Tirana, epiqendër e nacionalizmit shqiptar në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX

Feb 23, 2020 | 12:16
SHPËRNDAJE

HASAN BELLO

13319919_10209554477876611_3429293806119986586_n

Në përvjetorin e njëqindtë të shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë vlen të theksohen disa konsiderata historike për këtë qendër të nacionalizmit dhe për kontributin që disa personalitete të këtij qyteti kanë dhënë për krijimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX.Nga dokumentacioni i huaj na rezulton se popullsia dhe familjet e njohura të Tiranës kanë dhënë një kontribut të madh për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Sipas shumë konsujve dhe diplomatëve të huaj që kanë shërbyer në vendin tonë, duke nisur që nga gjysma e shek. XIX, Tirana ishte kthyer në një bërthamë të rëndësishme të “fermentimit” të idesë kombëtare. Një rol të rëndësishëm për këtë kanë luajtur familjet e njohura. Duam apo nuk duam, historia e Shqipërisë, ashtu si historia e shteteve evropiane, është historia e dyerve të mëdha.

Aq më tepër që struktura sociale e shoqërisë shqiptare në shekujt XIX-XX ishte një strukturë fisnore. Për ta ilustruar disi rolin e Tiranës në Lëvizjen Kombëtare në fund të shek. XIX po sjellim dy-tre shembuj konkretë. Në tetor të vitit 1897, përfaqësuesi austrohungarez në Shkodër, Teodor Ippen, në një raport drejtuar Ministrisë së Jashtme në Vjenë, qytetin e Tiranës e konsideronte si strumbullarin e jetës politike dhe të çdo aksioni në Shqipërinë e Mesme. Sipas tij, kjo ishte pasojë e rrethanës se Tirana ishte selia e një aristokracie të pasur, shumë të mençur dhe me influencë.

Por cila është e vërteta mbi kontributin e këtyre familjeve në historinë tonë kombëtare? Si shembull, duke iu referuar raportit të Teodor Ippen-it, po sjellim vetëm një rast. Sipas tij, bejlerët e Tiranës e sidomos ata që i përkisnin familjes Toptani, e cila rridhte nga dinastia shqiptare e Topiasve të Krujës, kishte një sërë personalitetesh që ishin një faktor i rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.

Një vlerësim të posaçëm ai bën për vëllezërit Murat dhe Refik bej Toptani, të cilët i quan fisnikë të përsosur, patriotë të zjarrtë si për Shqipërinë, ashtu edhe për gjuhën shqipe e përparimin e arsimit kombëtar. Në bisedat mbi aspiratat kulturore e letrare që Murat Toptani kishte zhvilluar me Ippen-in, kishte kërkuar nga ky i fundit që Vjena të mbështeste përpjekjet e tyre për hapjen e shkollave shqipe.

Pothuajse në të gjithë Shqipërinë, Murat beu cilësohej si një personalitet shumë i ngritur dhe me karakter fisnik. Për këto arsye, qeveria osmane do ta detyrojë atë të largohet nga Tirana, duke e internuar për shtat vite e gjysmë në Konja të Turqisë. Pas Revolucionit Xhonturk, më 21 gusht të vitit 1908 ai u rikthye në vendlindje. Sipas raporteve diplomatike të konsullatës austro-hungareze, popullsia e Tiranës i bëri atij një pritje shumë të përzemërt.

Gjatë periudhës së internimit, Murat beu kishte bashkëpunuar me lëvizjen përparimtare dhe tani ishte ngarkuar me detyrën për të inspektuar komitetet lokale të Manastirit e Shkodrës dhe për të harmonizuar veprimtarinë e tyre. Në vijim të këtij raporti, konsulli austro-hungarez thekson se qëllimi i Murat beut ishte për ta ngritur Shqipërinë në aspektin shoqëror dhe ekonomik, rezultatet e të cilave ai shpresonte t’i arrinte duke favorizuar arsimin, tregtinë si dhe duke përmirësuar komunikacionet. Konsiderata pak a shumë të njëjta pasqyrohen edhe për të vëllanë e Murat beut, Refik bej Toptanin. Sipas konsullit austro-hungarez në Durrës, megjithëse Refik beu nuk kishte qenë asnjëherë në Perëndim në këtë periudhë, në pamje të jashtme ai ngjasonte krejtësisht me një kavalier europian.

Përgjatë gjithë dokumentacionit që kam pasur rastin të shfletoj lidhur me Lëvizjen Kombëtare, kam konstatuar se në gjysmën e dytë të shek. XIX, derisa shpallet Pavarësia, popullsia e Tiranës e familjet kryesore ishin kthyer në: 1) shkolla private në kuptimin modern të fjalës, sepse aty arsimoheshin të rinjtë me mësues privatë; 2) në qendra të zhvillimit të kulturës kombëtare, duke nisur që nga ruajtja e traditës, kultivimi i saj, konservimi i memories kombëtare, edukimi me dashurinë për elemente në dukje folklorike, siç ishte kënga, vallja, kultura popullore etj., etj, elemente që do të luajnë një rol të rëndësishëm për krijimin e tipareve të veçanta të kulturës dhe identitetit tonë kombëtar; 3) këto familje ishin edhe qendra të formimit profesional në kuptimin modern të fjalës, pasi një sërë profesionesh përhapeshin po nga këto dyer të mëdha për nevojat e tyre, duke i dhënë kështu një impuls të rëndësishëm zhvillimit ekonomik të qytetit dhe të gjithë krahinës; 4) ishin përsëri këto familje që do të fusin elementet e para të zhvillimit kapitalist të vendit, pasi duke qenë zotëruese të mëdha pronash bujqësore, kishin interes për futjen e metodave moderne të punimit të tokës, për eksperimentimin e novacioneve në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Këto elemente që përmendëm më sipër: siç ishte faktori njerëzor, arsimor, kulturor dhe ekonomik përbënin komponentë të rëndësishëm për vetëdijen kombëtare, për ndërgjegjësimin e popullsisë se kishte ardhur koha që shqiptarët të krijonin një shtet të pavarur nga Perandoria Osmane, e cila në këtë periudhë ndodhej në një situatë të vështirë politike dhe ekonomike.

Në Kongresin e Manastirit (14-22 nëntor 1908), qyteti i Tiranës u përfaqësua nga Refik bej Toptani, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe tregtari Mahmud agë Fortuzi. Në këtë kongres, Tirana dhe përfaqësuesit e saj mbajtën anën e intelektualëve dhe patriotëve më të njohur të kohës, duke mbështetur shkrimin e gjuhës shqipe me germa latine. Në vitin 1912, patriotët e Tiranës do të luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të përgatitur terrenin për shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Kështu, figura si Abdi bej Toptani, Ahmet Pazari, Ibrahim Dalliu, Ismail Ndroqi, Murat dhe Refik Toptani, Myteselim Këlliçi, Hysen Dalliu, Selman Stërmasi, Myslym Beshiri, Fuat Toptani, Beqir Luga, Ali Kukaleshi, Ibrahim Kazazi, Mahmud Fortuzi, Selim Petrela, Sinan Hoxha, Zyber Hallulli, Hysen Selita, etj., ishin pararojë e këtyre zhvillimeve. Madje, mund të thuhet se akti i ngritjes së flamurit kombëtar ishte llogaritur që të realizohej në Tiranë. Dy nga protagonistët e përzgjedhur nga Austro-Hungaria, Syrja dhe Eqrem bej Vlora, për shpalljen e pavarësisë, kishin projektuar mbajtjen e një kuvendi kombëtar në qytetin e Tiranës.

Por një rrethanë ende e panjohur siç dihet, që për mendimin tonë duhet të ketë qenë Britania e Madhe, vendosi t’i zëvendësonte me Ismail Qemalin dhe ky i fundit, për rrethana që tashmë dihen, Tiranën me Vlorën. Megjithatë, Tirana dhe banorët e saj do të marrin pjesë aktive jo vetëm në ngjarjet që vijuan në Vlorë, por sidomos në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga agresioni serbo-malazez.

Këtu duhet theksuar se vullnetarët tiranas, të drejtuar nga Esat Pashë Toptani, luajtën një rol vendimtar që ky qytet t’i mbetej shtetit të ardhshëm shqiptar. Pikërisht në këto kohëra tepër të vështira për kombin, e sidomos për vëllezërit tanë që kishin mbetur jashtë kufijve të vitit 1913, Tirana do të kthehet në një strehë të sigurt, falë mikpritjes dhe bujarisë që qytetarët tiranas do të tregojnë ndaj popullsisë dibrane. Lufta e Parë Botërore dhe rrethanat politike që u krijuan për shkak edhe të pozitës gjeografike tepër të rëndësishme që zinte ky qytet, do të shoqërohen me zhvillime dhe vështirësi të reja.

Megjithatë, banorët e saj, me urtësinë që i karakterizonte, falë edhe mençurisë së figurave të njohura si Ismail efendi Ndroqi, Zyber Hallulli, vepruan me kujdes që popullsia të shpëtonte pa u dëmtuar nga ushtritë pushtuese që iknin e vinin njëra pas tjetrës. Pa dashur të prek disa çështje të mirëtrajtuara, dua të kujtoj gjithashtu, se pararendës i Kongresit të Lushnjës ishte Kongresi i Tiranës i 18-19 dhjetorit 1918. Një fakt i tillë, jo vetëm para viteve ‘90, por edhe sot e kësaj dite, njihet dhe përmendet shumë pak, për të mos thënë aspak, nga historiografia shqiptare, politikanët dhe media e kohës.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura