Tirana pa ujë, spitalet në kaos. Pacientët nuk futen në operacione

Nov 23, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas situatës problematike të një dite më parë kur shumë zona u përmbytën, kryeqytetasit do të vujnë sot edhe mungesën e ujit të pijshëm.

Raportohet se pothuajse e gjithë Tirana vuan mungesën e ujit, teksa më problematike paraqitet situata edhe në institucionet e shëndetit publik, veçanërisht në spitalin “Nënë Tereza”. Disa foto denoncuese të publikuara në rrjetet sociale flasin se mungesa e ujit ka shkaktuar kaos për shkak se operacionet nuk zhvillohen dot dhe njerëzit e sëmurë janë të detyruar të presin.

uji-spitalll
Një qytetar ka denoncuar rastin në faqen në Facebook “Jeta osh Qef” duke shkruar:

“Ketu jemi te kirurgjia te 2.. po na kthejne nga 3 4 dite sepse nuk ka uje spitali. Njerezit presin per tu fut ne operacion nderkohe qe vijme ketu qe ne 7 te mengjesit e kthehemi prap te nesermen se nuk ka uje. Keto jane familjaret e pacienteve qe presin per tu fut ne operacion. Tani sapo u fut personi i afer i imi dhe na mori ne tel duke thene .. do presim nqse vjen uji atehere do futesh ne operacion. Mjere populli ne shprese te Zotit”.

uji-spita

UKT ka njoftuar të gjithë qytetarët e Tiranës se, si pasojë e kushteve të rënda atmosferike të ditës së djeshme, ka turbulencë në Liqenin e Bovillës dhe për këtë arsye disa zona të kryeqytetit do të kenë mungesë të furnizimit me ujë.

Sipas ujësjellësit, zonat të cilat nuk furnizohen momentalisht janë Kinostudio, Xhamlliku, Alliasi, Pazari i Ri, 5 Maji, Laprakë, Rruga e Kavajës dhe Rruga e Durrësit.

Stafi i UKT-­së shprehet se po punon intensivisht për kthimin në normalitet të situatës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura