Tirana, 7 ditë kohë për borxhet

Nov 30, 2012 | 12:12
SHPËRNDAJE

Alarmi po shtohet edhe më, ndërsa ditët kanë nisur të numërohen mbrapsht për Tiranën. Kanë mbetur edhe 7 ditë nga afati i vendosur prej FIFA-s për shlyerjen e dy lojtarëve që kanë fituar gjyqet; Xheri Santos dhe Kameron Heples. I pari ka fituar të drejtën për të marrë 68 mijë dollarë prej bardhebluve, ndërsa i dyti 35 mijë dollarë, pra 103 mijë dollarë në total, pasi të dy pretendonin prishje të njëanshme të kontratës. Ultimatumi i institucionit më të lartë në vend është i prerë dhe më 7 dhjetor bardheblutë duhet të derdhin në llogari shumën e sipërpërmendur. Në të kundërt, rrezikohen pikët. Mirëpo, në rast se nuk kryet sërish pagesa, atëherë masat mund të bëhen edhe më të ashpra, deri në rënie nga kategoria. Një gjë të tillë në fakt e ka paralajmëruar pak javë më parë vetë administratori Salih Tagani, i cili e ndjen rrezikun mbi këto problematika. Mirëpo, klubi nuk ka ndër mend që të qëndrojë “duarkryq”, por do të bëjë të pamundurën që t’i minimizojë borxhet. Ndaj, disa nga çështjet do t’i apelojnë, pasi vetëm kështu mund të reduktohen faturat që kanë aktualisht mbi tavolinë. Por ekziston një problem: për t’iu drejtuar Apelit, fillimisht kryeqytetasit duhet të kenë në dorë dosjet e zbardhura mbi këto dy çështje, por edhe atë të Debreçenit, për rastin e Esama Etogos. Ndonëse kanë dërguar dy kërkesa deri më tani në FIFA, këta të fundit nuk kanë reaguar. Kjo i ka detyruar drejtuesit që t’i drejtohen CAS Lozanë (Komisionit të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë) dhe shpresat i kanë varur pikërisht te kjo gjykatë sportive. Tashmë ata janë në pritje të reagimit nga ky institucion dhe më pas të bëjnë apelimin. Tashmë mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet ky ngërç, pra a do të sjellë KAS një përgjigje pozitive. Në të kundërt, Tiranës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë pagesën, pasi nuk mund ta marrë përsipër rrezikun që të humbasë pikët e fituara me mundim.

Merkato/ Të gjithë duan të ikin
Pritet që të ketë ndërhyrje imediate në merkato, sidomos në sulm. Numri i të afruarve nuk mund t’i kalojë tre, të paktën këto janë planet aktuale të stafit teknik dhe atij drejtues. Synohet nga një lojtar për repart: një mesfushor, një mbrojtës dhe mbi të gjitha, një sulmues goli, i cili e njeh mirë portën. Të tre këta do ta kompletonin më së miri grupin. Sakaq, nuk do të mungojnë firot, ku Zec është largimi i parë i sigurt në janar, por që pritet të shoqërohet edhe me të tjerë, ku përmenden Pigoni, Hoxha, Abilaliaj, por edhe Muçollari, apo G.Lika, të cilit i skadon kontrata.      

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura