Tentoi të vriste ish-gruan, grusht në fytyrë. Magjistratja për gjyqtare: Si ia hoqa armën

Jul 20, 2015 | 18:03
SHPËRNDAJE

Konfliktet pas divorcit u bënë shkak i një tentativë vrasjeje që ndodhi dje në mes të plazhit të Golemit, kur burri tentoi të qëllonte me armë ish-gruan, e cila arriti t’i hiqte nga dora çantën ku ai mbante pistoletën.

Fadil Kasemi i arrestuar nga Policia
Fadil Kasemi i arrestuar nga Policia

Ngjarja ndodhi në sy të dy fëmijëve të çiftit të divorcuar dhe të dhjetëra pushuesve që i erdhën në ndihmë 37- vjeçares, e cila është magjistrate për gjyqtare.

Shërbimet e Postës së Policisë së Golemit kanë arritur në kohë në vendngjarje, duke shmangur krimin në familje dhe kanë vënë në pranga autorit, Fadil Kasemi, 51 vjeç.

Burimet thanë se i dyshuari kishte konsumuar alkool para se të shkonte në plazhin ku ndodhej me pushime ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, vajza 14 vjeçe e djali 12 vjeç.

Sapo i është afruar çadrës ku ndodhej magjistralja Fildize Hafizi (Kasemi), nëna e saj dhe djali 12-vjeçar, i dyshuari ka goditur me grusht në fytyrë ish-gruan. Në këtë moment, te shezlonget ku po ndodhte ngjarja ka mbërritur edhe vajza 14-vjeçare e çiftit, e cila në atë moment ishte në det dhe ka nisur t’i bëjë thirrje të atit që të largohej.

Por përleshja e tij me ish-bashkëshorten ka vijuar, derisa ajo i ka hequr nga duart çantën ku ai mbante një pistoletë, më pas i kanë ardhur në ndihmë edhe pushuesit që e kanë neutralizuar për disa çaste deri sa ka mbërritur Policia.

Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se të arrestuarit i është sekuestruar pistoleta “TT”, që e mbante pa leje.

“Në plazhin e Golemit, në Kavajë, pranë bregut të detit, shtetasi Fadil Kasemi ka pasur një konflikt me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen F.H., të cilën e ka goditur me grushte në fytyrë. Në grindje e sipër ky shtetas ka hapur çantën që mbante në krah, në të cilën kishte një armë zjarri. Në këtë moment shtetasja F.H. e ka tërhequr me forcë çantën duke vrapuar e kërkuar ndihmë. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur Policia duke ndaluar këtë shtetas, ndërsa shtetases F.H. i është dhënë ndihma e parë mjekësore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Burimet thanë se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga këqyrja e çantës që mbante i arrestuari, u gjet një pistoletë tip “TT” dhe çelësat e një makine tip “BMVV”, që iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

I arrestuari nuk ka pranuar të flasë para oficerëve të Policisë, kjo edhe për faktin se ai ka qenë nën efektin e alkoolit, por jo në gjendje të dehur.

ETLEVA DELIA
LEONIDHA MUSAI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura