“Thashë bastard dhe …”- Deputeti i PD kërkon përjashtimin e Ministres nga Kuvendi, Ahmetaj: Jemi sharë me njëri-tjetrin nga të gjitha anët, u mërzitët për…

Jun 23, 2022 | 11:50
SHPËRNDAJE

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho kërkoi përjashtimin nga Kuvendi të Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, pas përdorimit nga ana e saj e fjalëve “lukuni dhe kope”.

Spaho kërkoi që të gjithë të jenë të barabartë në Kuvend, pasi edhe ai u përjashtua në seancën e dy javëve më parë për përdorimin e fjalës “bastard”.

“Rregullorja është 1 për të gjitha palët dhe dihet të zbatohet në mënyrë korrekte, unë u përjashtova se përdora termin bastard. Ministrja duhet të përjashtohet se përdori termin kope, lukuni. Ju propozoj të mblidhni komisionin e etikës dhe të marrin vendim për të përjashtuar ministren, jemi të gjithë të barabartë”, u shpreh deputeti demokrat.

Zv/kryeministri Arben Ahmetaj u shpreh se në Parament janë sharë me njëri-tjetrin nga të gjitha anët ndaj opozita s’duhet të mërzitet për fjalën “lukuni”, ndërsa kërkoi që kryetarja e Kuvendit të merrte masa nëse Spaho do vazhdonte të fliste nga vendi.

“Këtu janë thënë çudira dhe nuk jemi ngritur ndonjëherë, tha lukuni, se ka fjalën fare për ju. Qetësohuni që të vazhdojë pjesa tjetër, këtu çfarë nuk është thënë, jemi sharë me njëri-tjetrin nga të gjitha anët, tani u mërzitët për lukuni. Kot tani, ju lutem kryetare nëse vazhdon të flasë nga vendi merrni masë”, tha Ahmetaj.

Në këtë moment, disa prej deputetëve demokratë u larguan nga salla e Kuvendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura