Teuta Hoxha: Fejesa ime pa unaza, ja këshilla e Ramizit

Jul 2, 2015 | 23:41
SHPËRNDAJE

Për Teuta Hoxhën, të renë e diktatorit komunist Enver Hoxha, çdo moment i kaluar pranë tij ia vlen të tregohet. Në librin e saj me kujtime “Enveri në kujtime e mia”, nusja e Ilir Hoxhës tregon të vërtetat e saj mbi lidhjen me djalin e njeriut më të rëndësishëm në Shqipërinë socialiste. Teuta Hoxha ishte vetëm 16 vjeç kur u fejua me Ilirin dhe u desh të “rritej” edhe ca për t’u lidhur në martesë.

Ne diten e dasmes

Ajo shuan kureshtjen e lexuesit për marrëdhënien me vjehrrit e saj, rolin që ka luajtur xhaxhai i saj, Ramiz Alia, në këtë lidhje, si dhe raportin me nusen e Sokolit, djalit tjetër të Enverit, Liljanën. Antagonizmi mes dy nuseve del qartë në librin e Teuta Hoxhës. Përmes rrëfimit të saj ajo hedh poshtë çdo pretendim të Liljana Hoxhës për mënyrën se si ajo u bë pjesë e familjes nr.1 të Shqipërisë së asaj kohe.

 NJË TAKIM I “RASTËSISHËM” ME ENVER HOXHËN
Deri në muajt e verës, takimet tona vazhduan fshehurazi. Në Tiranë takoheshim më shumë në rrugët e Bllokut, ku nuk kishte lëvizje, por nuk ndihesha mirë, se aty më njihnin edhe mua. Dhe vërtet, fjalët e para që i vajtën në vesh mamasë sime, prej andej dolën. Ndërkohë, në bisedat që bënim, Iliri më thoshte se, si djali i madh që ishte, babai veçanërisht i bënte “presion” të vazhdueshëm që të gjente një shoqe dhe, siç shprehej ai, “të gëzohej shtëpia”.

Këtë merak të Enverit e kam gjetur të shënuar edhe në ditarin e tij, në shënimin e datës 31 mars 1970, kur ndodhej me pushime në Vlorë: “Lilua na mori në telefon, pse sot ka ditëlindjen. E uruam, duke i bërë aluzion për fejesë, pse tashti i thamë ‘hyre në 22 vjeç, domethënë dy dyshe, ‘dy’, ‘dy’. E kuptoi”. Në këto kushte, në atë kohë, nuk kishte kurrfarë arsye të pengonte shpalljen e fejesës sonë. Por kjo temë nuk kishte hyrë ende në bisedat tona. Unë isha shumë e re, por dhe fakti që ndiheshim shumë mirë bashkë, nuk na shtynte drejt zyrtarizimit të lidhjes sonë me atë që quhej shpallje e fejesës. Të dy ishim shumë të lumtur dhe pothuaj nuk na interesonin “ceremonirat”, siç i quanim ne. Unë mendoja dhe i thosha Ilirit se ka kohë për këtë, gjë që nuk na nguste dhe, kur Iliri më tregonte për ngacmimet që i bënin në shtëpi, unë e kaloja me një fjalë, “kur të rritem”. Kisha aq droje nga prezantimi në familjen e Ilirit, sa gati as nuk doja të mendoja për atë ditë, prandaj gjeja gjithmonë justifikim moshën.

Por, sa më shumë kalonte koha, gjërat për ne po ndryshonin. Filluan pëshpëritjet, sepse takimet tona, që përfundonin duke shëtitur në rrugët e Tiranës, u bënë më të shpeshta. Ilirin e njihnin shumë njerëz. Ai binte menjëherë në sy, trupgjatë, simpatik dhe për shumë veta ai ishte shëmbëlltyra e të atit. Ndaj e shikonin me kuriozitet dhe flisnin për të dhe të dy ne. Fjalët që dëgjoheshin për mua më shqetësonin, pasi kisha frikë se do t’u shkonin në vesh prindërve të mi. Unë nuk e kisha biseduar as me mamanë këtë punën tonë me Ilirin. Më vinte zor. Kurse iliri qe treguar më i avancuar. Ai e kishte biseduar me të ëmën, me të cilën ishte shumë i afruar dhe ia thoshte çdo gjë pa u druajtur.

“Që të dy flinim vonë, shkruan Nexhmija në ditarin e saj të datës 1 korrik 1971, Ilirit i pëlqen të bëjë muhabet me mua, kurse Sokoli s’do t’u futesh disa muhabeteve”. Iliri i kishte kërkuar mamasë që të mos ia thoshte Enverit, se ai do të kërkonte menjëherë ta shpallte. Ndërkohë edhe mua më kishte nisur preokupimi se si do t’ua thosha prindërve të mi. Me këto “siklete” na gjeti vera e pushimeve. Mendova se atje, në plazh, ku ishte një tjetër situatë, deti, shëtitjet mbrëmjeve, do të na favorizonin mua dhe Ilirin të shiheshim më shpesh. Megjithatë, edhe në plazh nuk ishte aq e lehtë të takoheshim me njëri-tjetrin. Të dy e kishim merak këtë, të mos binim shumë në sy të njerëzve.

Kur ishim me shoqërinë në det, kuptohet, mbanim distancë dhe komunikim si me të tjerët, si shokë, pa tërhequr vëmendjen e tyre. Kështu ikte tërë paraditja. Pasditeve ishte e vështirë të takoheshim. Edhe në shëtitjet e mbrëmjeve ishim përsëri me shokë dhe nuk shkëputeshim dot. Këtë situatë unë e kapërceja më lehtë, kurse Ilirin e brente nga brenda. Më vonë, në lidhje me këtë, lexova diçka interesante në ditarin e Nexhmijes. Në shënimin e datës 19 korrik 1971, ajo shkruan: “Iliri rri pak si i mërzitur. E pyeta mos ndiente ndonjë dobësi akoma nga gripi e kolla që hoqi. Pastaj biseduam mbarë e mbrapsht. E qortova që del i parruar. ‘Në shenjë proteste’, më tha”. “protestë ndaj kujt? në shoqërinë tonë s’ka pse të protestosh, se kontradiktat në shoqëri dhe aspiratat e njerëzve zgjidhen”.

“Protestoj se s’kam ku ta takoj, më tha, plazhi është tepër i ekspozuar”. “Aq më mirë, në shoqëri, lozni, bisedoni, notoni, i thashë. Dhe ai duke qeshur e duke tundur kokën m’u përgjigj: “Hajde mami, hajde, si flet, sikur s’kupton nga këto punë!… “Jo unë kuptoj, por gjersa e zgjodhe të vogël, tani prit, bëj durim, përndryshe fare mirë mund ta sillje në shtëpi”. Megjithatë, siç mësuam më vonë, Nexhmija nuk e kishte mbajtur vetëm për vete gëzimin që ndiente për lidhjen e Ilirit me mua…

FEJESA IME ME ILIRIN

NE DITEN E FEJESES SE TEUTES ME ILIR HOXHEN

Më 6 gusht 1972 u organizua ceremonia e fejesës sonë. Më 8 gusht, Enver Hoxha në ditarin e tij shkruan: “Kishim për drekë familjen e Aliajve: nënën e Ramizit, Ramizin, Semiramin dhe fëmijët fëmijët e tyre, Reshatin, Belin dhe Dianin e tyre. Dreka bëhej për nderin e Reshatit e të Belit, prindërit e Teutës. Ishte si me thënë (as babai nuk dinte ta shprehte, T.H) dita e fejesës së Ilirit me Teutën, një ditë shumë e gëzueshme për të gjithë ne.

Gëzimi ka kurdoherë emocione, edhe ai vetë është një emocion. Dreka shkoi shumë mirë, shumë ngrohtë, e thjeshtë e familjare. Asnjë ‘ceremoni tradicionale’. Ato nuk janë për ne, madje Iliri me Teutën na bënin indirekt presion që, kur të uleshim në bukë, të mos përdornim edhe fjalën ‘të trashëgohen’. Nuk i duan ceremonitë. Ne ua bëmë qejfin të rinjve, por kur i pritëm miqtë, shkëmbyem urimet dhe e bëmë të qartë se kjo për ne ishte një nga ditët tona më të gëzuara”. Por edhe Nexhmija ishte shumë e gëzuar. Ajo kishte jo vetëm emocione si nënë, por edhe merakun, si zonjë e shtëpisë, që çdo gjë të shkonte sahat, edhe miqtë të gëzonin e të ndiheshin rehat si në shtëpinë e tyre, por edhe nuk ia hiqte sytë Enverit, i cili dukej qartë që ishte shumë i gëzuar dhe i emocionuar.

Në raste të tilla, gëzimi dhe emocionesh, ajo zakonisht e shtonte përkujdesjen ndaj të shoqit. Nexhmijes atë ditë iu desh të përballej edhe me mbarëvajtjen e ‘ceremonisë’ e sidomos me respektimin e disa momenteve të traditës popullore, por pa ‘iu kundërvënë’ rinisë. Ajo shkruan shumë bukur për këtë moment në ditarin e saj: “Nëna (e Nexhmijes-T.H) dhe Sanoja ishin tepër kurioze se ç’do bënim ne, si nuk do të thoshim ‘të na trashëgohen’, ç’është kjo mocë e re?! Ne e rregulluam që të rriturit erdhën në fillim, kurse të rinjtë dhe fëmijët kur u shtrua dreka.

Enveri qeshte me nënën dhe i thoshte : Ç’dëgjoni Ilirin? Ju bëni si të bëj unë. Dhe ajo që bëri Enveri, ishte që kur erdhi pija, ngriti gotën e tha: Të na trashëgohen Iliri me Teutën, ata u njohën, u lidhën me njëri-tjetrin dhe ne jemi dakord e të gëzuar, e fjalë të tjera të mira për Teutën dhe ndonjë dhe për djalin tonë.

 Prapë nëna donte të siguronte me këtë të drejtën e shpalljes së fejesës, ç’t’u themi njerëzve kur na pyesin. Ne thamë parullën tonë, do themi: shoqërohen, në ato ujëra janë, por shpallje e bori për fejesë nuk do të vëmë, se s’ka kuptim. Kur dolëm të hamë bukë, thërritëm dhe fëmijët për të bërë fotografi, aty Enveri tërhoqi veç Ilirin e Teutën të bënin fotografi bashkë të dy, por atyre u vinte turp dhe Iliri ma hodhi një vështrim si qortim që nuk e mbajtëm fjalën. Në fakt, Iliri rri e del lirisht me Teutën në plazh dhe njerëzit nuk hanë bar, por ka një farë të drejte, të rinjtë nuk i kanë qejf formalitetet ceremoniale e sidomos bujën që bëhet për këtë eveniment kur është fjala për fëmijët tanë.

Kështu, fejesë me ceremonira nuk bëmë, nishane e peshqeshe nuk ndërruam, por data 6 gusht duhet konsideruar si data e fejesës së Ilirit”. Dhe vërtet, në këtë fejesë të thjeshtë nuk shkëmbyem unaza dhe kjo nuk ndodhi as kur u martuam. Ne vepruam ashtu siç kishin bërë prindërit e Ilirit, që nuk mbajtën kurrë unazë në gisht.

Enver Hoxha hedh përshtypjet edhe për prindërit e mi, që i takonte për herë të parë. Ai bisedoi aq përzemërsisht me ta dhe u tregua aq i afërt, sa dukej sikur i njihte prej kohësh. Edhe pse i shihte për të parën herë atë ditë, ai ka vënë re dhe ka nxjerrë në pah tiparet themelore të tyre, gjë që e shpreh në ditarin e tij, ku i karakterizon “njerëz të mirë dhe të thjeshtë”. Të tillë ishin ata vërtet, njerëz të respektuar dhe shikonin e mbështeteshin në punën e tyre. “Reshatin me Belin-shkruan Enveri,- i pashë për herë të parë. Janë njerëz të mirë dhe të thjeshtë. Të shkojnë fëmijët jetë të lumtur e të gëzuar dhe e mbushçin shtëpinë e tyre plot me kalamanë!”.
Dhe me të vërtetë, ajo drekë ishte e thjeshtë, por e mbushur gjithë gëzim dhe urime për lidhjen tonë, që koha e tregoi se u qëndroi edhe viteve më të vështira që u përball familja jonë, nga ndryshimet politike që ndodhën në Shqipëri në vitet ’90. Fotografitë dhe filmat e kësaj dite janë dëshmia më e mirë e gëzimit që ndienin të dy familjet për fejesën tonë.
Disa muaj më vonë, më 10 shkurt 1973, Enver Hoxha me Nexhmijen erdhën për vizitë në shtëpinë e prindërve të mi. Ai ishte shumë i kujdesshëm dhe i respektonte zakonet e traditës. Shumëkush mund të ketë kureshtje se çfarë roli ka luajtur xhaxhai im, Ramizi, në gjithë këtë ngjarje dhe më pas. Siç më rrëfeu mamaja ime, ditën që ai vajti në shtëpinë e të vëllait, për të përcjellë fjalët e Nexhmijes, për takimin tim të parë me Enver Hoxhën, në bisedë e sipër kishte thënë: “A është e përgatitur Teuta për këtë ndryshim të madh në jetë?”.

Këto fjalë unë i mora si një mesazh nga ana e tij, se hyrja në shtëpinë e Enver Hoxhës, më parë se si privilegj, ishte dhe një përkushtim dhe përgjegjësi e madhe. Këto fjalë i vura vath në vesh, por kuptimin e vërtetë të tyre e mësova vite më vonë. Edhe kur lidhja ime me Ilirin u zyrtarizua dhe unë hyra në familjen e tij, me gjithë marrëdhëniet shumë të afërta që kisha me xhaxhain, ai asnjëherë nuk më foli dhe nuk më pyeti se si e kaloja në familjen e Enver Hoxhës.
Jo se ishte indiferent, jo se nuk tregonte interesim për mua dhe për njerëzit e shtëpisë sime, sepse jo vetëm nuk ndërhynte në punët e të tjerëve, por edhe se më njihte mirë dhe

 se kishte shumë besim tek unë që do të dija t’i bëja vend vetes edhe në familjen e Enver Hoxhës. Gjithsesi, dashurinë dhe ngrohtësinë e tij unë e kam pasur dhe e kam ndier pa ndërprerë. Ai më konsideronte jo si mbesë, por si vajzën e vet dhe përkujdesja, interesimi i tij ndaj meje ishte i natyrshëm e pa dyshim që edhe këshillat e tij nuk mungonin.
Po sjell këtu vetëm një rast, kur ai më dha një mendim tepër të vyer për mua, sepse qe një ndihmë e madhe, sidomos lidhur me marrëdhëniet e mia me prindërit e Ilirit. Disa ditë pas martesës sime, u ndeshëm në rrugë me të, ngaqë shtëpitë tona ishin afër njëra-tjetrës. Atë ditë kisha veshur një fustan të thjeshtë, por në bel kisha vënë një zinxhir të verdhë, një pjesë e të cilit varej poshtë.

Nuk mbaj mend se kush ma kishte sjellë dhuratë. Pasi u përshëndetëm dhe më pyeti se nga po shkoja, m’u drejtua: “Ç’është kjo që ke vënë?!”. E kishte fjalën për zinxhirin. Unë e kuptova që nuk e pëlqeu, ndaj nxitova të justifikohesha: “Po këtë e pa dhe mamaja e Ilirit dhe nuk më tha gjë?!…”
“Dëgjo, -më tha ai, -këtë kije këshillë nga unë.
Asnjëherë mos e bëj veten që të detyrosh Nexhmijen dhe aq më pak shokun Enver të të bëjnë vërejtje. Ti duhet të jesh shumë e  kujdesshme, që të mos i vësh ata në pozitë të vështirë”. Kjo ka qenë e para dhe e fundit herë që xhaxhai më foli hapur se si duhej të sillesha në atë familje. Nuk e harrova kurrë atë fjalë. Dhe kurdoherë u përpoqa të mos e bëja veten të më qortonin apo t’u sillja shqetësime prindërve të Ilirit.

Këshilla nga ata merrnim të gjithë ne, rinia e asaj shtëpie, çka ishte krejt normale në raportin prindër-fëmijë. Ramizi edhe në vizitat që bënte në familjen e Enver Hoxhës, ku ishin të gjithë pjesëtarët e familjes, nuk bënte dallim për mua, më trajtonte jo si mbesën e vet, por si gjithë të tjerët. Këtë e bënte në respekt të familjes së Enver Hoxhës.

Dhe kjo sjellje e tij nuk ndryshoi as pas vdekjes së Enver Hoxhës.
Jam krenare që edhe tani, pas dyzet e tre vjetëve, që kur kam hyrë në shtëpinë e Enver Hoxhës, marrëdhëniet e mia janë të shkëlqyera me të gjithë pjesëtarët e familjes (përveç çiftit që u vetëlargua nga familja) me të gjitha fisin, me miq e të njohur të tyre. Për këtë u jam shumë mirënjohëse prindërve të mi për edukatën që më dhanë, duke mos harruar dhe xhaxhain tim të paharruar, Ramiz Alinë, që, me urtësinë që e karakterizonte, me kulturën e tij dhe dashurinë e madhe ndaj të vëllait dhe familjes së tij, u bë pjesë e rëndësishme e edukimit tim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura