, është depozituar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Si palë e paditur në të qëndron Dick Marty.
Shpifja

Shtëpia e verdhë në Burrel, e përmendur nga Dick Marty. Dje padia në Gjykatën e Tiranës është bërë nga i zoti i një tjetër shtëpie, në Fushë-Krujë, e cila përmendet nga Marty

Me pretendimin se deputeti Marty ka pohuar fakte të pavërteta, ata i kërkojnë gjykatës të urdhërojë Dick Martyn për përgënjeshtrimin e këtyre fakteve, si edhe dëmshpërblimin monetar në shumën e 10 milionë lekëve. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se në përmbajtje të padisë, pronarët e banesës së cilësuar si “klinika” ku bëheshin transplantet e organeve, pretendojnë se raporti i Martit është i rremë dhe i pabazë. Mësohet se banesa e diskutuar në raportin e Marty-t nuk është dhënë ndonjëherë me qira tek të tjerët dhe në këtë mënyrë, nuk ka ekzistuar mundësia që aty të jetë bërë transplant organesh. Sipas paditësve, Marty ia ka faturuar përgjegjësinë gjithë Shqipërisë me dashje direkte, por se në mënyrë të tërthortë është cenuar shtëpia e familjes së tyre. Në ditët në vijim pritet që padia të hidhet në shortin elektronik, që do të përcaktojë gjyqtarin që do ta shqyrtojë atë.
Në raportin e 15 dhjetorit 2010, Dick Marty pohonte ndër të tjera se operacionet e heqjes së organeve të shtetasve serbë kryheshin në një shtëpi në Fushë-Krujë, 20 kilometra larg Tiranës. Sipas tij, nëpërmjet aeroportit të Rinasit organet më pas  trafikoheshin jashtë vendit. Dick Marty shkaktoi pakënaqësi të gjerë me raportin e tij, i cili u paraqit dhe u aprovua në  Komitetin për Çështje Ligjore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës në dhjetor të vitit 2010. Sipas tij, një tjetër “shtëpi e verdhë” ishte edhe në një fshat të Burrelit, ku po sipas tij, janë bërë transplante organesh të robërve serbë të kapur në luftën e Kosovës në vitin 1999.

1 milion
lekë të reja është shuma që familja nga Fushë-Kruja kërkon në formën e dëmshpërblimit nga Dick Marty, për dëmin e shkaktuar ndaj tyre me akuzat në raport

Banesa

Imer Brama, pronari i banesës së përmendur nga Dick Marty si klinikë organesh, ka pohuar në padinë e tij se është në gjendje të provojë dhe të faktojë se ai nuk e ka lëshuar ndonjëherë me qira banesën e tij. Në padi thuhet se familja e tij nuk e ka dhënë asnjëherë me qira banesën tek shtetas të tjerë siç përmendet në aludimet e Dick Martyt.

PROKURORIA

Më shumë se një herë me anë të deklaratave zyrtare, Prokuroria e Përgjithshme në Shqipëri ka deklaruar se nuk ka prova për trafik organesh në Burrel apo në Fushë-Krujë. Sipas Prokurorisë, pretendime të tilla janë hedhur pas akuzave të Del Pontes dhe pas akuzave të Dick Martyt, por nuk gjanë gjetur prova për vërtetësinë e tyre.

EULEX kërkoi dëshmitarë, Dick Marty nuk i paraqiti

Autori i raportit me pretendime për trafik organesh nga strukturat e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë, është ftuar të paraqesë prova dhe dëshmitarë, por Dick Marty nuk e ka bërë një gjë të tillë. Kërkesa për të referuar në burime akuzat e bëra në raportin e tij, u paraqit që në momentin e prezantimit zyrtar të raportit në Asamblenë e Këshillit të Europës. Më pas, pas bërjes publike të akuzave, ishte misioni policor evropian në Kosovë, EULEX, që zyrtarisht iu drejtua Dick Martyt, duke i kërkuar të dhëna e prova për akuzat e bëra prej tij, me qëllim që krime të tilla të hetoheshin nëse kishin ndodhur. Dick Marty që në fillim deklaroi se dëshmitarët e tij ishin të rrezikuar dhe me këtë alibi ai përmendi se pa garanci për sigurinë dhe jetën e tyre, nuk mund t’i publikonte të dhënat në fjalë. Sipas mediave në Kosovë, EULEX ka marrë disa raporte nga Dick Marty, por ai nuk ka paraqitur dëshmitarë. Megjithatë, akuzat e bëra në raportin e tij janë në hetim nga misioni evropian policor në Kosovë. Akuzat e Dick Martyt janë hedhur poshtë nga institucionet e Shqipërisë dhe të Kosovës, ndërsa pak kohë më parë, një grup eurodeputetësh, pasi dëgjuan një raportim të Dick Martyt, i konsideruan akuzat të pabaza.

 

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura