Tirana me varreza murale, Veliaj: Sistemojmë ekzistueset. Bozdo: Mburresh me punën e Bashës

Jan 23, 2016 | 14:30
SHPËRNDAJE

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se qyteti do të ketë varreza murale.

Gjate inspektimit te punimeve
Gjate inspektimit te punimeve

“Në Tufinë përfundon sistemimi parcelave, ndërtimi i tendës për pritje në kohën e shirave, linja nëntokësore e ujërave të bardha, parkimi, asfaltimi etj. Pas Tufinës ndërhyjmë edhe në Sharrë, që çdo qytetar që vjen për të vizituar të afërmit e tij, të gjejë një vend të dinjitoz”- njofton në FB Veliaj, ku poston edhe një galeri fotosh nga aksioni i sistemimit.

Sipas Veliajt, “Për varrezat e Tiranës do të kemi edhe disa investime të tjera, si projekti për varrezat murale. Fillimisht, do të nisim me sistemimin e varreve të braktisura, këtu e 50 vite më parë, në mënyrë që edhe qytetarët të njihen me këtë proces njerëzor, i cili funksionon në të gjithë botën dhe kursen hapësirat publike”.

Reagimi i Bozdos

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, duke reaguar pas deklarates së veliajt për projektin e varrezave murale, tha se ai po mburret me punën e të tjerëve. 
“Ftoj sot të gjithë mediat, ato që ende besojnë tek misioni i tyre i informimit të vërtetë të qytetarëve dhe s’janë peng i Veliajt, t’i referohen kronikave të shtatorit 2014, kur kanë pasqyruar nisjen e punimeve për realizimin e projektit të rehabilitimit dhe ndërtimit të varrezave murale në Sharrë dhe Tufinë. Projekti për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës ishte një investim prej 3 milionë dollarësh i Bashkisë së Tiranës drejtuar nga Lulzim Basha. Është realizuar rehabilitimi, sistemimi, ndriçimi, gjelbërimi, shtrimi i rrugëve të brendshme, rrethimi i jashtëm dhe është mundësuar një sipërfaqe për shërbimet e fundit, për familjet gjithashtu. Projektet për të dy varrezat mundësojnë zgjerimin me një sipërfaqe afër 10 mijë metër katror në  varrezat e Tufinës, dhe 15 mijë metër katror në Sharrë. Projekti parashikonte edhe varrezë murale. Pra, Veliaj vazhdon të bëjë të vetmen punë që di: të mashtrojë qytetarët siç bëri kur u betua dhe përbetua se nuk do ta rriste çmimin e biletës, por as 24 orë më pas pasi siguroi rryshfetin e dëshiruar, rriti çmimin e biletës për qytetarët e Tiranës”, shprehet Bozdo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura