Themelimi i PD-së, Tritan Shehu: Ju tregoj miqtë dhe “armiqtë” e Berishës

Dec 11, 2016 | 8:12
SHPËRNDAJE

Një e diel e pazakontë dhe një ditë pune zëvendësuese… Mjekun Tritan Shehu, mbrëmja e 8 dhjetorit e gjeti duke parë në Teatrin Kombëtar një nga shfaqjet e shkrimtarit të arratisur Ismail Kadare. Ndërsa mëngjesin e 9 dhjetorit shkoi në punë, por pa e menduar gjatë la sallën e operacionit dhe u nis drejt “Qytetit Studenti”. Të rinjtë vazhdonin protestën e nisur mbrëmjen e 8 dhjetorit.

tritan1

Pedagogu i Fakultetit të Mjekësisë, në muajin tetor bashkë me disa intelektualë të tjerë të Tiranës kishte firmosur peticionin me kërkesa direkte e të avancuara kundër politikave të kohës. Dy muaj më pas, pikërisht mesditën e 9 dhjetorit ‘90, kur iu bashkua protestës në sheshin e “Qytetit Studenti”, Tritan Shehu po ecte në një rrugë të panjohur për të.

Nuk kishte më kthim pas. Z. Shehu rrëfen për “Gazeta Shqiptare” ditët e para të ndryshimit të madh për mbarë shqiptarët, procesin e shkurtër në kohë të themelimit të PD-së, si dhe ngjarjet dhe situatat që e pasuan atë përgjatë 26 viteve jetë.

tritan12

Z.Shehu, Lëvizja Studentore për Demokraci nisi mbrëmjen e 8 dhjetorit, derisa shkoi tek 11 dhjetori 1990. Si e kujtoni atë ditë?
Fryma e ndryshimeve dhe e shpresës edhe në Shqipëri kishte filluar të ndihej prej muajsh përpara. Rënia e Murit të Berlinit ishte pa dyshim sinjali i madh, i shoqëruar më tej edhe me kalime masive kufijsh të qytetarëve hungareze, çekosllovake etj., drejt Perëndimit. Mbas pak pamjet e ekzekutimit të Çausheskut me Helenën, jo vetëm që nxitën më tej shpirtin demokratik të shqiptarëve, por edhe kontribuuan fort për paralizën e regjimit tonë komunist, për terrorizimin e tij psikologjik dhe për “çarmatosjen” për të reaguar në mënyrë aventureske ndaj lëvizjeve të ardhshme.

Diskutimet midis njerëzve filluan të bëhen më të hapura e të guximta, shkrime progresive po shfaqeshin në ndonjë gazetë apo revistë shqiptare, derisa në një mënyrë që akoma nuk dihet se si, u organizua e u realizua manifestimi i heshtur në Tiranë në mbrëmje, në janar të 1990-ës, ku morën pjesë shumë nga ne.

tritan13

Impulse të rëndësishme gjithashtu patën ngjarjet në Kavajë, Shkodër etj. si dhe arratisja e Kadaresë, të cilën unë e përjetova pikërisht kur së bashku me time shoqe atë mbrëmje ishim në Teatrin Popullor të asaj kohe, për të ndjekur premierën e dramës së tij. Unë në atë periudhë isha mjek në repartin e reanimacionit si dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, që realisht ishte një nga ambientet më liberale e të hapura.

Ishte një vend ku mund të diskutojë me kolegët pa atë censurë e autocensurë që sundonte në të gjithë vendin. Kjo ishte një nga arsyet që çoi edhe në peticionin tonë të tetorit 1990, të firmosur nga – në mos gabohem – 17 profesorë të atij fakulteti, me kërkesa direkte e të avancuara kundër politikave të kohës. Pra, kështu më gjeti mua mëngjesi i 9 dhjetorit i 1990-ës, një e diel, ditë pune zëvendësuese, kur u njoha me lëvizjen studentore të filluar në “Qyteti Studenti” dhe që më shtyu të lë sallën e operacionit për të marrë rrugën drejt atij sheshi rreth mesditës. Më tej ngjarjet aty rrodhën në mënyrën më magjepsëse dhe madhështore të mundshme.

Studentët brenda disa orësh krijuan organizatën e tyre, por a është e vërtetë që lista me firmëtarët e kësaj organizate kishte tri javë që qarkullonte në rrethet studentore dhe atyre të pedagogëve? Dhe, si lindi Partia Demokratike?
Mua nuk më rezulton diçka e tillë. Lëvizja studentore ishte një lëvizje që shpërtheu më 8 dhjetor në darkë si pasojë e shpirtit demokratik, guximit të madh të studentëve, rolit të Azemit, pa dyshim në kontekstin e ndryshimeve që po ndodhnin në botën komuniste, si dhe të një pritshmërie të madhe për ato në vendin tonë. Kushtet e shkaqet qartësisht që janë të shumta, nuk mund të analizohen në dy faqe.

Por pa asnjë lëkundje ishte ky shpërthim i madh studentësh që jo vetëm i inicioi ndryshimet konkrete, duke futur në axhendën imanente të vendit hapat e mëtejshëm, duke i dhënë një fizionomi shumë të thellë perëndimore, europeiste dhe progresive këtyre.

tritan14

Dhe elementi i dytë më i paimagjinueshë për ato ditë të dhjetorit ishte pa dyshim aftësia, vizioni, guximi i protagonistëve të atyre ngjarjeve, që në shumë pak ditë kjo lëvizje të kurorëzohej me lindjen e Partisë Demokratike, forca e vetme politike liberale, antikomuniste e pro perëndimore në atë periudhë, që drejtoi vendin jo vetëm në rrëzimin e atij regjimi, por edhe në rrugën tonë të mëtejshme drejt ekonomisë së tregut, hapjes, BE-së e NATO-s, drejt afrimit tonë me familjen perëndimore. Ky ishte zhvillimi më pozitiv që mund të ndodhte, vetëm pak ditë nga fillimi i lëvizjes studentore, zhvillim që çoi në ndryshimet rrënjësore të mëtejshme.

Kush ishte inspiruesi i krijimit të PD-së? Cilët ishin mbështetësit dhe kundërshtarët e Sali Berishës në atë periudhë?
Pa dyshim që inspiruesit e mëdhenj, por edhe mburoja dhe siguria e hapave të mëtejshme ishin studentet e lëvizja e tyre, që shpërthyen atë diktaturë, që vranë frikën e ngjallën shpresën. Midis tyre spikat lideri i asaj lëvizjeje, Azemi. Më tej, pa dyshim, çdo gjë kishte nevojë të dilte nga kuadri i vetëm një lëvizjeje studentore, të merrte formën e një organizimi politik të vendit, që të mund të çonte jo vetëm në rrëzimin e diktaturës, por edhe në zhvillimet e mëtejshme demokratike të vendit.

Kështu ato ditë pati opsione të ndryshme, pati mendime për të qëndruar nën limitin e një lëvizjeje studentore, të një organizate të tyre etj., gjëra që disa herë stimuloheshin dhe nga njerëzit e atij regjimi, për të bllokuar kështu përmbysjen e madhe. Dhe këtu, pikërisht për të dalë nga këto klishe disa herë të rekomanduara, një rol të madh patën intelektualët, që iu bashkuan që në orët e para kësaj lëvizjeje, të cilët shumë shpejt u orientuan dhe e orientuan atë në drejtimin e duhur.

Njeriu i parë me të cilin unë u lidha politikisht në ato ditë ishte miku e kolegu im i vjetër, Berisha, roli i të cilit rritej për çdo orë që kalonte, në çdo debat e diskutim që bëhej, duke dalë tashmë shumë shpejt në dimensionet e liderit të zhvillimeve tona demokratike. Meksi ka qenë gjithashtu një nga figurat e shquara me të cilin unë krijova një afërsi e bashkëpunim të ngushtë dhe të gjatë, pa harruar këtu Pashkon, Rulin e më tej Selamin etj.

Ju pyesni për kundërshtarë të Berishës në atë periudhë? Berisha, siç thashë, shumë shpejt u konfigurua si drejtuesi jo vetëm i PD-së, por edhe i tërë lëvizjes sonë. Në fakt, ai ishte njeriu më i qartë në ide, më dinamik, më konkret në zgjidhjet, dhe kështu u kthye në pikën tonë të referimit. A kishte kundërshtarë ai? Të them të drejtën, në ato ditë entuziazmi nuk mendoja për të tillë terma, por pa dyshim kishte edhe opinione të ndryshme, xhelozi njerëzore, simpati apo antipati, interesa e ambicie, si kudo. Këto ndjekin çdo proces masiv. Por, duke shkuar më tej, kishte edhe nga ata që në ato ditë donin me çdo kusht ta frenonin apo pilotonin atë proces në favor të regjimit.

15416080_10211350096933944_1838133569_n

Çfarë doni të thoni me këtë?
Këtu e kam fjalën për veprime të qëllimshme, bashkëpunëtorësh të Sigurimit, shërbimeve të huaja të mbetura komuniste, që u përpoqën me të gjitha mundësitë e tyre për këtë gjë. A mund të quhen ata si kundërshtarë të Berishës? Unë do të thosha se ata ishin kundërshtarë të proceseve tona demokratike në tërësi. Pra me dy rreshta, procesi i krijimit të PD-së ishte një proces i shkurtër në kohë, por intensiv në ngjarjet e i mbushur me ide e alternativa premtuese, unike nga rëndësia e tyre.

Cilat ishin forumet që zgjodhën kryetarin e PD-së? A kishte rivalë Berisha për postin e kreut të PD-së?
Rivalë? Pa dyshim, secili ka rivalët e tij. Por Berisha tashmë ishte konfiguruar si lederi i lëvizjes, megjithëse derisa u zgjodh kryetar ishte një anëtar i Komisionit Drejtues. Pra, kalimi i Berishës në postin e kryetarit ishte një kalim i natyrshëm, sepse siç thashë më lart, edhe deri atëherë ai po bëhej e u bë njeriu më i spikatur në atë lëvizje, jo vetëm për mua, por edhe për shumicën dërrmuese të pjesëmarrësve. Kështu ne u mblodhëm në aktivin e PD-së, që u mbajt në Pallatin e Kulturës në mos gaboj më 16 shkurt të 1991, ku zgjodhëm me shumicë të madhe Berishën si kryetar. Berisha në atë votim pati rivalë Azemin e Aleksandrin. Tjetër nuk më kujtohet tashti. Gjithashtu, ai aktiv zgjodhi apo konfirmoi Komisionin Drejtues.

Çfarë zhvillimesh e ndoqën PD-në menjëherë pas krijimit të saj? Cila është domethënia e 13 shkurtit ‘91?
Menjëherë mbas themelimit të saj, PD-ja u ndodh përpara problemesh e objektivash jashtëzakonisht të rëndësishëm e të vështirë. Nuk dua të zgjatem në detaje, por pa dyshim kryesorja ishte organizimi i partisë, degët e saj, veprimet e qëndrimet politike, marrëdhëniet me publikun e ato ndërkombëtare etj. Këtu një vend të veçantë zinte lufta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të para pluraliste, që më shumë përpjekje u caktuan me 31 mars të 1991.

Në kuadrin organizativ në muajin dhjetor 1990 ne organizuam në Tiranë degën e PD-së të sistemit shëndetësor e seksionet e spitaleve dhe institucioneve tona. Pak më tej u konfigurua e organizuar dega e PD-së së Tiranës, anëtar i kryesisë së saj unë isha gjithashtu që në fillim. Në lidhje me datat 12 dhe 13 shkurt, unë mendoj se ishte normale që në atë periudhë të sapokrijimit e partisë, të ndodhnin dhe të tilla ngjarje kalimtare në procesin e zgjedhjes së lidershipit të saj. Këto ishin pa asnjë pasojë mbi zhvillimet pozitive të PD-së e të vendit, si dhe mbi marrëdhëniet midis nesh në ato periudha.

Si u zgjodh më pas Eduard Selami në krye të PD-së dhe pse u shkarkua më pas?
Selami ka qenë që në fillim sekretari i komisionit nismëtar dhe më tej, kur u krijua posti i sekretarit të përgjithshëm të komisionit e më tej i partisë, ai u zgjodh në këtë post. Në detyrën e kryetarit të partisë Eduardi u zgjodh mbas fitores sonë të 22 marsit 1992, kur Berisha u zgjodh president i vendit dhe dha dorëheqjen nga drejtimi direkt i PD-së.

Konflikti që çoi në shkarkimin e Eduard Selamit nga posti i kryetarit të PD-së çoi në zgjedhjen tuaj si kryetar?
Unë u zgjodha në fillim si Sekretar i përgjithshëm i PD-së, në dhjetor 1993, kur Eduardi ishte kryetar i partisë. Kështu unë në janar 1994 dhashë dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë për t’iu dedikuar punës së partisë. Me Selamin në ato periudha pata një bashkëpunim të mirë dhe punuam shumë për forcimin organizativ e politik të partisë.

Çështja me Edin ndodhi mbas humbjes së referendumit, në mars 1995, kur ai u shkarkua nga detyra e kryetarit për shkak të disa opsioneve të ndryshme politike të tij me këshillin kombëtar e më tej me konferencën e jashtëzakonshme, që mori vendimin përkatës. Pikërisht me vendim të asaj konference drejtimi i partisë i kaloi kryesisë së vogël, që kryesohej nga unë si Sekretar i Përgjithshëm i PD-së. Më tej unë u zgjodha në postin e kryetarit të partisë, duke pasur si rival Xhaferrin. Këtë post e mbajta derisa dhashë dorëheqjen, si pasojë e humbjes sonë në zgjedhjet e qershorit 1997, humbje elektorale kjo që realisht nuk ishte demokratike.

15435686_10211350096533934_785868547_n

Në çfarë situate ishte PD-ja kur ju u bëtë kryetar i saj?
Tashmë PD-ja ishte një forcë e konsoliduar, e organizuar në të gjithë territorin. Kishte strukturat e saj, qeverinë e saj, Presidentin e Republikës të dalë prej saj, si dhe një grup parlamentar shumë të mirë e të aftë. PD-ja ishte kthyer në motorin e të gjitha ndryshimeve demokratike të vendit, të cilat ishin të paimagjinueshme nga thellësia dhe gjerësia e tyre në të gjitha drejtimet. Megjithatë, edhe mbas zgjedhjes sime, menjëherë ne u koncentruam në disa drejtime.

Së pari në forcimin organizativ të PD-së si dhe përsosjen e nivelit personal, moral, politik, arsimor të drejtuesve tanë në të gjithë vendin. Gjithashtu, punuam shumë edhe për minimizimin e interferencave që struktura të vjetra të Sigurimit komunist mund të kishin në nivelet tona, veçanërisht në disa drejtuese dhe te komisionet e votimit.

Nga ana tjetër i dhamë një rëndësi të madhe forcimit të marrëdhënieve tona ndërkombëtare e institucionalizimit të tyre. Kështu vepruam me forcat politike simotra, por jo vetëm, të vendeve fqinje si Italia e Greqia. Gjithashtu konsoliduam marrëdhëniet me forcat e tilla gjermane, franceze, austriake, britanike etj., duke organizuar bashkëpunime konkrete midis nesh e atyre, qoftë për çështje organizative, të burimeve njerëzore, ligjore etj.

Në këtë rrugë dhe mbas përpjekjeve të tjera të suksesshme, u bë e mundur që PD-ja të pranohej në dy organizmat e së djathtës politike europiane, në Unionin Kristian Demokrat Europian dhe në Unionin Demokrat Europian, hapa këta shumë të rëndësishëm për PD-në dhe për Shqipërinë e rajonin, për të ardhmen tonë.

Cilat ishin arsyet e largimit tuaj nga PD-ja? Dhe, përse PD-ja mbeti për njëfarë kohe pa kryetar?
Do të përgjigjem duke filluar nga e dyta. Nuk është se PD-ja mbeti pa kryetar në atë periudhë. Unë dhashë dorëheqjen menjëherë mbas humbjes së 1997 dhe në kongresin e radhës që u zhvillua mbas kësaj u zgjodh Berisha si kryetar, në konkurrencë me Arbnorin. Kështu ka ndodhur. Pse unë u largova më vonë nga PD-ja? Kishte shumë arsye, si qëndrime të ndryshme politike ndaj disa çështjeve, por dhe elementë emocionalë të krijuar, qoftë dhe për impostime të gabuara të përbashkëta, të miat apo të kolegëve të mi që vazhduan në PD.

Në jetë apo në politikë ndodh edhe kështu. Megjithatë, dua të theksoj se forca politike që krijuam atëherë, PDR, ngeli një forcë e djathtë, nuk u përfshi asnjëherë në koalicionet e majta, gjë që për të cilën patëm jo pak oferta. Megjithatë, më vonë ndodhi ribashkimi ynë në mënyrë krejt natyrale, logjike e frutdhënëse.

Prej disa vitesh PD-ja ka një kryetar të ri, Lulzim Bashën. Ku ndryshon ai nga paraardhësit e tij në PD dhe a do të mundet ai të rikthejë demokratët në pushtet përmes zgjedhjeve të 2017-ës?
Z. Basha u zgjodh kryetar i PD-së nëpërmjet sistemit “një anëtar-një votë”, mbas humbjes sonë të 2013-ës e dorëheqjes së Berishës, si pasojë e saj. Basha pa dyshim përbën një lider të ri, të kultivuar, dhe si i tillë ka shumë karakteristika e vlera, që lidhen me atë vetë, me brezin e tij. Gjithsekush ka tiparet e individualitetin e vet. Pra, këtu nuk ka njerëz të klonuar. Ashtu si dhe zhvillimi krijon diferenca në realitete e situata.

15451160_10211350083853617_1125421508_n

Megjithatë, ka dhe elemente të përbashkëta për një drejtues të PD-së, që përputhet me të njëjtën linjë konstante të përgjithshme strategjike e zhvillimi të saj. Kështu, Basha është një demokrat i vendosur, europeist properëndimor e proamerikan, në ide e qëllime të tilla për PD-në e zhvillimin politik, ekonomik e integrues të vendit.

Kjo është në përputhje të plotë me aspiratën e madhe të PD-së e vendit tonë në tërësi. Unë kam besim te Basha dhe drejtimi i tij. Jam i sigurt që ai po bën më të mirën e mundshme dhe do të çojë më tej vlerat e PD-së, në shërbim të vendit, ashtu siç dhe jam i bindur në kontributin e tij të rëndësishëm për fitoren tonë të vitit të ardhshëm. Në fund dua të theksoj se, nuk kam asnjë dyshim në faktin që ai mbas asaj fitoreje, do të jetë një kryeministër shumë i mirë, i vlefshëm e i suksesshëm i Shqipërisë.

(GazetaShqiptare)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura