Tërmeti shkatërrues i Turqisë ndodhi në një moment kritik për të ardhmen e vendit

Feb 9, 2023 | 12:22
SHPËRNDAJE

Jeta e miliona njerëzve në Turqi dhe Siri ndryshoi përgjithmonë ditën e hënë, pasi dy tërmete radhazi shkaktuan valë shkatërruese përgjatë qindra kilometrave.

Termet-turqi-e1675941303967

Me nëntë orë diferencë dhe magnitudë 7.8 në Turqi dhe 7.5 në Siri sipas shkallës Rihter, tërmetet ishin më të fortët në rajon në gati një shekull.

Numri i viktimave nga tërmetet i tejkalon 17,000, ndërkohë që ka ende shumë të zhdukur dhe të plagosur në gjendje kritike. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se numri i personave të prekur nga fatkeqësia është 23 milionë. Të paktën 6,000 ndërtesa u shembën, shumë prej të cilave me banorë ende brenda. Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë të jenë prioriteti kryesor, me rreth 25,000 individë të grupeve të shpëtimit në Turqi dhe mijëra të tjerë të dërguar nga jashtë. Por një stuhi e hidhur dimri kërcënon tani jetën e të mbijetuarve dhe të atyre që janë ende të bllokuar nën rrënoja.

Siria, e shkatërruar nga 12 vjet luftë dhe terrorizëm, është më pak e përgatitur për t’u marrë me një krizë të tillë. Infrastruktura e saj është varfëruar shumë dhe vendi mbetet nën sanksionet perëndimore. Mijëra njerëz në zonat e prekura janë refugjatë ose janë të ardhur nga rajone të tjera të vendit.

Analistët  e rajonit shqetësohen për efektin afatgjatë që katastrofa mund të ketë në Turqi. Vendi me një popullsi prej 85 milionë banorë ishte i zhytur në probleme ekonomike, ku ushtria, ekonomia dhe politika e vendit kanë një ndikim të madh përtej kufijve të saj.

Një vit vendimtar për Turqinë

Ky vit do të shërbejë si një pikë kritike kthese për Turqinë, pasi ajo i afrohet zgjedhjeve presidenciale më 14 maj. Rezultati zgjedhjeve, pavarësisht qëndrimit ose jo në pushtet të presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, ka pasoja masive për popullsinë, ekonominë dhe monedhën e Turqisë, si dhe për demokracinë e vendit.

Përgjigja e Erdoganit ndaj katastrofës dhe kërkesat për shpjegime se pse kaq shumë ndërtesa nuk ishin projektuar për t’i bërë ballë lëkundjeve të tilla, do të luajnë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e tij politike.

Erdogan bëri thirrje për zgjedhje të hershme në muajin maji, ndërsa vendi ndodhet në një krizë kombëtare të kostos së jetesës, me inflacion mbi 57%, ndërkohë që gjatë periudhës gusht – nëntor, inflacioni arriti vlera mbi 80%. Disa analistë komentojnë se kjo dëshmon nxitimin e Erdoganit për të siguruar një mandat tjetër në pushtet, përpara se politikat e tij të diskutueshme ekonomike të dështojnë.

Gjithashtu, në vend po zbatohet një mënyrë shumë e kushtueshme  për të ulur përdorimin e dollarit në ekonomi. Vendasit mund të mbajnë depozita bankare me një normë interesi 13%, bashkë me premtimin se humbjet e tyre do të mbulohen, nëse monedha zhvlerësohet më tej. Analistët janë të shqetësuar se ky skenar i krijuar nuk mund të mbahet për një periudhë të gjatë kohore.

Për më tepër, premtimet e mëparshme parazgjedhore, lëvizjet populiste si rritja e pagave dhe ulja e moshës së pensionit, mund të jenë të pamundura tani, pasi më shumë fonde publike do të duhet të riorganizohen për të përballuar rindërtimin e qyteteve të shkatërruara.

Ankthi ekonomik

Rënia ekonomike e Turqisë është nxitur nga një kombinim i çmimeve të larta botërore të energjisë, pandemisë Covid-19 dhe luftës në Ukrainë. Rol kanë luajtur edhe politikat ekonomike të drejtuara nga Erdogan, që kanë kontrolluar normat e interesit pavarësisht rritjes së inflacionit, duke e ulur lirën turke në vlera rekord kundrejt dollarit. Rezervat valutore të Turqisë kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit dhe deficiti i llogarisë rrjedhëse shtetërore është rritur.

Lira turke humbi gati 30% të vlerës së saj kundrejt dollarit vitin e kaluar, duke dëmtuar rëndë fuqinë blerëse të turqve dhe popullaritetin e Erdoganit.

Partitë opozitare të Turqisë nuk e kanë paraqitur ende kandidatin e tyre. Kundërshtari më i fortë i mundshëm, kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, u arrestua dhe u ndalua për të qenë pjesë e politikës në muajin dhjetor, me akuza që aleatët e tij thonë se janë politike dhe përdoren vetëm për ta penguar atë që të kandidojë për president.

Vitet e fundit, investitorët i kanë tërhequr paratë e tyre nga Turqia me shumicë.

“Kur bëhet fjalë për investimin në Turqi, ne ende besojmë se është një vend i qëndrueshëm për të investuar,” tha Mark Mobius, specialist në tregjet e vendeve në zhvillim. “Në fakt, ne kemi investime atje. Arsyeja është se turqit janë kaq fleksibël, aq të aftë për t’u përshtatur me të gjitha këto fatkeqësi dhe probleme, përfshirë edhe inflacion e lartë dhe Lirën turke shumë të dobët. Pra, nuk na tremb aspak të investojmë në Turqi. ”

Mobius vuri në dukje çështjen e ndezur të përgatitjes së Turqisë për tërmetin, e cila së shpejti mund të ndikojë në mundësitë e Erdoganit për zgjedhje.

“Ky është një nga problemet më të mëdha, ndërtimi në disa prej këtyre zonave nuk është në nivelin e duhur,” tha ai.

Roli i fuqishëm i NATO-s dhe Turqisë në skenën globale

Ndërkombëtarisht, e ardhmja e Turqisë ndikon në luftën në Ukrainë, duke pasur parasysh rolin e presidentit turk Erdogani, si ndërmjetës midis Ukrainës dhe Rusisë. Turqia është anëtari kryesor i NATO-s, që mbetet ende pengese për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancën e fuqishme të mbrojtjes.

Ankaraja po ndërmjetëson gjithashtu Iniciativën e Detit të Zi për drithërat midis Ukrainës dhe Rusisë, e cila lejon që furnizimet jetike të grurit të eksportohen nga Ukraina në pjesën tjetër të botës, pavarësisht bllokadës detare ruse në portet e Detit të Zi të Ukrainës.

Përgjigja e Erdoganit ndaj tërmeteve dhe performanca e zgjedhjeve te ardhshme, do të ketë ndikim në të gjitha këto.

Turqia do të lehtësohet nga trysnia e perëndimit mbi qëndrimin e saj në NATO pas tërmeteve, por jo për shumë kohë, thotë Sinan Ulgen, kryetar i Qendrës për Ekonominë dhe Politikën e Jashtme me qendër në Stamboll.

Tani për tani, aleatët perëndimorë dhe vende nga e gjithë bota po dërgojnë ndihma dhe ekipe shpëtimi për të ndihmuar përpjekjet e Turqisë. Ankarasë do t’i duhet të bëjë shpenzime publike masive për të mbështetur njerëzit në nevojë, si dhe për të rindërtuar të gjitha zonat e prekura nga tërmetet.

“Një avantazh i fortë është se Turqia ka hapësirë fiskale,” tha Ulgen. Turqia ka një raport të borxhit publik ndaj PBB-së prej rreth 34%, që është shumë i ulët në krahasim me SHBA-në dhe Evropën. Sipas tij, kjo “do të thotë se Turqia ka hapësirë për shpenzime fiskale, edhe nëse kjo nënkupton një rritje të konsiderueshme të raportit të borxhit publik”.

Si një vend i madh, Turqia ka kapacitet të konsiderueshëm për të trajtuar emergjencat natyrore. Megjithatë, shtoi Ulgen, “gjithsesi do të ishte i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur këtij lloji fatkeqësie”. / Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura