Tiranë, grabitet në mes të ditës filiali i bankës

Jan 31, 2012 | 15:00
SHPËRNDAJE

Foto ilustruese

Persona të armatosur marrin 200 mijë lekë në filialin te Selvia

Filiali i një banke të nivelit të dytë në Tiranë është grabitur nga persona të armatosur dhe të maskuar me kapela. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, kur punonjësit e bankës po bëheshin gati të mbyllnin aktivitetin. Rreth orës 15:50, kur dy persona që kishin vendosur kapela në kokë, të “armatosur” me një pistoletë lodër, u futën në filialin e “Raiffeisen Bank”, në afërsi të zonës së njohur si “Selvia”, te Rruga e Dibrës në Tiranë. Sipas burimeve nga Policia e kryeqytetit, nisur edhe nga dëshmitë e punonjësve të bankës, njëri prej autorëve është drejtuar te sporteli i brendshëm ku ndodhet arka dhe duke i drejtuar armën punonjëses, e ka detyruar t’i japë paratë që ndodheshin aty. Paraprakisht dyshohet se shuma e parave të vjedhura mund të jetë rreth 200 mijë lekë. Në momentin e ngjarjes, brenda bankës nuk kishte asnjë klient, por vetëm punonjësit, të cilët nuk kanë arritur në kohë të aktivizojnë alarmin për të lajmëruar policinë, për shkak se janë gjendur në befasi. Dy persona me  janë futur brenda dhe kanë kërcënuar se do t’i qëllonin nëse do të bënin ndonjë lëvizje për të dhënë alarmin e grabitjes. Ndërsa vetëm në fund të ngjarjes, një prej punonjësve ka dalluar se pistoleta ishte lodër.
GRABITJA
Sipas pamjeve të filmuara nga kamerat e sigurisë, kanë qenë tre persona që kanë bashkëpunuar për kryerjen e grabitjes. Ata i janë drejtuar bankës nga tuneli i një pallati, te kryqëzimi i Rrugës së Dibrës, pranë Selvisë. Një prej autorëve ka qëndruar në distancë pranë një motori që e mbante të ndezur e njëkohësisht kontrollonte situatën. Ndërsa dy të tjerët janë futur në bankë. Njëri prej autorëve, që mbante në dorë një pistoletë lodër, është drejtuar te sporteli, kurse i dyti ka qëndruar gjatë gjithë kohës te dera e jashtme e bankës për të sinjalizuar shokun në rast se do të vinte re ndonjë lëvizje të dyshimtë. Sipas dëshmisë që punonjësit e bankës, dhënë për oficerët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë dhe armë, autorët i kanë kërcënuar dhe kanë marrë shumën e parave. Sipas tyre, ata kishin vendosur kapela dhe gjatë gjithë kohës e mbanin kokën ulur në mënyrë që streha e kapelave t’u fshihte fytyrat. Për këtë arsye, punonjësit nuk kanë arritur të fiksojnë tiparet e grabitësve. Burime nga Policia e Tiranë thanë dje se ende nuk është konfirmuar përfundimisht shuma e parave të grabitura, por paraprakisht dyshohet se autorët kanë arritur të marrin rreth 200 mijë lekë. Grabitja nuk ka zgjatur më shumë se 10 minuta dhe autorët, pasi kanë marrë paratë, janë larguar me shpejtësi drejt personit të tretë që i priste te motori. Dy prej tyre kanë hipur në motor dhe janë larguar në drejtim të gjimnazit “Partizani”, ndërsa i tretë është larguar më këmbë nëpër rrugicat e lagjes.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura