Tërshana: Këngëtarët më të mirë nën vëzhgimin e Sigurimit

Sep 8, 2015 | 1:00
SHPËRNDAJE

Ishte vetëm 38 vjeç kur u largua nga skena. E ndjeu se kohët po ndërronin. Se ishte koha e këngëtareve të bukura, që, veç zërit, dinin edhe t’i përshtateshin skenës dhe shijeve të publikut. “Doja të tërhiqesha me dinjitet”, thotë këngëtari Tonin Tërshana, të cilin debati mbi këngëtaret e viteve ’70-’80 e ka kthyer pas, në vitet kur ai ishte një këngëtar i dashur për publikun dhe fitonte edhe çmime të para.

tershanaNdihet nostalgjik. Sipas tij, atëherë këngëtarët këndonin ëmbël. Kënga kishte muzikë dhe tekst, që i mbetej në mendje e këndohej nga publiku, kurse sot, thotë ai, pas festivalit gjithçka humbet.

Me mall ai kujton edhe kolegët e atyre viteve. Kujton Vaçe Zelën, kohët kur të dy pinin ndonjë gotë ponç pas skene, që vetë “shokët e udhëheqjes” ia kishin dërguar këngëtares. “Vaçe Zela kishte më shumë pushtet se anëtarët e Byrosë Politike”, thotë Tonin Tërshana, sipas të cilit, artiste si Vaçja vijnë vetëm një herë në jetë.

Për sa iu takon këngëtareve si Parashqevi Simaku e Lindita Theodhori, ai thotë se publiku i donte. Madje Parashqevia kthehej disa herë në skenë prej duartrokitjeve të publikut. Kur e pyet nëse Sigurimi i Shtetit depërtonte te këngëtarët, ai thotë se ndonjë i paaftë edhe mund të merrej me “punë të tilla”, kurse ata më të mirët ishte e pamundur të rekrutoheshin, madje, sipas tij, ishin në survejim nga Sigurimi.

Po drejtues të tjerë politikë e partiakë të asaj kohe kë kanë pasur këngëtar/këngëtare të preferuar?
Nuk di të vë gishtin. Për Vaçen e thashë se kam qenë prezent vetë, për të tjerët nuk e di, duhet ta thonë artistët vetë se nuk mund t’i hyj në hak kujt.

Në Festivalin e 11-të fituat çmimin e parë, por nuk është se patët ndonjë pasojë, siç ndodhi me shumë artistë të tjerë…
Pasojë ishte mospjesëmarrja në festival vitin e ardhshëm, por gjithsesi për mua ishte festivali më i bukur.

Thoni “më i bukur”, ndërkohë që pati shumë dënime artistësh?
Po flas për përmbajtjen, sepse çfarë ka ndodhur më pas është folur me qindra herë. Për herë të parë u hoq dublimi i këngëtarëve. Në rast se më parë të njëjtën këngë e këndonin dy këngëtarë, në Festivalin e 11-të u vendos rregulli që çdo këngëtar do të kishte këngën e tij dhe vetëm një. Pra, nuk mund as të këndonte 2 apo 3 këngë në festival, siç ndodhte më parë. Edhe këngët e atij festivali kanë qenë mjaft të realizuara dhe të avancuara. Madje, unë, Pjetër Gaci dhe Mustafa Krantja do të shkonim në Festivalin Europian, që do të zhvillohej në Gjermani.

Shqipëria në Festivalin Europian, në vitin 1972?
Tonin_TërshanaPo, Festivali në Tiranë u bë më 1972 dhe ne në mars të vitit 1973 do të shkonim në Europianin që bëhej në Mynih të Gjermanisë. Në rast se nuk do të ishte dënuar ai festival në Tiranë, sigurisht që ne do të ishim dhe në Festivalin Europian. Ka pasur një liberalizëm të muzikës atë kohë dhe te ne, por më pas dihet çfarë ndodhi në festival. Kënga në Gjermani do të këndohej në gjuhën shqipe atë kohë. Por ndodhi çfarë ndodhi dhe gjithçka u anulua.

Në vitin 1988, ju u shkëputët nga festivali dhe gjatë bisedës që patëm, thatë që nisi konkurrenca e fortë, pati “shpërthim” të këngëtareve femra në festival. A ishin ato një shkak që ju të largoheshit nga skena, në moshën 38- vjeçare?
Është e vërtetë, pati “shpërthim” të këngëtareve femra. Kur fiton eksperiencë, e nuhat edhe se kur duhet të tërhiqesh. E pashë se festivalet po merrnin drejtim me shije të tjera, tërhiqeshin më shumë nga këngëtaret femra që mbanin ritmin, visheshin bukur e lëviznin nëpër skenë. Nuk po i gjykoj, ishin këngëtare me zë të bukur e të zonja, por këto elemente që i donte “plus” publiku i kishin nga natyra, ua kishte bërë dhuratë Zoti. Nuk di të them për të tjerët, por duke parandjerë shijet e publikut, personalisht nisi të më dukej vetja i tepërt në festival. Nuk përshtatesha dot, kështu që i thashë vetes “tërhiqu me dinjitet”. Sepse kur kalon shumë vite në skenë dhe ke fituar çmime, pastaj nuk e përballon dot më faktin që mund të hysh e të dalësh nga festivali thjesht si pjesëmarrës. Doja të mbahesha mend për mirë nga publiku. Doja të tërhiqesha “faqebardhë” nga festivalet dhe mendoj se ia kam arritur.

Sa ka depërtuar Sigurimi i Shtetit te këngëtarët?

Parashqevi Simaku
Parashqevi Simaku
Nuk ka depërtuar te këngëtarët dhe unë kam shpjegimin tim për këtë. Sepse këngëtari binte në sy. Radio dhe Televizioni e bënte këngëtarin aq të famshëm, saqë po t’i afrohej Sigurimi, do të binte në sy. Mbase ata që nuk kanë ditur të këndojnë dhe aq bukur janë marrë me atë punë (Sigurimin), por këngëtarët që kishin zë dhe ishin faktorë nëpër festival, nuk u afrohej kush për t’i rekrutuar. Përkundrazi, këngëtarët më të mirë ishin nën vëzhgim…

A kanë qenë të merituara çmimet e para që janë dhënë në festivale?
Mua më vjen keq ta them se nuk kanë qenë të merituara, se edhe vetë kam qenë 4 herë fitues i çmimit të parë në Festivalin e RTSH-së. Megjithatë, duhet ta pranojmë se ka pasur edhe këngë që nuk kanë qenë aq të bukura, por kanë fituar çmim të parë nga tekstet, nga tematika që i ka shkuar për shtat sistemit etj. Për shembull, “Buka e duarve tona” apo plot këngë të tjera për Partinë e aksionet, se nuk po i marr me radhë. Dhe nuk është faji as i këngëtareve për këtë dhe i askujt, atëherë ishte krejt normale, madje të sillnin entuziazëm këto këngë, sado absurde të duket tani.

Keni kënduar edhe ju nga këto lloj këngësh me tekste për Partinë?
Po, kam pasur. Të tilla këngë “ushqenin” festivalin. Për shembull, unë kam kënduar këngën “Partia ime”, me tekst të Ismail Kadaresë dhe kompozitor Agim Krajka etj., etj.

Gjithsesi, këto këngë, siç e thatë edhe ju, ishin “ushqyese”, pra, vetëm sa mbushnin festivalin, sepse fituese më së shumti kanë dalë ato me tekste romantike, ku kishte ca dashuri…
Në festivalet e para kishin rëndësi këngët për Partinë dhe aksionet, apo këngët patriotike, por më pas, prioritet për të fituar kishin këngët “e ëmbla”.

Këngë “të ëmbla” ka pasur disa Parashqevi Simaku dhe ka mjaft debate mes artistësh, nëse i ka merituar apo jo çmimet e para, apo ka pasur ndonjë shtysë tjetër?
Ka qenë këngëtare e mirë. Unë nuk dua të merrem me jetën e saj private, por dua të jap një shembull. Nuk mund të fitoje çmim të parë thjesht se kishte dashamirësinë dikush ndaj teje apo se të dashuronte ndokush. Çelësi ishte të të donte publiku dhe për hir të së vërtetës, Parashqevinë e deshi jashtë mase publiku. Kur dilte ajo në skenë pritej me duartrokitje të mëdha dhe pas përfundimit të këngës, publiku e rikthente disa herë për ta duartrokitur sërish.

Por a ishte Parashqevia e privilegjuar ashtu si Vaçja që të përzgjidhte këngët? Pak e privilegjuar. Fitoi edhe ajo disa privilegje në zgjedhjen e këngëve, por asnjëherë sa Vaçja. Nuk e arriti dot autoritetin e Vaçes, as Parashqevia dhe asnjë këngëtare tjetër.

Pse mendoni kështu?

VAÇE ZELA
VAÇE ZELA
Mendoj kështu, sepse me Vaçen kam ndenjur shumë dhe e njoh mirë. Madje, nga Vaçja kam pasur një porosi shumë të veçantë. Më ka thënë: “Tonin, e kam fituar pushtetin dhe ti e sheh. Edhe ti e fiton, nëse këndon çfarë të duan këta (udhëheqja). Asnjëherë nuk ke për të ecur, nëse nuk këndon këngët që duan këta, mos lakmo”. E vura vath në vesh këtë këshillë të Vaçes dhe nisa të këndoja këngët me përmbajtje partie, patriotike etj. Dhe nuk më doli keq (qesh).

A ndihej xheloze Vaçe Zela për këngëtaret e tjera?
As e njihte fare xhelozinë, se nuk ishte nevoja. Ajo ishte e para dhe as diskutohej. Madje ishte shumë e dashur dhe të jepte këshilla. Siç më dha mua, edhe pse fundja kisha fituar çmim të parë. Ajo më paralajmëroi si të veproja për të ecur, për të fituar prapë çmime të para dhe jo se si të ngecja e të përjashtohesha nga festivalet.

Meqë thatë se e njihnit mirë Vaçe Zelën, a është e vërtetë se ajo pinte ponç, para se të dilte në skenë, për shkak të emocioneve që kishte para se të këndonte?
Po, është e vërtetë. Madje Vaçe Zelës ia sillnin ponçin dhe ca mandarina vetë ata të udhëheqjes, ia dërgonin me truprojat. Ajo më ka thirrur mua dhe kemi pirë bashkë me të ponç kushedi sa herë, para se të dilnim në skenë. Që të jem i qartë, nuk është se dehej, por e pinte se “ia mbyste” emocionet e forta të skenës.

Thatë në mënyrë të përmbledhur se “udhëheqja” i sillte ponç Vaçes, më konkretisht cilët nga ata?
Të gjithë, ndiheshin të nderuar t’i sillnin ponç, mandarina, portokaj apo ndonjë dhuratë tjetër Vaçes. Di të them vetëm kaq: Më shumë autoritet ka pasur Vaçja në atë kohë, sesa anëtarët e Byrosë Politike. Ajo i kishte dyert të hapura kudo dhe kushedi sa herë ka zgjidhur hallet e problemet e shumë këngëtareve, i ka shpëtuar nga ndëshkimet.

Edhe Enver Hoxha ishte dashamirës ndaj Vaçe Zelës, duke përfshirë edhe dhuratat?
Po, po, Enveri është në krye. I ka dashur shumë këngët e Vaçes. Vaçja ishte nga ato talentet e rralla që vijnë një herë në jetë, por pati edhe zgjuarsinë e madhe që e menaxhoi veten, derisa u bë autoriteti VAÇE. Këndonte kur donte vetë, në punë tek Estrada mund të rrinte edhe 6 muaj pa shkuar dhe gjysmë fjale nuk i thoshte dot njeri. Nuk guxonin…

Cilat kanë qenë, sipas jush, këngëtaret më të mira në ato vite?
Ata/ato që u kanë rezistuar viteve, Ema Qazimi, Liljana Kondakçiu, Lindita Theodhori, Alida Hisku, Arta Babaramo, Myfarete Laze, për të mos folur për Irma Libohovën, që u ka rezistuar viteve me sukses dhe i është përshtatur kohës.

Përveç Arta Babaramos, cila ka qenë ndonjë këngëtare tjetër shumë e mirë, që pikasi në festival, por pastaj u zhduk?
Ëngjëllushe Daja, i ngjante zërit të Vaçes. Ka kënduar në Festivalin e 11-të të RTSH-së, ku mori çmimin e dytë me këngën “Revolucioni marshon”. Ishte një zë brilant. Pastaj nuk mora vesh se çfarë ngjau me të, por nuk doli më asnjëherë në festival.

Është folur këto ditë edhe për Lindita Theodhorin, që, ashtu si edhe për Parashqevi Simakun, janë vënë në dyshim vlerat e saj si këngëtare dhe çmimet që ka marrë. Cili është mendimi juaj për këtë këngëtare?
Nuk kam qejf të merrem me fjalë. Nuk dua të merrem me jetën e saj personale, se jam burrë i vjetër tani dhe as nuk më ka hije. Por sa për zë, ka pasur që ç’ke me të. Ka qenë këngëtare shumë e mirë e asaj kohe, kaq di të them. Madje, në festivalin e vitit 1972, ku unë mora çmimin e parë me këngën “Kur vjen pranvera”, kam pasur rivalitet të fortë me të për fitoren. Ajo këndonte “Kafe Flora, burra plot”, me kompozim të Agim Krajkës. Madje, opinioni ishte se Lindita do të fitonte.

Por si u përmbys rezultati?
Po kujtoj një episod. Kemi qenë atë ditë te kafe “Vollga” me Fatos Arapin dhe ca miq, po prisnim finalen dhe po pinim konjak. Edhe Agim Krajka me Linditën dhe ca të tjerë ishin në një tavolinë afër nesh. Agimi na qerasi sepse po flitej se çmimin e parë do ta merrte Lindita, pra, kënga e kompozuar prej tij. Ata ishin përgatitur për fitore. Kur u bë finalja, e përmbysi rezultatin Tirana, Durrësi, Elbasani. Atëherë bëhej votimi sipas rretheve. Rrethet kishin nga 200 pikë gjithsej për 20 këngë, ndërsa Tirana kishte 400 pikë. Durrësi dhe Elbasani më dhanë secili nga 44 pikë, Tirana 100 pikë dhe unë lëviza kështu shumë në avantazh. Agim Krajka mori çmimin e dytë. Gjithnjë çmime të dytat diheshin, i merrte Krajka (qesh).

Me cilin kompozitor keni bashkëpunuar më shumë në festival?
Me Pjetër Gacin, Agim Prodanin, Kujtim Laron. Keni pengje nga jeta artistike? Pengu im në jetën artistike, që nuk jam i ri sot. Ky është pengu më i madh. Ka ardhur kohë e bukur për rininë.

Si ju duken këngët e festivaleve sot?
Koha evoluon. Çfarë shikoj është se sot në festivalet e këngës ka rënë në mënyrë të ndjeshme kompozimi i melodisë, i këngës, apo dhe tekstet. Kjo natyrë këngësh të lehta që vjen sot, mua nuk më pëlqen shumë. Më pëlqen më shumë ajo nostalgjia e viteve tona, sepse këngëtarët në ato vite këndonin shumë ëmbël, shumë bukur. Unë dëgjoj këngët që vijnë në festivale sot, por asnjë prej tyre nuk më ngjit. Në kohën tonë, nga secili festival kishte 4-5 këngë që mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë më pas. Ndërsa sot, brenda vitit askush nuk e kujton dot një këngë, madje as një refren…

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura