Tenderi i vaditjes në Divjakë dhe i lopëve nga Danimarka/ Murrizi çon në SPAK ish-ministrin e Bujqësisë, Panaritin dhe sekretarin Bregu

Aug 11, 2021 | 9:29
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Nënkryetari i Kuvendit në detyrë dhe njëkohësisht deputeti Myslim Murrizi u rikthye dje në zyrat e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) këtë herë jo për tenderin e uniformave të Policisë, por për dy tenderë të tjerë në Ministrinë e Bujqësisë.

MURRIZI-PANARITI

Konkretisht, padia që depozitoi dje në SPAK deputeti Murrizi bën fjalë për dy tenderë të dhënë nga Ministria e Bujqësisë që drejtohej nga Edmond Panariti gjatë vitit 2016. Murrizi akuzon ish-zyrtarët e LSI-së për korrupsion për një projekt që sipas Murrizit, kushtoi afro 6 milionë euro për sistemin e vaditjes së 2800 hektarë tokë në Bashkinë e Divjakës.

AKUZAT PËR SISTEMIN E VADITJES

“Në tenderin e parë për sistemin e ujitjes, sipas relacionit shpjegues, është planifikuar ujitja e 2800 hektarëve tokë, por në fakt prej 4 vitesh nuk ujiten as 25 hektarë tokë.

Në projekt është parashikuar marrja e ujit nga lumi Shkumbin në fshatin Sulzotaj, sepse uji i kanalit të Tërbufit është ujë i kripur nga batica e detit dhe nuk përdoret për ujitje pasi dëmton çdo bimë të mbjellë. Nuk ka asnjë tubë të shtrirë nga lumi Shkumbin në drejtim të pompës së rikonstruktuar në kanalin e Tërbufit, pompë e cila nuk është ndezur asnjëherë nga viti 2017.

Gjatësia e linjave të tubave që duhej të shtroheshin sipas projektit duke shtrire linjë tubash në distancën çdo 200 metra, pra në fillim të çdo parcele dhe gjatësi nga fillimi i sipërfaqes prej 2800 hektarësh të planifikuar për ujitje, shkon rreth 5 kilometra gjatësi, në të cilën duhej të shtroheshin për çdo 200 metra gjerësi duhej të ishin mbi 50 km tube të shtrirë (minimalja, 10 linja paralele në distancë çdo 200 metra herë 5 km secila linjë).

Në fakt nuk janë shtrirë as një e dhjeta e linjës. Në projekt thuhet që ujiten 250 hektarë të fshatit Sulzotaj, por në fakt nuk ujitet në fshatin Sulzotaj asnjë metër tokë (ky është fshati im dhe unë si familje kam mbi 5 hektarë tokë aty). Në daljen e çdo parcele, sipas projektit, duhej të ketë sahat matës të ujit dhe fatura për çdo fermer që ujit tokën nga ky sistem, në fakt nuk do të gjeni asnjë faturë, sepse askush nuk ka ujitur tokën nga ky sistem”, thuhet në relatimin e padisë së Murrizit për tenderin e parë.

Ndërkohë nuk mbesin jashtë akuzave edhe zyrtarët lokalë që sipas nënkryetarit të Kuvendit kanë firmosur për të marrë në dorëzim projektin.

AKUZAT PËR LOPËT NGA DANIMARKA

Padia e dytë që depozitoi dje deputeti në detyrë Myslim Murrizi bën fjalë për një tender me vlerë 4.5 milionë euro për të blerë rreth 1900 krerë lopë.

Murrizi akuzon ministrin e Bujqësisë së asaj kohe, Edmond Panaritin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të asaj kohe, Vojo Bregun, se çmimi i lopëve të blera ka qenë tri herë më i lartë se çmimi i tregut. Por jo vetëm kaq, sipas akuzës së ngritur nga Murrizi, ish-zyrtarët e LSIsë kanë shpërndarë lopët gjatë fushatës zgjedhore të 2017-ës në mënyrë selektive për të siguruar vota.

“Tenderi i dytë i realizuar në dhjetor 2016 dhe në prill 2017, me vlerë totale mbi 4.5 milionë euro për blerjen e 1912 mëshqerrave nga Danimarka, është një tjetër abuzim i pastër i dyshues për korrupsion. Vlera mesatare e një mëshqerre shkon mbi 3 milionë lekë të vjetër për kokë, vlerë e cila është trefish më e lartë se çmimi i tregut.

Firma fituese është e njëjta për të tri lotet, edhe pse në lotin e tretë ka pasur çmimin më të lartë se kompanitë e tjera pjesëmarrëse.

Abuzive është mënyra e shpërndarjes së tyre dhe nga informacionet që kam, iu janë dhënë për fushatën e vitit 2017 në qarkun Fier vetëm anëtarëve të LSI-së. Lopët kanë ardhur nga Danimarka dhe është shumë e lehtë për të verifikuar nga dogana faturën që përcakton vlerën e zhdoganimit ku është përcaktuar çmimi i një mëshqerre. Po ashtu, nëpërmjet tatimeve, mund të vërtetohet se si i ka deklaruar në bilancin financiar kompania “Natyral Farming” fitimin nga vlera që ka blerë një mëshqerrë në Danimarkë, sipas faturës që ka paraqitur në doganë dhe çmimit që ka fituar këtë tender nga Ministria e Bujqësisë”, shkruhet në padinë që depozitoi dje Murrizi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura