Tiranë, 13-vjeçari grabit bizhuteritë e floririt në banesë

Aug 31, 2012 | 14:04
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një sasi bizhuterish floriri u vodhën në një apartament në kryeqytet. Autori i ngjarjes rezulton të jetë një 13-vjeçar, i skeduar me dhjetëra raste nga Policia e Tiranës, që në pamundësi për ta arrestuar për shkak të moshës së mitur, ka nisur disa procedime penale në ngarkim të tij, por në gjendje të lirë. Ngjarja e radhës ka ndodhur mbrëmjen e së martës, në rrugën “Frosina Plaku”, në kryeqytet. Burime nga Policia thanë se ngjarja është denoncuar në Komisariatin Nr.2 nga 30-vjeçari Lorenc Baholli, i cili në pretendimet e tij ka deklaruar se i janë vjedhur në shtëpi 3 ora dore dhe disa bizhuteri të tjera floriri. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë këqyrjen e apartamentit të Bahollit, duke fiksuar disa gjurmë gishtash, te dera dhe ne vendet ku ishin vjedhur sendet e floririt. Identifikimi i autorit të ngjarjes nuk ka qenë e vështirë për Policisë, pasi menjëherë sapo janë krahasuar shenjat e gishtërinjve, është zbuluar se i përkisnin 13-vjeçarit G. Sopoti, i cili është shoqëruar disa herë për vjedhje, thuajse në të gjitha komisariatet e Tiranës. Ai, bashkë me dy motrat e tij të mitura, dyshohet të kenë vjedhur disa banesa, kalimtarë, por edhe dyqane, në vende të ndryshme të kryeqytetit dhe për shkak të moshës janë lënë sërish të lirë. Së fundmi, i mituri rezultoi të ishte autor edhe i vjedhjes së dy banesave të tjera në Tiranë, një te Rruga e Kavajës dhe një tjetër te rruga “Besa Imami”. Policia tha se autori është lënë sërish i lirë, për të njëjtën arsye si në rastet e mëparshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura