Tirana, humbja që kushton 70 mln lekë

Apr 16, 2012 | 12:48
SHPËRNDAJE

Basha gjatë takimit me ekipin e Tiranës

Trajneri Rubio, i mërzitur për humbjen, por mbron lojtarët: Jeni luftëtarë!

Para fillimit të ndeshjes në Korçë ndaj Skënderbeut, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i premtoi ekipit bardheblu 70 milionë lekë të vjetër për fitoren.
Numri një i Bashkisë, përveçse i qëndroi pranë skuadrës duke e ndjekur në stadium, u përpoq edhe ta motivonte ekonomikisht. Basha, i shoqëruar nga Halili, administratori Tagani dhe drejtori Sportiv, Tafaji, i bënë një vizitë të shkurtër skuadrës në dhomat e zhveshjes para ndeshjes, duke u komunikuar edhe shifrën e shpërblimit. Sipas informacioneve jozyrtare, shuma parave është dhënë nga një biznesmen, emri i të cilit nuk është bërë i ditur nga drejtuesit e klubit bardheblu. “Duhet të futeni në fushë vetëm për fitore, të gjithë e dimë tashmë që Tirana ka bërë historinë dhe këtë duhet të dëshmoni sërish. Për këtë arsye dua edhe t’ju motivoj, duke vënë në dispozicion 70 milionë lekë. Por këtë shifër sigurisht që do ta merrni në rast se do fitoni. Dua të shtoj që shpërblimi i vënë për triumfin në Durrës mbetet ende në fuqi dhe ato do t’i merrni. Çdo premtim i bërë nga ana jonë do të mbahet, ndaj juve nuk ju mbetet gjë tjetër veçse të futeni në fushë dhe të tregoni se cilët jeni”, me këto fjalë u është drejtuar të shtunën në mbrëmje kryebashkiaku Lulzim Basha, lojtarëve kryeqytetas, duke mos harruar që të garantojë se edhe 100 mijë eurot e premtuara do të jepen shumë shpejt. Mirëpo, fati i keq i skuadrës së drejtuar nga Hulian Rubio ishte që ta humbiste këtë takim dhe në fund të mos përfitonte atë shpërblim. Duket se tashmë situata financiare te Tirana nuk ka më probleme, pasi edhe rroga e muajit mars u likuidua një ditë para ndeshjes, pra të premten. Sakaq, trajneri Hulian Rubio ka qenë më shumë se i mërzitur për këtë disfatë, e një gjë të tillë e reflektonte në fytyrë. Mirëpo, trajneri në fund të ndeshjes edhe pse skuadra e tij humbi, nuk ka nguruar ta përgëzojë për lojën e zhvilluar. Kjo pasi realisht ekipi e bindi, por nga ana tjetër nuk dëshiron që të demoralizojë të tijtë. “Humbëm, por jam krenar për ju. Bëtë një ndeshje të mirë, ndonëse më pjesën e parë më nderuat. Në të dytët edhe pse u përpoqët, na penalizoi fati dhe nuk kemi ç’të bëjmë, s’ishte dita jonë. Ndaj rrini me kokën lart, pasi ju jeni luftëtarë dhe kështu duhet të vazhdoni. Nuk dua që të demoralizoheni, pasi gara për ne vazhdon deri në javën e fundit”, me këto fjalë u është drejtuar futbollistëve spanjolli në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, teksa kanë mbetur edhe 5 javë nga mbyllja e këtij sezoni, për Tiranën kalendari është teorikisht i lehtë. Këtë fundjavë presin Tomorin, më pas luajnë me Dinamon po në kryeqytet, për të pritur Shkumbinin dhe për të zhvilluar ndeshjen me Laçin, e cila luhet në fushë asnjanëse. Takimi i fundit për kryeqytetasit luhet përsëri brenda, ndaj Kamzës.

Luka: Vatën e durova më shumë se djalin tim
Lorenc Luka, kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe njëherësh president i klubit Vllaznia, në një prononcim për mediat ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga ish-trajneri Rudi Vata. “Nuk kam prerë askënd në besë deri më sot, për më tepër Rudi Vatën. Ai ka pasur mbështetjen tonë në çdo aspekt dhe sidomos dorë të lirë që ta bënte në mënyrë profesionale detyrën e tij si trajner. Por nuk do të lija askënd që të nëpërkëmbte drejtuesit e klubit dhe emrin e Vllaznisë”, është shprehur Luka. Ajo që është theksuar prej kohësh, është se ish-tekniku Rudi Vata ka pasur gjithë mbështetjen e duhur nga ana e drejtuesve. “Vata nisi të ndërhynte aty ku nuk ishte profesionist. Mendoj se e kemi duruar më tepër nga ç’mund ta duronte, madje edhe një prind fëmijën e vet. Më vjen keq që ai e shfrytëzoi shumë këtë besim dhe mbështetje që ne i kishim dhënë”, – ka thënë Luka.

Gilman Lika
Gilman Lika nuk ngurron të pranojë se Skënderbeu e meritoi suksesin. Mirëpo, nuk harron të theksojë se ekipi i tij bëri një ndeshje të mirë. “Zhvilluam një pjesë të parë të shkëlqyer, me raste pa fund dhe shumë shtylla. Ishte dita e Skënderbeut, pasi nga tri raste, dy herë qëlloi në shenjë. Rastet s’munguan, madje krijuam më shumë se vetë korçarët dhe këtë s’mund ta mohojë kush.  Por kjo s’u hedh poshtë vlerat vendësve, që e merituan suksesin. Jemi të tretët dhe 4 pikë lart kreut, por asgjë nuk është e pamundur”.

Skënderbeu në festë, e gdhin në pub
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, teksa fitorja me Tiranën është shoqëruar me festë të madhe, e cila ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit. Një darkë e bollshme, këngë, valle dhe paksa alkool, kështu e ka kremtuar skuadra e Skënderbeut, jo vetëm atë sukses të shumëpritur, por edhe Pashkët ortodokse. Nuk ka munguar asnjë nga lojtarët, e aq më pak presidenti Agim Zeqo, i cili ka qëndruar bashkë me ekipin në këtë arritje, që është e barabartë me titullin kampion. I vetmi që nuk e ka pranuar ftesën, ishte trajneri Stanislav Levi. Ky i fundit nuk do të festojë para kohe, ndaj e ka konsideruar të pavend që t’i bashkohet pjesës tjetër. Atmosfera në qytetin e Korçës gjatë të shtunës në mbrëmje dhe orëve të para të mëngjesit ka qenë ndër më të bukurat dhe kjo për shumë arsye, fitoi skuadra e tyre e zemrës dhe, mbi të gjitha, pritën ringjalljen e Krishtit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura