Tërmet Peçi në krah të Xhufit: Ekzagjerim dhe racizëm ndaj Tepelenës

Apr 2, 2018 | 16:07
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ 

 Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, mbështet opinionin e historianit Pëllumb Xhufi mbi kampin e Tepelenës. Pas thirrjeve të Xhufit për të ndalur restaurimin e kampit të Tepelenës, në një intervistë për “Panorama”, Peçi kujton se ka një ekzagjerim dhe racizëm ndaj atij kampi. 

Kryebashkiaku i Tepelenës thekson se ka mbështetur Autoritetin e Dosjeve për të rindërtuar këtë kamp me qëllim që të respektojë viktimat e komunizmit dhe për të evidentuar historinë e asaj zone, por Peçi paralajmëron se kush do të tentojë ta zëvendësojë këtë respekt me mungesën e respektit për luftën, do t’i tregohet vendi. Peçi deklaron se do të ndihmojë çdo iniciativë që afron shqiptarët me njëri-tjetrin dhe jo çdo ekstremist, që mendon se ka ardhur dita të shfaqë dufet e veta politike apo krahinore. Sipas kryebashkiakut të Tepelenës, institucioni i drejtuar prej tij do të bashkëpunojë për t’i bërë homazh viktimave të sistemit komunist, por jo për të kënaqur dufe ekstremistësh.

termet-peci-tepelene-31-maj-2011

Çfarë bashkëpunimi keni pasur me Autoritetin e Dosjeve për ta shndërruar kampin e Tepelenës në një destinacion historiko-turistik?

Është një projekt i Autoritetit të Dosjeve prej më shumë se një viti që synon të respektojë vuajtjet e viktimave në ish-kampin e Tepelenës në fund të viteve 1949- 1953. U kemi ofruar ndihmën tonë dhe detyrimet që kemi si bashki për projektin e tyre.

Historiani Pëllumb Xhufi, në një intervistë të dhënë për “Panorama”, ju ka kërkuar të mos e mbështesni një iniciativë të tillë, pasi, sipas tij, qyteti i Tepelenës ka qenë vatra e kryengritjeve dhe luftërave për liri dhe demokraci të popullit shqiptar dhe nuk duhet identifikuar me të tilla muze. Ju, çfarë mendimi keni për këtë?

Sa për profesor Pëllumb Xhufin, personalisht mendoj se është një vlerë e rëndësishme e kulturës sonë. Si i tillë është i respektuar dhe i nderuar, prandaj edhe këshillat e tij miqësore për ne janë shumë të vlefshme. Sigurisht që krahina e Labërisë ka një histori të jashtëzakonshme dhe si e tillë duhet promovuar më shumë dhe për këtë profesor Xhufi ka shumë të drejtë, pasi mendoj se nuk është bërë aq sa duhet. Për këshillën e tij në lidhje me muzeumin, mendoj se vërtetë duhet dëgjuar me kujdes dhe vlerësuar konteksti për të cilën ai mendon se ky muze nuk mund të ngrihet në Tepelenë.

Por ne si bashki po kërkojmë të promovojmë të gjitha vlerat historike, kulturore në dobi të atraksioneve turistike. I rëndësishëm është konteksti i përdorur në këtë ngjarje, pra, ne do të ishim shumë dakord që ky muze të bëhej atje ku është kërkuar, duke shmangur çdo lloj hiperbolike apo shndërrimi historik për qëllime të tjera. Ka një ekzagjerim nga palët në debat rreth historisë së kampit dhe ajo që është paksa e shëmtuar, është identifikimi si kampi i Tepelenës. Kam vënë re që ka doza racizmi në mënyrën se si duan ta theksojnë këtë, por janë gjëra që mund të tejkalohen.

Ai ishte një kamp grumbullimi, dëbim-internimi i diktaturës dhe jo i Tepelenës, por në Tepelenë profesor Xhufi ka hyrë në polemikë për ekstremizimin që i bëjnë situatës dhe identifikimin me Tepelenën. Ne do të ndihmojmë çdo iniciativë që afron shqiptarët me njëri-tjetrin dhe jo çdo ekstremist që mendon se ka ardhur dita të shfaqë dufet e veta politike apo krahinore.

Kampi i Tepelenës nuk është histori partizanësh dhe diversantësh, por histori e sistemit komunist. Kushdo të tentojë që të zëvendësojë respektin që ne kemi për viktimat e komunizmit me mungesën e respektit që ata kanë për luftën, natyrisht që do t’i tregojmë vendin. Ne po bashkëpunojmë për t’i afruar shqiptarët me njëri-tjetrin dhe për t’u bërë homazh viktimave të sistemit komunist e jo për të kënaqur dufe ekstremistësh.

Çfarë dijenish keni ju për kampin e Tepelenës dhe kushtet që ka pasur për të burgosurit në atë kamp, pasi ditët e fundit është hapur një debat për të, pas deklaratave të z.Xhufi?

Unë jam i ri dhe nuk e kam arritur kampin. Kampi, në dijeninë time, ka funksionuar për katër vite, nga 1949-1953 dhe ishin kryesisht familje nga Mirdita dhe zona të tjera veriore të Shqipërisë nën masën e dëbim-internimit, sidomos për vrasjen e Bardhok Bibës, nga ata që quheshin diversantë. Popullsia lokale ka qenë shumë dashamirëse me ta dhe i ka ndihmuar sa ka mundur. Natyrisht, njerëzit nuk mund të ndikonin në kushtet e tyre në kamp, por ishin miqësorë me ta në rrugë apo vendet ku punonin.

Ato kazerma ku ishin vendosur, ishin ndërtuar nga Italia në vitet ‘30 dhe janë në perëndim të qytetit, rreth 2 km. Më pas, ata janë shpërndarë nga kampi në fshatra, duke jetuar si gjithë banorët e tjerë të fshatrave. Pra, bëhet fjalë për një kamp vetëm katër vjet. Shikoj që ka një mbingarkesë në mënyrën sesi pasqyrohet në shtyp dhe njerëzit që kanë humbur jetën, sidomos fëmijët. Pashë dje një reportazh për dy gra, të cilave u kishin vdekur dy fëmijët e tyre në fshatin Turan dhe kishin shkuar e kishin rimarrë eshtrat. Tani këtu nuk duhet spekuluar. Kampi ka qenë në Tepelenë dhe ata fëmijë, në rastin konkret, kanë vdekur pasi nuk kanë qenë në kamp, por në fshat, pasi kampi është prishur pas 4 vitesh.

Ashtu kanë vdekur dhe fëmijë të njerëzve të painternuar, se Shqipëria ka qenë vend i varfër dhe i mjerë. Dhe gjyshërve tanë u kanë vdekur fëmijë, edhe pse ishin komunistë. Të mos i ngatërrojmë qëllimisht dhe të mbledhim gjithë fëmijët që kanë vdekur në rrethin e Tepelenës dhe t’i quajmë të kampit të Tepelenës. Është tjetër gjë jeta në kamp prej katër vitesh dhe tjetër gjë internimi pesëdhjetë vite nëpër fshatra të Tepelenës apo gjithë Shqipërisë. Ajo që po shikoj, është se dikush po i ngatërron gjërat pa qenë nevoja.

E ndihmon ekonominë e qytetit të Tepelenës ekzistenca e një muzeu të tillë përmes turistëve dhe a ka vlerë historike për ju?

Jo, ne nuk e bëjmë këtë për turistë. Ne e bëjmë për të respektuar vuajtjen e atyre njerëzve dhe e kemi detyrim të respektojmë çdokënd që ka vuajtur. Sa për turizëm historik, Tepelena ka legjendat dhe historinë e saj krenare, ka historinë e Ali Pashë Tepelenës, bujtinën e Bajronit, betejat historike me grekët, italianët e gjermanët dhe natyrisht peizazhin e saj malor, ndoshta më të bukurin në Shqipëri. Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë biznes me vuajtjet e shqiptarëve, por as kemi qejf të lejojmë dikë të bëjë biznes me njollosjen e emrit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura