Tensionet që mpijnë dialogun

Mar 30, 2018 | 13:03
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Angazhimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, përveç disa përpjekjeve për të krijuar imazhin e kërkuar, në kuadër të integrimit të saj në Bashkimin Europian, mbetet po ai, në vendnumëro, si dhe vetë Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013, nënshkruar midis dy palëve, me iniciativën dhe kujdesin e BE-së, kur dialogu disi kishte filluar në vitin 2011. Marrëveshja, si e tillë, obligon secilën palë të kryejë detyrimet e veta. Por diplomacia serbe, në mënyrë të zëshme dhe herë nën zë, për fat të keq, nuk e ka ndërprerë misionin e vetë, të bindë sa të mundë vendet e tjera që procesi i njohjes së shtetit të pavarur të Kosovës të mos ecë më tej. Madje, ajo dhe aktualisht përpiqet të krijojë psikozën e lëkundjes, tërheqjes së shteteve të ndryshme, të cilat e kanë njohur atë.

Një muaj më parë, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, duke pasur mysafir në Beograd, ministrin rus të Punëve të Jashtme, e trashi zërin sërish, duke i dhënë mend këtë radhë Uashingtonit dhe Londrës që të korrigjojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një sfidë kjo për Europën dhe, sikurse është e njohur, e inkurajuar dhe nxitur nga “vëllai i madh”. Një sintoni e plotë e projekteve të tyre të përbashkëta, shfrime të njohura të Beogradit që nxjerrin zbuluar “dëshirën” reale për bisedime.

Çdo heshtje apo përgjumje ndaj këtyre qëndrimeve, qofshin nga Bashkimi Europian, rritin oreksin e deritashëm të Serbisë për të tjerrë dhe më tutje retorikat e tyre të njohura. Aq më keq, nëse pakujdesia, hutimi në këtë drejtim zë vend te lidershipi i Kosovës, sikurse dhe alibitë, manovrat diplomatike serbe për të realizuar qëllimet e veta. Nuk ishte rastësi kërkesa e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi dy javë më parë, ndaj Presidentit të Rumanisë, Iohannis dhe aleatëve të tjerë për të bërë punën e ndërmjetësit në bisedimet SerbiKosovë, kur dihet që këto bisedime e kanë ndërmjetësin e tyre, Bashkimin Europian, pa të cilin s’do të vijonin e do të nxiteshin ato.

Dhe kur ndodh kjo? Kur zëdhënë- si i qeverisë spanjolle deklaroi një javë më parë se, Spanja nuk është e interesuar të njohë pavarësinë e Kosovës dhe se Kryeministri i vendit nuk do të marrë pjesë në takimet ku pjesëmarrëse do të jetë Kosova. Është pra, i njëjti rreshtim: Spanjë, Rumani, Greqi, Qipro, Sllovaki, pesë shtete anëtare të BE-së, të cilat vazhdojnë të mos e njohin shtetin sovran të Kosovës.

Zëri i Kosovës tashmë nuk është një zë dosido. Ballkani Perëndimor nuk mund të kuptohet pa të. Puna është pastaj, si vetë Kosova lufton për të nesërmen e saj, për forcimin e shtetit të vetë. A mund të mendohet pas kësaj që vetë Serbia ta njohë Kosovën? Anëtarësimi i saj në BE do të vijë duke vazhduar të mos e njohë atë, sikurse deklaroi këto ditë dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën? Pra, hapur, i vihen bërrylat njërit prej kushteve për t’u pranuar në Bashkimin Europian.

Nga ana tjetër, presionet, goditjet, metodat bizantine ndaj Kosovës nuk mund t’i ulin kurrsesi tensionet apo të të bëjnë më tej optimist për atë që Serbia po i afrohet njohjes së Kosovës. Sepse këtu nuk përjashtohen as lojnat e tjera okulte të saj. Akujt vetëm forcojnë kështu prezencën e tyre, pra, rritjen e tensioneve në marrëdhëniet dypalëshe. Ndërkohë, vetë njohja në fund të fundit, do t’i shërbente jo vetëm të dyja palëve, por dhe stabilitetit të rajonit në tërësi. Raste, si ky i fundit, i hyrjes në Kosovë, pa lejen e Prishtinës, të Marko Gjuriç, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Beogradit, duket një provokim i hapur.

A mund të evitohej ky qysh më parë, nëse do të respektoheshin të gjitha rregullat, vullneti i palëve dhe pas kësaj vizite nuk do të fshiheshin qëllimet e mbrapshta? Sigurisht që po, sikurse, për mendimin tim, mund të evitohej dhe një farë show ndaj mënyrës së arrestimit të tij, si për të treguar “triumfatorin”, pavarësisht që mendjeve të çartura në Serbi u jepej mësimi i duhur. Sebepi u gjend me këtë arrestim, që Lista Serbe, pas takimit me Presidentin Vuçiç në Beograd, të bëjë të ditur daljen nga qeveria e Kosovës dhe t’i japë zemër drejtuesit të Listës, Goran Rakiç, të shprehet më i vendosur, që në prill, me rastin e pesë vjetorit të Marrëveshjes së Brukselit, të krijojnë vetë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Të rritin në këtë mënyrë tensionet e dëshiruara që vetëm e mpijnë dialogun.

Ky i fundit, që sapo rinisi në nivel presidentësh, me ngjarjen e pardjeshme, vështirë të vazhdojë menjëherë. Për rrjedhojë, marrëveshjet e deritanishme dhe më tutje mbeten në letër. Puna është që, në radhë të parë, siç porosit të dy palët dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ato të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, si dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore. Bashkimi Europian nga ana e tij, mendojmë se duhet të jetë më i vendosur në këtë dialog, të cilin e ka iniciuar vetë, duke këmbëngulur në zbatimin e marrëveshjeve dhe duke e parë si Serbinë dhe Kosovën si shtete realisht të barabartë. Ndryshe, ky dialog, edhe në vijim pas vazhdimit të nesërm, do të mbetet në konstatime dhe në fotot me shtrëngim duarsh, larg synimeve për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura